Xhamia e Plumbit - Into Albania

Xhamia e Plumbit

Një trashëgimi më tepër se sa vetëm fetare

Mu poshtë Kalasë së Rozafës, ndodhet një nga xhamitë më interesante të Shqipërisë. Zbuloni arsyet përse ja vlen të vizitoni Xhaminë e Plumbit.

Monumentet e kultit në Shqipëri i gjen në çdo qytet, si shenjë e një harmonie unike të bashkëjetesës së besimeve të ndryshme në Zot. Një prej tyre është Xhamia e Plumbit në Shkodër, në kryeqendrën e veriut të Shqipërisë, që njihet për nuanca të forta historike dhe kulturore.

Vendndodhja dhe zanafilla

Xhamia ndodhet në luginën që fle poshtë Kalasë së Rozafës. Ajo përfaqëson të vetmin monument kulti të periudhës osmane në këtë zonë të Shqipërisë. Për shkak të historisë dhe vlerave arkitekturore që bart xhamia u mor në mbrojtje nga shteti shqiptar gjatë shekullit të kaluar. Konservimi e shpëtoi nga vala e prishjes së objekteve të kultit gjatë diktaturës. Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitet 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatlliu.

Xhamia parë nga kalaja, foto nga IntoAlbania.

Arkitektura

Konstruksioni i saj është tipik për kultin që kumton. Ndërtesa harmonikisht ngrihet mbi kolona të mëdha që rrethojnë oborrin e brendshëm. Nga jashtë kubetë e ngritura bukur mbi strukturë paralajmërojnë harkun e madh të kubesë qëndrore. Muret rrethuese dallohen për gurin e reflekseve të bardha por më shumë se ngjyra, guri si element ndërtimi ka qenë vendimtar në mbrojtjen e godinës. Emrin e mori nga veshja me plumb që i’u bë objektit nga ndërtuesit e parë të saj.

Oborri i brendshëm i xhamisë, foto nga IntoAlbania.

Legjendat thonë së në themelet e xhamisë mund të gjenden rrënojat e një kishe të vjetër katolike të shekullit të XIII-të. Nëse vështroni me kujdes objektin, do të kuptoni se mungon minareja, pasi ajo u rrëzua në vitin 1967 si rrjedhojë e goditjes së një rrufeje. Xhamia e Plumbit iu rikthye komunitetit fetar mysliman dhe besimtarëve pas ndryshimeve politike të vitit 1990.

Xhamia e Plumbit, dhe vendi ku ngrihej minareja. Foto nga Intoalbania.

E ardhmja

Muret rrethuese të xhamisë lagen nga rrjedhat e devijuara të lumit Drin dhe në jo pak raste gjatë muajve të dimrit objekti i kultit “noton” mbi ujërat e përmbytjeve. Për këtë arsye ndërtesa pritet t’i nënshtrohet një konstruksioni mbrojtës jo vetëm për ta bërë rezistent për të ardhmen, por edhe për ta siguruar nga rreziku i përmbytjeve të mëtejshme.

Xhamia e Plumbit, foto nga IntoAlbania.

Explore More