Book Your Stay
Book Your Flight
Jeni gati për një ecje që në fund shpërblehet me një ujëvarë fantastike? Në Theth, Ujëvara e Grunasit ka fituar prej disa vitesh famën e një prej atraksioneve natyrore më të vizituar nga turistët.
Ujëvara e Grunasit është një atraksion natyror që e shpërblen me shlodhje dhe kënaqësi të jashtëzakonshme udhëtimin e gjatë të një turisti drejt majave të Shqipërisë. Ujëvara ndodhet në rrethinat e fshatit Theth, rreth 75 km nga qyteti i Shkodrës. Uji rrjedh nga një lartësi prej 30 metrash, duke gjarpëruar mes shkëmbinjve që janë gërryer nga fuqia e pandalshme e rrjedhës shekullore.
Duhet rreth një orë për të mbërritur nga qendra e fshatit Theth tek ujëvara. Ecja është spektakolare, duke ju dhënë mundësinë të vizitoni një natyrë plot me peizazhe të pasura në bimësi, maja të larta malesh në sfond, apo burime ujore. Ngjitja finale merr rreth 15 minuta, dhe është e një vështirësie mesatare, ndaj bëni kujdes të keni atlete të përshtatshme për një terren të rrëshkitshëm.
Ecje në Theth, foto nga IntoAlbania.
Ujëvara është pjesë e shumë burimeve ujore që e dallojnë zonën e Thethit nga të tjerat. Majat e alpeve që rrethojnë komunën Shalë, të mbuluara çdo periudhë të vitit me borë, janë burimi kryesor i ujit për Ujëvarën e Grunasit. Pas ngjitjes, panorama që do t’ju ofrohet është e tillë sa justifikon lehtësisht rrugëtimin e bërë për të mbërritur deri këtu.
Ujëvara e Grunasit në Theth, foto nga IntoAlbania.
Ujëvara mbrohet si monument natyror që prej vitit 2002. Ajo është pjesë e pasurive të Parkut Kombëtar Theth. Gjurma e rrjedhës së saj është elegante dhe duket si një shirit shumëngjyrësh gjatë orëve të ditës. Zhurma e ujit që rrjedh në rrëpirat e shkëmbinjve shpesh bashkohet me pasthirrmat e gëzuara të vizitorëve që nuk ngopen duke fiksuar bukuritë e trupit të saj të lëngshëm. Në pjesën fundore krijohet një vaskë natyrale me ujë të smeraldtë që plotëson krej dekorin e rrallë të kësaj pjese të Thethit. Faqet e rrjedhës janë një mundësi e mirë për alpinistët e sprovuar të cilët kanë shansin të ngjiten deri në fillesat e burimeve të Ujëvarës së Grunasit.
Ujëvara e Grunasit në Theth, foto nga IntoAlbania.