Vaskat e Bënjës në Përmet - Into Albania

Vaskat e Bënjës në Përmet

Natyrë kurative dhe peizazhe fantastike

Ditën që mbi tokë lindi Përmeti, Zoti duhet të ketë qenë i frymëzuar nga dashuria për natyrën sepse e vizatoi qytetin si një peizazh pa kohë, ku malet, kodrat, lumi dhe pyjet do të qëndrojnë bukur si ditën e parë, madje me të fshehta për t’i zbuluar.  Kjo shpjegon edhe pse deri në ditët tona janë ruajtur toponimet origjinale romake siç është emri i lumit Vjosa që përshkon krejt luginën.

Prej ujërave të rrëmbyer të Vjosës lindi lumi i Langaricës; i rrëmbyer në dimër dhe i urtë si përmetarët në stinët e ngrohta. Langarica rrjedh mes një kanioni spektakolar që ka të njëjtin emër, në brendësi të të cilit gjen shpella të paimagjinueshme. Rrjedha e Langaricës shpërndahet në degëzime të shumta. Përrenjve u bashkohen ujëra të ngrohtë që pavarësisht rrjedhave të ftohta të lumit, janë në temperaturë 29-30 grade celcius cdo ditë të vitit. Këto janë burimet termale të Bënjës, një fenomen i rrallë natyror, me ndihmën e të cilit qindra njerëz kërkojnë shpëtim për shqetësimet reumatizmale, apo për sëmundje të lëkurës dhe të veshkave.

Ujërat e Bënjës ndodhen vetëm 13 km larg qendrës së Përmetit. Ato kanë përmbajtje të lartë sulfurore, rrjedhin të hapura në natyrë e zakonisht përdoren me rekomandimin e mjekut, por të kridhesh një herë në to sigurisht nuk të bën dëm. Ujërat me përmbajtje minerale ndodhen shumë afër njëri-tjetrit. Dy prej më të mëdhenjve, në këmbët e Urës së Katiut, thuhet se bëjnë mirë për shqetësimet e stomakut dhe për sëmundjet reumatizmale. Pjesa më autentike e banjave janë vaskat prej guri. Në vaskat e gurit mund të lahesh një herë në ditë, jo më shumë se 20-25 minuta. Duke qenë të hapura në natyrë, avujt e ujërave termale të ngarkuar me sulfurorë nuk dëmtojnë as fëmijët, por kujdes, ato nuk janë banja deti dhe sigurisht nuk mund të qëndrosh aty gjithë ditën.

Mos u çudisni nëse shihni dikë të lyer me baltë të zezë në pjesë të ndryshme të trupit. Është llumi i krijuar në rrjedhat e ujërave termale, që mendohet se ka veti rigjeneruese per lëkurën. Studimet i njohin këto ujëra prej antikitetit dhe mendohet se dalin nga çarje të thella nën shkëmbinjtë që rrethojnë Kanionin e Lengaricës.

Vaskat prej guri janë tërheqëse përgjatë gjithë vitit. Imagjinoni që në ditët e dimrit kur termometri në Përmet zbret nën 0 gradë celcius, ti mund të hysh në vaskat e gurit mbushur me ujë të nxehtë prej natyrës, dhe jo vetëm të kryesh terapinë e këshilluar nga mjeku falas, por mund të shijosh peizazhin e rrallë të Përmetit. Si thotë një fjalë e urtë shqiptare : “Aty ku hyn natyra, nuk hyn mjeku.”

 

Explore More