Ura e Mesit - Into Albania

Ura e Mesit

Trembëdhjetë Harqet që mbajnë Peshën e 300 Vjetëve

Urat, sipas shkrimtarit Boshnjak Ivo Andriç, janë ëngjëj të dërguar në tokë nga perënditë, të cilët duke shtrirë krahët e tyre bashkojnë njerëz të ndarë prej lumenjve të djallit. Kur u ndërtua, në fillimet e shekullit 18-të, në fshatin me të njëjtin emër, ura zgjati krahët e saj për të bashkuar përfundimisht qytetarët e qytetit të Shkodrës me ata të Drishtit dhe krahinës së Cukalit. Struktura e bukur, e përbërë prej gurave të lëmuar e pllakave të gurit, shtrihet mbi 108 metra dhe trembëdhjetë harqe mbi lumin Kir. Paçka se është ruajtur stili fillestar i ndërtimit, shenjat e historisë mbi këtë urë janë mëse të dukshme në shumëllojshmërine e lartësive apo sipërfaqeve të harqeve të saj, të cilët u shtuan ndër shekuj për të përballuar prurjet e rrëmbyeshme të lumit në dimër. Keto elemente e bëjnë këtë një strukturë jo vetëm piktoreske por edhe prekëse. Kjo urë ka prekur historinë e gjatë të popullit dhe, po aq natyrshëm, e transmeton atë.

Ura e Mesit është ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati, dhe është ura më e madhe që mbetet nga periudha Osmane në Shqipëri, e për këtë arsye gëzon dhe statusin si monument kultur i kategorisë së parë. Ashtu si tregon edhe emri i saj, ura është një pikë turistike qendrore për vendasit e turistët e më e njohura mes tyre. Ura është renditur e para ndër urat Shqiptare për tu parë nga Tripadvisor dhe do të prekte ndjeshmëritë e çdo piktori, poeti apo fotografi. Në fakt, Edward Lear, gjatë udhëtimit të tij përgjatë Shqipërisë në vitin 1848 e ka përfshirë në skicat e tij tashmë të mirënjohura të vendit.

Në pranverë apo verë, shumë prej vendasve dhe turistëve zgjedhin të përshkojnë rrugën e shkurtër nga Shkodra deri në fashtin e Mesit me biçikletë. Në përfundim të rrugës, ata shpesh freskohen në ujërat e freskëta të lumit. Peizazhi natyror që shtrihet përreth Urës së Mesit, me majat e maleve të cilat rrethojnë lumin e kristaltë e kthejnë urën në një simbol të harmonisë midis natyrës, njeriut dhe historisë.

Si të shkosh: Fshati Mes ndodhet rreth 8 km (vijë e drejtë) në verilindje të Shkodrës. Klikoni këtu për hartën.

 

Explore More