Inxhinieri Shqiptar në SHBA - Projekton Maskat Mbrojtëse dhe Numëron 60 Patenta Shpikjesh - Into Albania

Inxhinieri Shqiptar në SHBA – Projekton Maskat Mbrojtëse dhe Numëron 60 Patenta Shpikjesh

Ka qënë fillimisht një kronikë e kanalit amerikan ABC News i datës 2 Prill, që ka bërë të njohur punën e inxhenierit shqiptar në Amerikë, z. Agjah Libohova, në projektimin e maskave mbrojtëse në kohët e Koronavirusit. “Nevoja nxit gjenialitetin” e ka quajtur këtë kronikë kanali amerikan dhe në fakt, e gjithë bota sot ka nevojë të vazhdueshme për maska mbrojtëse. Menjëherë lajmi ka kumbuar edhe në media të tjera duke mbërritur deri në atdhe.

I ftuar në një intervistë skype, në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, në kanalin RTSH1, z. Libohova rrëfeu më gjatë rreth këtij projekti. Sipas tij, ka qënë një komshie, me profesion mjeke, që i ka kërkuar ndihmë duke e ditur që ai është inxhinier industrial dhe njohës i mirë i materialit të plastikës.

Inxhinieri tregon se për prodhimin e këtyre maskave kërkohen njohuri të veçanta dhe duhen zbatuar protokolle specifike që ato të jenë funksionale, në mbrojtje nga virusi dhe të pa dëmshme në efekte anësore. E megjithatë, nuk i janë dashur më shumë se 24 orë Agjah Libohovës për t’u paraqitur me një prototip të përshtatshëm.

Kështu ka nisur menjëherë prodhimi në ndërmarrjen “Clear Vu”, ku Libohova është i punësuar. Kjo ndërmarrje prodhon ndriçim LED për sistemin e metrosë në New York, por pronari i saj është shfaqur menjëherë solidar duke ofruar fillimisht prodhim për 2000 maska në ditë, e për të mbërritur, në harkun e një muaji, në një prodhim ditor prej 100 mijë maskash.

Bio e shkurtër e Agjah Libohovës:

Diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Inxhineri Mekanike, ka punuar për rreth 10 vjet në Ndërmarrjen Elektroteknike në Tiranë (NET). Pas qëndrimit 10 vjeçar në Itali, u zhvendos në SHBA ku jeton dhe punon tashmë prej rreth 15 vjetësh. Siç rrëfen edhe vetë në intervistë, ka pasur shancin të punojë në profesion edhe gjatë spostimeve të tij nga njëri shtet në tjetrin. Gjatë gjithë karrierës së tij numëron mbi 60 patenta, për shpikje të ndryshme.

Edhe pse shprehet mirënjohës për dashamirësinë që ka marrë këto ditë nga i gjithë komuniteti shqiptar në amerikë për këtë kontribut të tijin, shprehet i keqardhur që kjo përkon me një periudhë aspak të lumtur historike:

“Më vjen keq që bëhem i njohur në një moment kaq të vështirë për të gjithë botën. Jam fëmijë i një mjeku, kam dashur të bëhem mjek. Do kisha dashur të jepja kontribut si mjek në këtë situatë por shpresoj të kem ndihmuar sado pak edhe si inxhinier”.

New & Trending

Choose a