Flija në saç - Into Albania

Flija në saç

Flija është një recetë interesante e kuzhinës shqiptare, tradicionalisht e lidhur me veriun, edhe pse mund ta gjeni edhe në jugun e vendit por me emra të ndryshëm, sipas karakteristikave etnografike të zonave.

Flija është byrek pa shumë shpenzime, por kërkon pakëz kohë dhe angazhim për të marrë në fund ushqimin e preferuar, të ditëve të gjata dhe të ftohta të dimrit. Banorët e veriut e piqnin dikur mbi prush, me saçe bakri dhe me flinë gostitnin miqtë që ju vinin nga udhë të largëta, të mbuluara me borë.

Përbërësit

Miell 1200-1400 gramë

2 litra ujë

Kripë

Një pako gjalpë

Vaj luledielli (200-300 gramë)

Kos 500 gramë

Përgatitja

Në një enë të bollshme hidhni ujin dhe miellin. Në këtë masë ende të papërzier shtoni një lugë gjelle të bollshme me kripë, e domosdoshme për shijen e recetës së veçantë. Nisni të përzieni përbërësit bazikë deri sa të përftoni një brumë të hollë dhe të lidhur mirë, gati i ngjan qumështit por më i trashë sigurisht. Ndërsa brumi i hollë pushon pak minuta, lyeni mirë një tavë me gjalpë dhe vëreni në furrë të marrë nxehtësi të plotë. Gjatë gjithë kohës së gatimit të kësaj recete furra duhet të qëndrojë e ndezur në temperaturë 220 gradë. Tani është rradha të bashkoni në një tas më të vogël kosin dhe vajin e lulediellit sipas masave të dhëna më lart, ndërkohë tava ngrohet bosh në furrë. Nxirreni tavën dhe me një garuzhde të mbushur me brumin e hollë, hidhni mbi të në formën e shiritave masën që keni përftuar nga përzierja e ujit dhe miellit. Shiritat duhet të shtrohen duke lënë hapësira boshe mes tyre. Sapo të keni shtruar rradhën e parë, futeni tavën në furrë për 4-5 minuta. Nxirreni nga furra dhe shtroni në vendet bosh që kanë mbetur shirita të tjerë me brumin e hollë. Futeni sërish në furrë për 4-5 minuta dhe kur ta nxirrni prej saj, shiritat e pjekur lyejini me një furçë të vogël kuzhine me përzierjen e kosit dhe vajit. Kështu vazhdoni shtresë pas shtrese. Hidhni brumin në formë shiritësh, futeniu në furrë, nxirreni prej saj dhe lyejeni me kos dhe vaj. Ky proces do të vijojë derisa brumi të ketë mbaruar krejtësisht. Nëse në fund ju mbetet kos dhe vaj në tasin e vogël, mund ta shtroni sipër shtresës së flisë dhe futeni në furrë për 4-5 minutat e fundit. Flija tani është gati, priteni dhe shtrojeni në një pjatancë të madhe për të gostitur miqtë.

Këshilla e amvisës

Flija serviret me kos, me turshi, me djathë dhije të kullotave shqiptare alpine, me mjaltë, me reçel apo me prevede dhe marmalatë kumbulle e ftoi. Për të rriturit flija mund të shoqërohet edhe me një gotë raki mani. Atëherë biseda ndizet, miqtë kuvendojnë dhe ne ju urojmë “Mirë se keni ardhë” në malet e Shqipërisë.

Nga: IntoAlbania

Filter by

Zhvilluar nga Frakton & Dizajnuar nga project.graphics