Kalatë e Jugut - Into Albania

Kalatë e Jugut

Si një truall vendbanimesh antike dhe mesjetare, në Shqipëri gjenden plot kala të vjetra të cilat ja vlen t’i zbulosh së bashku me historinë që ato përcjellin. Si të ishte një itinerar i vetëm, ju mund të eksploroni kalatë e jugut, të cilat janë lehtësisht të aksesueshme nëse gjendeni me pushime në qytetet e Vlorës apo Sarandës.

Kalaja e Kaninës

E ndërtuar në majën e një kodre 379 metra të lartë, Kalaja e Kaninës sundon mbi horizont, dhe ka një panoramë të rrallë të gjirit të Vlorës dhe gjithë qytetit. Kjo kala nisi të zhvillohej si një qendër e banuar dhe e fortifikuar në periudhën helenistike (shek. IV – shek. II para Krishtit), mandej vazhdoi të zhvillohej dhe në periudhën romake. Falë lulëzimit e rindërtimit gjatë mesjetës, kjo kala ja doli deri në shekullin e XVIII në mënyrë gati të pandërprerë të përcillte disa nga etapat kryesore të historisë së Shqipërisë. Kalaja përmendet dhe si një nga vendet ku Skënderbeu festoi dasmën me Donika Arianitin, e cila kishte lindur pikërisht në Kaninë. Vendndodhja: Kaninë, 6 km (4 mi) nga Vlorë. Për hartën kliko këtu.

Kalaja e Kaninës, Vlorë. Foto dhuruar nga Nikol Likja

Kalaja e Himarës

Himara nuk mund të njihet asnjëherë plotësisht nëse nuk vizitohet vendi ku ruhet si askund tjetër kujtesa e saj: Kalaja e Himarës. Me malet Akrokeraune (Vetëtimës) në veri e pamjet spektakolare të detit Jon në jug, kalaja të mundëson një udhëtim sa në histori, aq edhe në natyrën spektakolare të Rivierës Shqiptare. Fortifikimi i qytetit antik që njihej fillimisht me emrin Chimera, mendohet se nis që në shek. VIII para Krishtit, e rimodifikohet me kalimin e shekujve, ku spikat rinovimi gjatë periudhës së Justinianit, gjatë shekullit të VI pas Krishtit. Si qendër e Peshkopatës së Himarës që prej shek. VIII, brenda dhe jashtë mureve të kalasë nisin të ndërtohen disa kisha, një pjesë e të cilave ka mbërritur deri më sot. Më e njohura prej tyre është kisha e Episkopisë (shën Sergit dhe Bakut) që i përket shekullit të XI. Në një nga portat monumentale të kishës vërehet dhe skalitja e një shqiponjë dykrerëshe, që mund të ketë qenë simboli i Kastriotëve ose Muzakajve, që përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIV zotëronin krahinën. Për hartën kliko këtu.

Kalaja e Himarës

Kalaja e Himarës, Burimi: himarriotonsociety.co.uk

Kalaja e Porto Palermos

Nëse kalatë e jugut të Shqipërisë do i krahasonim me xhevahirët e një kurore, Porto Palermo është padyshim diamanti më i bukur e më i shndritshëm. Ndërtuar mbi një ishull që lidhet me bregun përmes një rripi të ngushtë toke të krijuar enkas, kjo kala tërheq vëmendjen për formën trekëndore dhe tre bastionet hijerëndë ne secilën qoshe. Kalaja e sotme u ndërtua në vitin 1814 me kërkesë të Ali Pashë Tepelenës, duke shkatërruar rrënojat e kështjellës së Justinianit. Përballë kalasë ndodhet dhe kisha e Shën Kollit, ndërtuar me detyrim nga gratë himariote. Falë gjëndjes fantastike në të cilën është ruajtur kalaja, si dhe plazhit përrallor të kristaltë që gjendet aty, ky vend është renditur i pari nga Huffington Post si një nga 15 destinacionet për t’u zbuluar në Evropë. Për hartën kliko këtu.

Kalaja Porto Palermo

Kalaja e Porto Palermos, Himarë, © Fation Plaku

Kalaja e Borshit

E pozicionuar mbi një kodër të fshatit Borsh, 500 m mbi nivelin e detit gjendet Kalaja e Borshit, e cila daton që në shek e IV – III p.k. Në mesjetë kjo Kala njihej si Kalaja e Sopotit, ku përmendet dhe në kujtimet e Ana Komnenës, vajzës së Perandorit të Bizantit Aleksi I Komnenai në vitin 1192. Në periudhën e Ali Pashë Tepelenës u ndërtua dhe një xhami, që sot është në gjendje të mirë, paçka se minareja është rrëzuar.

Location: 3 km veriperëndim të Borshit. Për hartën kliko këtu.

Kalaja e Borshit

Xhamia e ndërtuar në periudhën e Ali Pashës në Kalanë e Borshit, Himarë, Burimi: ghirone.livejournal.com

Kalaja e Lëkursit

Nëse do vizitoni Sarandën, duhet patjetër të bëni një ndalesë dhe në Kalanë e Lëkursit. Kjo kala daton që në shekullin e XVI, dhe ka një formë katrore me dy kulla të rrumbullakëta të vendosura në diagonale me njëra-tjetrën. Pozita strategjike në majë të një kodre 287 metra të lartë, panoramat fantastike të detit, Sarandës e ishullit të Korfuzit, e bëjnë këtë vend një nga më të preferuarit e turistëve. Si për ta bërë më komode vizitën e Kalasë së Lëkursit, brenda ambjenteve të Kalasë ndodhet dhe një nga baret e restorantet më të njohura të Sarandës, që ofron shërbime të cilësisë së lartë. Në mbrëmjë, dritat vezëlluese të Sarandës janë vërtet një shfaqje e shkëlqyer që nuk duhet humbur!

Kalaja e Lëkursit, Sarandë. Foto nga: IntoAlbania

Për hartën kliko këtu.

Kalaja Trekëndore e Vivarit

Nëse keni vendosur të vizitoni Parkun Arkeologjik të Butrintit, mos harroni të bëni një vizitë të shpejtë dhe në Kalanë Trekëndore të Vivarit që ndodhet fare pranë hyrjes së parkut. Kalaja ka një formë trekëndëshi ku spikasin kullat e ndërtuara në të tria qoshet, e mendohet të jetë ndërtuar nga anzhuinët që në shekullin e XIII. Përgjatë shekujve ajo është rindërtuar disa herë, përfshirë nga venecianët dhe Ali Pashë Tepelena.
Për hartën kliko këtu.

Kalaja Trekëndore e Vivarit

Kalaja Trekëndore e Vivarit, Sarandë,© Fation Plaku

New & Trending

Choose a