Fundjavë Magjike në Skrapar, përmes Legjendave, Natyrës dhe Kulturës - Into Albania

Fundjavë Magjike në Skrapar, përmes Legjendave, Natyrës dhe Kulturës

Skrapari ka një diversitet të pabesueshëm! Ai njihet jo vetëm për natyrën e mrekullueshme dhe gjurmët e qytetërimeve Ilire, por edhe për legjendat, kulturën, traditat dhe specialtietin e zonës që është rakia.

Një ditë, nuk do të mjaftonte për të shijuar çdo gjë që ky vend ofron. Dhe në vijim të promovimit të Shqipërisë turistike bashkë me operatorin One Telecommunications po ndajmë për ju një guidë të detajuar për ndalesat që duhet të bëni në Skrapar në një fundjavë

MONUMENTET NATYRORE, KULTURORE DHE FETARE

Shpella e Pirogoshit

Kjo është shpella më e madhe e njohur në Skrapar. Ajo ndodhet fshatin dhe në kanionin e Gradecit, ky i fundit është gjithashtu pjesë e monumenteve të natyrës.

Thuhet se ka qenë një vendbanim i hershëm i periudhës së neolitit, por edhe i periudhave të mëvonshme. Vizita e plotë do të merrte disa orë për të depërtuar edhe në pjesët më të thella të saj.

Hamamet në fshatin Slatinjë

Hamamet ose në shqip banjat, janë ndërtesa që lidhen me ruajtjen higjenës dhe kanë vlera të veçanta në aspektin e arkitekturës osmane në Shqipëri.

Një monument kulture i kategorisë së parë, i rrallë për vendin dhe një destinacion perfekt për ata që adhurojnë historinë.

Ura e Kasabashit

Një kryevepër arkitektonike, e ndërtuar rreth vitit 1640, nga kryearkitekti i Perandorisë Osmane Kasemi, me origjinë nga Gremishi i Tomorricës.

Ura gjendet në afërsi të Çorovodës në rrethin e Skraparit, një pikë shumë e rëndësishme për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave në këto krahina.

SPORTET E AVENTURËS

Rafting në Kanionin e Osumit

Nëse jeni mjaftueshëm aventurierë, ju mund ta shijoni më së miri kanionin më të madh në Shqipëri, duke u bërë pjesë e grupeve që vozisin nëpër ujrat e tij të rrëmbyeshëm.

Në shpatet e kanionit gjenden ujëvara, guva e zgavra, për të cilat tregohen shumë legjenda, si ajo e gjurmës së Abaz Aliut apo Vrimës së Nuses, të cilat e bëjnë udhëtimin tuaj edhe më mistik.

Ngjitje në malin e Tomorrit

Të ngjitesh në malin e Tomorrit nuk është një eksperiencë e zakonshme. Përveçse një dhuratë e natyrës, ky është një mal i shenjtë.

Besimtarët bektashinj vendas dhe të huaj, vijnë për të bërë pelegrinazhin e përvitshëm në pikat më të larta të tij, ku gjendet Teqeja e Kulmakut dhe Tyrbja e AbazAliut.

Ecje për në ujvarën e Bogovës

Bogova, që ndodhet fare pranë Skraparit, fsheh mes pyjeve të dendura një perlë të vëtetë të natyrës, Ujëvarën e Bogovës.

Kthjelltësia e ujit, zhurma e ujëvarës që bie parreshtur nga shpatet dhe gjelbërimi që e rrethon, të bëjnë të mendosh se po jeton vërtet botën ashtu siç ka qenë në gjenezë.

Shijoni Gatimet E Zonës Duke Ngritur Një Dolli

Një vizitë në Skrapar nuk do të quhej e plotë nëse do të largoheshit pa shijuar gatimet tradicionale dhe sigurisht pa provuar rakinë më të mirë në vend.

Zona ofron një numër të madh restorantesh dhe hotelesh, ku mund të shijoni një fundjavë të qetë me të dashurit tuaj.

*Ky artikull është një bashkëpunim i IntoAlbania me One Telecommunications me qëllim promovimin e vlerave turistike eko miqësore në destinacione të ndryshme të Shqipërisë, i ndjekur nga një seri publikimesh mbi turizmin shqiptar.  

New & Trending

Choose a