Fshatrat dhe bukuritë natyrore përreth Korçës - Into Albania

Fshatrat dhe bukuritë natyrore përreth Korçës

Harrojini për pak moment serenatat korçare, rrugicat e qytetit apo pazarin e vjetër, dhe nisni eksploroni bukuritë përreth Korçës. Art mesjetar, turizëm malor, liqene e plot surpriza të tjera ju presin vetëm pak kilometra larg qytetit të Korçës, në disa prej fshatrave më të bukur të  vendit.

Voskopojë

Voskopojë

Voskopojë, Korçë, foto nga IntoAlbania

Natyra, arti dhe historia ndërthuren me njëra tjetrën në Voskopojë, duke e bërë këtë vend një destinacion të preferuar turistik përgjatë gjithë vitit. E njohur si qendër e rëndësishme kulturore që në vitin 1330, me kalimin e shekujve ajo u pasurua me mbi 24 kisha, Akademinë e famshme, shtypshkronjën e dytë të Perandorisë Osmane, si dhe plot institucione të rëndësishme të cilat u shkatërruan sa nga zjarret, luftrat, plaçkitjet apo tërmetet. Nga ajo lavdi e së shkuarës, sot mund të admirohen Manastiri i Shën Prodhromit, Kisha katedrale “Fjetja e Shën Marisë”, Kisha e Shën Athanasit, Kisha e Shën Kollit apo disa kisha apo objekte të tjera që mbartin vlera të larta arkitekturore, kulturore e fetare. Në lartësinë e e 1160 metrave mbi nivelin e detit e mbuluar gjatë dimrit me dëborë, kjo është dhe një zonë e mirë për të praktikuar skitë. Vetëm 21 km larg Korçës, në Voskopojë do të gjeni hotele cilësore dhe restorante tradicionale që do e bëjnë akoma më të pëlqyeshëm qëndrimin tuaj aty.
Për hartën kliko këtu.

Dardhë

Dardhë

Dardhë, Korçë, Burimi: flickr.com _amneris_

Në lartësinë e 1344 metrave dhe me një peizazh ku karakteristikat e çdo stine pasqyrohen më së miri falë vendndodhjes mes maleve e pyjeve, Dardha është një nga fshatrat turistikë më autentik të Shqipërisë. Shtëpi prej guri, kurora të gjelbërta pyjesh që vishen me të bardhe në dimër, dhe nje pastërti ajri që të mbush mushkëritë e të bën të ndjehesh i rigjeneruar plotësisht. Këto cilësi kanë bërë që në Dardhë vit pas viti të shtohet numri i turistëve, si dhe i atyre banorëve të rinj, që zgjedhin të ndërtojnë shtëpinë ideale të pushimit në këtë fshat 300 vjeçar. Edhe këtu mund të praktikohen skitë prej disa vitesh përmes paketave të posaçme. (Për të parë një nga ofertat tipike që ofrohen klikoni këtu.)
Si të ‘biesh’ nën Dardhë: 20 km në juglindje të Korçës. Për hartën kliko këtu.

Prespë

Prespë

Prespë, Korçë, foto nga IntoAlbania

Vetëm 20 minuta larg nga Korça ndodhet Parku Kombëtar i Prespës, një nga parqet natyrorë më të mëdhenj e impresionues të Shqipërisë. Tek sa dy liqenet e mrekullueshëm të Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël, i bëjnë prej 5 milionë vitesh shoqëri njëri tjetrit, tashmë ka ardhur koha që dhe ju t’i vizitoni këto liqene.
Prespa e Madhe me një sipërfaqe prej rreth 300 km katrorë dhe thellësi maksimale 54 m, shtrihet në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoni. Ky liqen është i njohur për ujërat e freskëta dhe  plazhet me rërë dhe gurë të imët. Disa hotele cilësore dhe bare e restorante ofrojnë të gjitha shërbimet e nevojshme për turistët, ndërkohë që plazhi gjatë verës shoqërohet nga një atmosferë e qetë dhe tejet shplodhëse.

Ishulli i Maligradit

Ishulli i Maligradit

Ishulli i Maligradit, Korçë, foto nga IntoAlbania

Protagonist i vërtet i Prespës së Madhe është padyshim Ishulli i Maligradit, që me shkëmbin gëlqeror të pjerrët, tërheq të gjithë vëmendjen drejt tij. Në maqedonisht Maligrad do të thotë dhe qytet i vogël. Për të gjithë ata që do duan ta vizitojnë më nga afër përmes varkave të vogla ishullin, Maligradi do ju zbulojë dhe një surprizë të këndshme: Kishën e Shën Mërisë! U ndërtua aty në vitin 1369 brenda një shpelle që konsiderohej që më herët vend i shenjtë nga banorët. Në perëndim të po këtij liqeni, në zonën e Devollit, duhet të vizitoni patjetër dhe Shpellën mbresëlënëse të Trenit, ku do mund të shihni nga afër pikturat murale prehistorike që datojnë 6000 vite para Krishtit.

Rrugët për të shkuar në Prespë: Korçë-Pika e kalimit kufitar Goricë, Korçë-Bilisht.
Për hartën kliko këtu.

Boboshticë

Boboshticë

Boboshticë, Korçë, Burimi: mapio.net

Ashtu si edhe Voskopoja, e shkuara e Boboshticës ka qënë ajo e një zone mjaft të zhvilluar ekonomike e kulturore. Nga 13 kisha e 3 Manastire që kishte fshati, sot mund të vizitohen kisha e Shën Gjon Pagëzorit (ndërtuar fillimisht në shek. XII, rindërtua shek. XV), kisha e Shën Mërisë (shek. XVII – shek. XVIII),   si dhe kisha e Shën Dhimitrit (shek.XVII). Natyra piktoreske e fshatit, në veçanti manat shekullorë, e bëjnë këtë zonë mjaft tërheqëse. Prej manave prodhohet rakia e famshme e manit, që është ‘suveniri’ perfekt per t’u marrë me vete nga Boboshtica. Fshati njihet dhe për kuzhinën tradicionale të nivelit të lartë, falë tavernave ku gatuhet lakrori i pjekur në saç, petaniku, petullat apo mish i freskët.
Për hartën kliko këtu.

Vithkuq

Vithkuq

Vithkuq, Korçë, Burimi: TripAdvisor.com

Nga një qendër e zhvilluar e mesjetës, Vithkuqi është sot një fshat i qetë i rrethuar nga gjelbërimi dhe ajri i pastër. Mikëpritja këtu bëhet si njëherë e një kohë, ku miqve u serviret lakrori i shijshëm me dy petë i pjekur në saç. Banorët do të të thonë se Vithkuqi ka qënë fshati i 100 krojeve e 24 kishave. Sot kanë mbijetuar rreth 14 kisha, 6 prej të cilave janë shpallur Monument Kulture të Kategorisë së Parë. Ndër monumentet që vlen të vizitohen janë Kisha e Shën Mëhillit, e cila tërheq vëmendjen e kujtdo falë harqeve të punuar me mjeshtëri. Kjo kishë mbaroi së ndërtuari në vitin 1728 dhe sot është kisha më e madhe e fshatit. Vithkuqi njihet dhe për një nga bijtë më të shquar të saj, Naum Veqilharxhin, hartuesin e “Evetarit”, abetares së parë shqipe në vitin 1844. Nëse doni të shijoni një pushim absolut majë një kodre, shtëpitë me gur hapen për këdo turist që do të qëndrojë aty, duke ju dhënë mundësinë të njiheni nga afër dhe me banorët mikëpritës të fshatit.
Për hartën kliko këtu.

Mali i Moravës

Mali i Moravës

Mali i Moravës, Korçë, foto nga IntoAlbania

Ka plot arsye se përse duhet të vizitoni këtë vigan natyror që arrin deri lartësinë e 2042 metra (Maja e Badaroshit). Ashtu si statuja e Krishtit është kthyer në simbolin e pagabueshëm të Malit Korkovado dhe qytetit të Rio De Zhaneros, Kryqi i madh i bardhë është simboli i Moravës, dhe shërben si udhërrëfyes për të gjithë besimtarët apo turistët që duan të ngjisin malin. Pranë Kryqit ndodhet dhe Kisha e Shenjt Ilias, që dominon gjithashtu malin dhe mundëson një rrugëtim shpirtëror të rrallë falë panoramës dhe maleve të shumta që shfaqen ngado. Nëse ja keni kushtuar ditën Moravës, nuk mund të humbisni dhe Parkun Kombëtar ‘Bredhi i Drenovës’, i cili njihet për burimet e shumta si psh Burimi i Shën Gjergjit, Pllakës apo Burimin e Pllicës. Lexo më shumë duke klikuar këtu.

Nga: IntoAlbania

Filtro sipas

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics