E njihni Albana Asllani Beaussier-in? - Into Albania

E njihni Albana Asllani Beaussier-in?

Stilistja që i jep traditës një tjetër jetë, ose udhërrefyesja e turistëve francezё në Shqipëri.

Një telefonatë e papritur zbulon një zë miqësor gruaje dhe një ftesë për çaj në ateljenë “Albana Asllani Beaussier”. Stiliste moderne që frymëzohet nga tradita, por edhe një udhërrëfyese e ҫertifikuar për shumë të huaj në Shqipëri, Albana Baussier, e ka të gjithë historinë e saj profesionale të shkruar në emër, sikur të ishte tabela e ndriçuar e një zyre turizmi.

Albana tregon krijimin e saj më të dashur, “Valltarja”. Foto nga IntoAlbania.

Kush është Albana Asllani Beaussier?

Mbesë shkodrane, nga një familje arti shumë e dashur për shqiptarët (mbesa e Tano Banushit), jetën e saj e ka lidhur prej 15 vjetësh me diplomatin francez Monsieur Alain Beaussier dhe si një troftë shkodre, kundër rrymës, ka zgjedhur Shqipërinë për të jetuar sëbashku me familjen e saj. Prej disa vitesh tashmë, Albana modelon punime artizanale duke i dhënë një jetë të dytë objekteve të traditës.

Pliza”, çantë e realizuar me plis dhe materiale të ricikluara. Foto nga IntoAlbania.

Atelieja e saj

Atelieja e saj është një apartament i vogël, në katin e dytë të një pallati të ri, në një rrugicë të vjetër të Tiranës. Ky është apartamenti i prindërve që e kanë lënë prej pak kohësh dhe që Albana ka menduar t’i shtojë më shumë dashuri, duke e kthyer në vendin ku ideon krijimet e veta.

Disa prej modeleve të çantave, foto nga IntoAlbania.

Produktet

Jo pa surprizë, mund të dallosh aty qeleshe a plisa të shndërruar në çanta moderne e komode, që përveçse funksionale, janë edhe “souvenire” të veçantë sa herë vret mëndjen për të eksportuar një copë Shqipëri si dhuratë; ashtu sikurse qilima apo rrugica të kthyer në kosha revista-mbajtëse, apo “baule” rrëmujë-maskuese; ja edhe disa varëse me xhufkë xhublete.

Kosha realizuar me qilima tradicionalë, foto nga IntoAlbania.

Çanta “Aida”, foto nga IntoAlbania.

Por Albana është mendja krijuese. Realizimin ka preferuar t’ua besojë atyre që nuk janë shkëputur asnjëherë nga tradita e endjes, thurrjes apo e tezgjahut: grave artizane në të gjithë Shqipërinë.

Guidë e pavarur

Në kohën e lirë, sepse ajo e gjen gjithmonë kohën, Albana operon edhe si guide e pavarur, punë e cila, siç tregon, i dhuron emocione të papritura, si mbërritja e kartolinës së asaj familjes që shoqëroi nëpër muzetë e rrugët e Tiranës, gjatë qëndrimit të tyre të shkurtër këtu.

Çanta me emrin “Shqipe”, foto nga IntoAlbania.

Si stiliste apo si udhërrëfyese turistike, Albanën e gjen këtu:
tel.: +355 67 20 20 898
email: albana.beaussier@gmail.com

 

New & Trending

Choose a