Vila Austria 1843 - Thesari ende i panjohur sa duhet i Durrësit - Into Albania

Vila Austria 1843 – Thesari ende i panjohur sa duhet i Durrësit

Pozicionuar në zemër të Durrësit, 3 minuta larg Amfiteatrit dhe monumenteve të tjera të rëndësishme, Vila Austria 1843 është një takim unik me historinë e qytetit.

Vështirë se mund të gjeni një vend më të përshtatshëm se “Vila Austria 1843” për të pushuar në Durrës. Historia dhe vjetërsia e vilës, si dhe njohja me të shkuarën e familjes Tedeschini, që ka dhënë një kontribut të shumanshëm në shoqërinë shqiptare, janë vetëm disa nga arsyet se përse ja vlen të shpenzoni cilësisht kohën tuaj këtu.

Ambjentet e jashtme të vilës, foto nga IntoAlbania.

Historia e familjes

Në Durrës kjo vilë njihet dhe si vila “Tedeschini”, duke ju referuar familjes që e ndërtoi dhe që ende sot e ka në pronësi. I pari i Tedeschinëve erdhi nga Vasto e Italisë, dhe u vendos fillimisht në Shkodër, ku krijoi farmacinë e parë të huaj të qytetit. Dëshmitë e prezencës së kësaj familje në qytetin verior datojnë që në vitin 1766, kur Emidio Tedeschini i dërgon një letër Republikës së Venedikut, ku kërkon të bëhet ai zëvendëskonsull i Republikës.

Nga ky moment familja zhvendoset në Durrës, aty ku mbiemri Tedeschini ja del të njëhsohet dhe me konsullatën venedikase, e mandej atë austro-hungareze.

Vila Austria 1843

1843 është viti kur është ndërtuar vila, më shumë se 170 vjet më parë, duke e bërë atë vilën më të vjetër ende të banueshme të qytetit të Durrësit. Në momentin kur u ndërtua, vila kishte funksionin e Konsullatës Austro-Hungareze, njëherësh shtëpi banimi e familjes Tedeschini. Ende sot ruhen mobiljet qindravjeçare që kanë arreduar ambjentet përgjatë gjithë historisë së vilës.

Korridori dhe shkallët lidhëse të dy kateve, foto nga IntoAlbania.

Një ndër sallat më të veçanta është “Dhoma e oxhakut”. Në të mund të admirosh arkitekturën fine të vilës, si dhe të shohësh objektet e rralla, librat e vjetër të familjes, apo edhe vepra arti autentike. Spikat një pikturë origjinale të Sisit, që vesh muret e kësaj vile që prej dy shekujve më parë. Kjo sallë si dhe ambjentet e tjera të përbashkëta të shtëpisë, reflektojnë më së miri rolin politiko-shoqëror që ka patur familja Tedeschini përgjatë historisë.

“Dhoma e oxhakut”, foto nga IntoAlbania.

Emra të njohur

Si seli e Konsullatës Austro-Hungareze, vila ka parë plot emra të spikatur që e kanë vizituar atë. Ndër më të njohurit është ai i albanologut dhe diplomatit Johann Georg von Hahn, i cili pas vizitës së bërë në Durrës në vitin 1851 dhe qëndrimit te vila e Tedeskinëve, shkroi në librin e tij “Studime Shqiptare”, se do “mbetej përherë mirënjohës për mikëpritjen e gjetur aty”.

Brenda ambjenteve të vilës, foto nga IntoAlbania.

Një tjetër vizitor mjaft i njohur për kohën ishte dhe Arqiduka i Austrisë, princi Maksimilian, vëllai i perandorit austriak Franc Jozef, i cili impresionet e tij të mëdha që i la familja Tedeschini si dhe vila e tyre në Durrës, i shkroi te një libër me kujtime ku rrëfente në detaje udhëtimin e tij në qytetet shqiptare të kohës.

Tedeschinët

Për këtë familje mund të shkruash shumë, e sërish të mos ja dalësh të përfshish të gjithë kontributin e dhënë për shoqërinë shqiptare.

Stema e familjes, foto nga Josef Tedeschini.

Përtej roleve politike, për 60 vjet familja Tedeschini mbante në kohën e konsullatës dhe një farmaci falas për të varfrit, duke i shërbyer shtresave në nevojë.

Justina Tedeschini, një nga trashëgimtaret e vilës në fillimshekullin XX. Foto nga Josef Tedeschini.

Luigj Gurakuqi, një ndër atdhetarët më të respektuar të historisë shqiptare, është gjithashtu i lidhur me emrin e kësaj familjeje, pasi gjyshja e tij ka qenë Agata Tedeschini.

Kontribut të vyer ka dhënë dhe juristi Emid Tedeschini, i cili ndihmoi në kodifikimin e “Kanunit të Lekë Dukagjinit”. Djali i tij, Josef Tedeschini, na ndihmon të shohim dorëshkrimet autentike të punës së jashtëzakonshme të bërë nga i ati i tij, të cilat ruhen ende në vilë. Ndër punimet e tjera të Emid Tedeschinit, përfshihen përkthime të sferës juridike, gjuhësore, e letrare, në gjuhët italisht, anglisht, gjermanisht etj.

B&B

Si bujtinë pritëse, shtëpia sot ofron plot ambjente akomodimi, ku përfshihen 4 dhoma (tre dhoma me krevat dopjo dhe një dhomë me dy krevate teke), dy banja të përbashkëta, një kuzhinë, një verandë fantastike, si dhe ambjente të tjera të përbashkëta.

Një nga dhomat e shtëpisë, foto nga IntoAlbania.

Tradita e mikëpritjes është trashëguar në breza, dhe sot nëse do të vendosni të qëndroni në këtë vilë, do të keni fatin të takoheni dhe me Alma dhe Josef Tedeschinin, pasardhës të familjes si dhe trashëgimtarë të vilës.

Një nga ambjentet e përbashkëta të shtëpisë, foto nga IntoAlbania.

Ata do mund t’ju rrëfejnë plot histori unike të familjes, t’ju shpjegojnë domethënien e orendive, t’ju flasin për personazhet që shihni në fotot e shfaqura nëpër shtëpi, madje do të mund të provoni dhe glikotë apo nerënxat e shijshme të realizuara me dashuri nga vetë Alma. Nëse doni të merrni më të mirën që Durrësi ka për të ofruar, “Vila Austria 1843” është një zhytje e rrallë në të djeshmen e qytetit, tek sa njëherësh ndodheni mu në zemrën e sotme të tij.

Për të prenotuar qëndrimin tuaj, kliko këtu.

    Dom Nikoll Kaçorri Street, Durrës Get Directions

Explore More