Bizneset Turistike në Shkodër Konkurrojnë Online me Idetë e Tyre, në Kushte Karantine - Into Albania

Bizneset Turistike në Shkodër Konkurrojnë Online me Idetë e Tyre, në Kushte Karantine

Pandemia e shpallur zyrtarisht nga OBSH-ja më 11 Mars 2020 i ka dhënë një goditje të fortë gjithë tregut global në botë, duke e orientuar atë drejt përshtatjes përmes teknologjisë dhe inovacionit, si: tregjet online, punës në distancë, zinxhiri i shpërndarjes etj.

Turizmi do të jetë një ndër sektorët më të prekur në vendin tonë, për shkak të ndalimit të lëvizjeve, frikës prej kërcënimit nga virusi. Mjaft sipërmarrje në këtë sektor do të kërcënohen me faliment nëse nuk do të përshtaten sa më shpejt me nevojat imediate të tregut dhe format e reja online, si e vetmja mënyrë për të kapërcyer tregjet e mbyllura.

Në këto kushte të distancimit fizik rajoni i Shkodrës zgjodhi ta shpërfillë frikën dhe izolimin, duke mbledhur për dy ditë rresht 42 biznese turistike dhe agrobiznese. GO2Innovation – Qendra e Inovacionit e sapo krijuar për Turizmin dhe Agrobiznesin në Qarkun Shkodër, e mbështetur nga SIDA me fonde të BE-së, brenda një kohe rekord rikonceptoi gjithçka në kushtet e reja. Ekipi i punës arriti të aftësonte me përkujdesje e insistim start up-e, biznese të vogla e të mëdha, të moshuar e të rinj që të bashkoheshin në platformën zoom. Ky hap i vogël në dukje, por i madh në realitet krijoi besim e shpresë tek të gjithë që mund t’ia dalim.

IntoAlbania realizoi një bisedë në distancë me Eltjana Shkrelin, drejtore ekzekutive e Organizatës GO2, ku ndër të tjera ka theksuar: “Për 2 ditë rreth, 42 sipërmarrës nga 60 të tillë që aplikuan në fillim prezantuan idetë e nismat e tyre përpara Jurisë. Ndërveprimi me jurinë, pasioni për t’i çuar përpara idetë, debatet mbi përmirësimin dhe çertifikimin e produktit, risitë që sjell çdo biznes ishin kryefjala e diskutimeve në këto 2 ditë titanike.

Ndarja gjeografike është mjaft e shtrirë dhe 50% janë sipërmarrje nga zonat rurale e 50% nga zonat urbane, si dhe 22 start up-e. 

Gjatë komunikimit online të GO2Innovation

Ndër të tjera Shkreli theksoi për IntoAlbania-n se idetë më të mira do të zgjidhen nga juria dhe do të përfitojnë asistencë teknike nga Qendra e Inovacionit e dedikuar për turizmin dhe agrobiznesin në Rajonin e Shkodrës.

Ajo sugjeroi se për shkak të izolimit të gjatë, njerëzit kur të dalin nga gjendja do të kenë nëvojë për terapi të shëndetit mendor – zgjidhja më e mirë e tyre do të jetë turizmi eko, turizmi i aventurës dhe sporteve, turizmi mjekësor, turizmi rural etj. Dihet që natyra është një shërues i jashtëzakonshëm i mendjes dhe shpirtit. Prandaj, sipërmarrësit në këtë fushë, me optimizëm duhet të reagojnë, të krijohen në grup për të forcuar zinxhirin e vlerave dhe produkteve që në këtë kohë ka pësuar probleme, si dhe të përshtaten me teknologjitë e inovacionit. Përfshirja dhe ekzistenca në rrjete përmes komunikimit online, këshillimit si të përshtaten me gjendjen dhe ruajtja e sjelljes duke mos rënë në depresion, do të ishin armët e vetme që sipërmarrësit e turizmit dhe agrobiznesit të jenë të qëndrueshëm përballë kësaj goditjeje.

Kush është organizata GO2

Organizata GO2 ka një kontribut të hershëm prej 8 vitesh në sektorin e turizmit në Qarkun Shkodër, përmes krijimit të disa prej paketave më origjinale turistike që shtrihen në të gjithë zonën, të promovimit të lëvizjes me biçikleta si një atraksion turistik, të organizimit të katër konferencave vjetore për turizmin në këtë qark, të hartimit të Kalendarit të parë të Festave në nivel kombëtar – “Veriu është Festë” etj. Megjithatë, ndër kontributet më të rëndësishme të këtij ekipi për sektorin e turizmit në Shkodër është padyshim promovimi i Thethit si destinacion turistik.

New & Trending

Choose a