Jonuz Përnaska ose Shtëpia e Parë e Modës në Shqipëri - Into Albania

Jonuz Përnaska ose Shtëpia e Parë e Modës në Shqipëri

Fillesat e Jonuz Përnaskës

Gucci, në vitet njëzet, në Firence, hidhte themelet e asaj që do të bëhej më vonë një perandori e vërtetë mode. Në po të njëjtat vite, në Tiranë, përballë godinës së parlamentit të sotëm, aty ku dikur ngrihej pallati mbretëror, Jonuz Përnaska, priste e përcillte në sallonin e tij, ndjekës të modës, burra e gra të dhënë pas stilit. Ata i përkisnin familjeve më të pasura dhe në zë të Tiranës, përfshirë këtu edhe artistokracinë shqiptare dhe pjestarët e oborrit mbretëror.

Fotografi historike të familjes Përnaska. Foto nga IntoAlbania.

Stilimet e Jonuz Përnaskës mbështeteshin në materiale të pëzgjedhura, si mëndafsh apo kadife, të cilat ai vetë i përzgjidhte në udhëtimet e posaçme drejt Italisë, aty ku edhe përfaqësonte Shqipërinë, që në vitin 1935, në një ndër panairet më të mëdha italiane të biznesit, “Fiera del Levante”.

Detaj origjinal i fustanit të punuar nga Jonuz Përnaska në vitin 1955. Foto nga IntoAlbania.

Komunizmi si ndalesë e detyruar

Me të drejtë, stërnipi i Jonuzit, Fiordi, ndërsa na shoqëron në sallon duke na shpjeguar etapat kryesore të zhvillimit të këtij brandi, pyet veten sot, çfarë do kish qënë me sallonin, sikur të mos kish qënë komunizmi në Shqipëri, i cili përjashtoi mundësinë e ushtrimit të aktivitetit privat dhe biznesit duke penalizuar rëndë zhvillimin e kësaj shtëpie mode, që pas largimit nga jeta të Jonuzit, u mbajt gjallë, në fshehtësi, nga bashkëshortja e tij, deri në ardhjen e demokracisë.

Fiordi Përnaska, nipi i Jonuz Përnaskës, aktualisht drejtues i markës të familjes.

Por nuk humbet kohë në të thella Fiordi. Ai ka një synim madhor dhe ky është të çojë përpara traditën e familjes duke e ndërthurur atë me fjalën më të fundit të teknologjisë.

Ringritja e emrit

Sot ndoshta ju ka rastisur të dëgjoni për të famshmet kollare të prodhuara në 3D. E pra, ato dhe shumë stilime që i kanë pasuar, janë një realizim i Fiordit, i cili i dha jetë idesë së mikut dhe bashkëpuntorit të tij më të ngushtë, Gerti Strugës.

Koleksioni Vip Tie dhe aksesorë të tjerë prodhuar në 3D. Foto nga IntoAlbania.

Të dy çunat ndodheshin në një event mode në Milano, në 2016-ën, kur Fiordi, nga natyra më i hedhur dhe i prirur për marrëdhëniet me publikun, shkëmben disa batuta me një vajzë, modele ruse, e cila i konsideronte veshjet e meshkujve aspak inovatore, madje të mërzitshme. Për shembull dhe me shaka, modelja krahason kollaren tradicionale të Fiordit, me atë të personazhit të famshëm mbi njëqind vjeçar, dedektivit Sherlok Holmes.

Ishte kjo dorashka e sfidës që Fiordi dhe Gerti nuk e lanë të binte në tokë, por e rrëmbyen në ajër duke e shndërruar këtë copëz të pandryshuar të traditës së stilit mashkullor, në një format krejtësisht teknologjik dhe duke sjellë për herë të parë në Shqipëri, prodhimin në 3D në industrinë e modës.

Në atelienë ONUS Maison. Foto nga IntoAlbania

Sveva sot ka një kollare moderne, nga koleksioni VIP TIE, dhuruar babait të saj, ndërsa Fiordi dhe Gerti çojnë përpara projektin ambicioz të zgjerimit dhe promovimit të brandit ONUS Maison, në nder të së shkuarës nëntëdhjetë vjeçare të emrit që mban e para shtëpi mode në Shqipëri.

New & Trending

Choose a