Festat kulturore në Shkodër - Into Albania

Festat kulturore në Shkodër

Shkodra cilësohet prej të gjithëve si djepi i kulturës, dhe këtë e kupton jo vetëm përmes emrave të njohur të këtij qyteti që kanë ndikuar panoramën artistike e kulturore shqiptare ndër shekuj, por edhe për mënyrën se si shkodranët jetojnë përditshmërinë e tyre. Është një nga qytetet shqiptare me më shumë gjallëri artistike përgjatë vitit, ku organizohen disa nga eventet kulturore më të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare.

Karnavalet e Rilindura

Ndikimi venecian në Shkodër duket në organizimin e karnavaleve të qytetit, që kanë nisur që prej vitit 1860. Pas viteve ’90 kjo traditë është rigjallëruar dhe çdo vit atmosfera bëhet akoma më përfshirëse e festive.

Festa me karakter fetar katolik që fillon zakonisht javën e dytë të shkurtit, kulmon javën e fundit përpara Kreshmës së Madhe, ku besimtarët mund të hanë, të pinë e të festojnë pa limit përpara nisjes së një periudhe sakrificash. Me zbehjen e riteve fetare, karnavalet në Shkodër ashtu si kudo në botë, janë kthyer në një motiv më shumë për të festuar me miqtë apo familjen përgjatë shëtitores, duke i dhënë shpesh tone gazmore festës, përmes maskave qesharake e argëtuese, që të mundësojnë  të dëfrehesh me fantazi pa u shqetësuar për të përditshmen.

Karnavalet e Shkodrës

Karnavalet e Shkodrës, Burimi: facebook.com/EKOMendje

Maska Made in Albania

Në qytet prej vitesh për karnavale organizohen dhe ballo me maska, që për nga bukuria e mjeshtria e punimit të maskave të kujtojnë Venecian. E nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur një nga mjeshtrat më të njohur të punimit të maskave veneciane është pikërisht shkodrani Edmond Angoni, që përmes fabrikës të hapur në qytetin verior eksporton kudo në botë.

Tashmë Shkodra mund të krenohet se janë maskat që realizohen nga duart e shkodranëve ato që vishen sa në Venecia, aq edhe ne Paris, New York, Las Vegas, apo dhe Hollywood, ku maskat e Angonit u përdorën në disa nga skenat emblematike të filmit të Kubrick “Eyes Wide Shut”, me Tom Cruise dhe Nicole Kidman.

Për të gjithë kuriozët e stilit të Angonit, disa nga punimet e fabrikës së tij janë të ekspozuara në Shkodër në “Venice Art Mask Factory”, që për shumë turistë është një nga destinacionet më interesante të qytetit verior për t’u vizituar. Për të gjitha arsyet që përmendëm më sipër, dhe duke i shtuar dhe humorin e hollë shkodran që i jep një prekje të vetën karnavaleve, do të bënit mirë ta vendosnit këtë festë në kalendarin tuaj.

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë

Që prej vitit 1963 festivali që zbulon zërat e vegjël premtues nuk i ka munguar asnjëherë skenës shkodrane, dhe falë emrit të krijuar ndër vite, pas rënies së komunizmit u kthye dhe në festival mbarëkombëtar. Disa nga kompozitorët e autorët më të mirë në Shqipëri, i mundësojnë talenteve të reja shqiptare të kenë një hapësirë prestigjioze ku të mund të shfaqin talentin e tyre. Festivali zakonisht organizohet në muajin maj.

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, Shkodër, Burimi: facebook.com/FestivaliMbarekombetariKengesPerFemije

Shkodra Jazz Festival

Organizohet në fillim të verës, dhe sjell në Shkodër disa nga instrumentistët apo këngëtarët më të njohur të muzikës jazz në botë. Përvit i kushtohet shumë vëmendje skenës apo vendeve ku realizohen shfaqjet, në mënyrë që qytetarët të ndihen sa më të përfshirë në këtë festë të muzikës që duhet t’i përkasë të gjithëve.

Giffoni Film Festival Albania

Në nëntor të këtij viti do të mbahet dhe edicioni i 13-të i festivalit të njohur për fëmijë, që sjell në Shkodër disa nga filmat më të mirë të vitit të realizuar për grupmoshat e reja.  Emra të njohur të skenës filmike botërore vijnë si të ftuar nderi, tek sa vlerësimin final për filmat më të mirë e japin vetë të rinjtë e shkollave 9 – vjeçare apo shkollave të mesme.

Giffoni Film Festival Albania

Giffoni Film Festival Albania, Shkodër, Burimi: giffonifilmfestival.it

Festa e Luleve

Nuk mund të ketë dashuri për artin e kulturën, pa patur në të njëjtën kohë dhe dashuri për lulet! Këtë përkushtim ndaj së bukurës Shkodra e tregon çdo 6 maj përmes Festës së Luleve, ku i gjithë qyteti e veçanërisht Kalaja e Rozafës, zbukurohet nga panairet e luleve shumëngjyrëshe, si dhe përfshihet nga një atmosferë festive falë koncerteve të shumta që organizohen.

Dita e Liqenit të Shkodrës

Çdo 3 qershor Shkodra nuk harron të nderojë “banorin” më të vjetër të saj, Liqenin e Shkodrës, përmes një dite kushtuar pikërisht atij. Dita e Liqenit të Shkodrës shënon hapjen e sezonit turistik në Shirokë, duke e kthyer këtë festë lokale në një mundësi për t’u bërë pjesë e aktiviteteve të shumta apo sporteve ujore që organizohen përgjatë Liqenit. Duke qënë se Liqeni më i madh i Ballkanit ndan Shqipërinë nga Mal i Zi, kjo ditë festohet nga të dyja palët, dhe të shumta janë bashkëpunimet në nder të kësaj fqinjësie.

Dita e Liqenit të Shkodrës

Dita e Liqenit të Shkodrës, foto nga IntoAlbania

 

Nga: IntoAlbania

Filtro sipas

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics