Festat në Korçë - Into Albania

Festat në Korçë

Një ditë e urtë dhe pa vrullin e përditshëmërisë të pret në Korçë. Qyteti i serenatave gjallëron në të katër stinët me një kalendar të plotë eventesh që ushqejnë traditën dhe mbushin orët e lira të turistëve të shumtë. Nga stina e ringjalljes e deri tek ajo e Krishtlindjes qyteti zhurmon nga dritat, serenatat dhe njerëzit e mësuar tanimë me udhëtarë e bujtës që kërkojnë të rimarrin qetësi.

Panairi i pranverës

Kjo festë gjyros Pedonalen e qytetit me ekspozita, tezga tradicionale të prodhimeve të baltës, koncerte për fëmijë e në mbremjë për të rritur dhe muzikë në qiell të hapur për ata që nuk kanë turp të kërcejnë se në Korçë kërcehet, kur dëgjon serenata. Grupe të ndryshme muzikore performojnë në Pedonale gjatë dy javëve të panairit, duke provuar veten para publikut të rastësishëm dhe muzikëdashëve që lëkunden nën ritmet e notave të pentagramit. Nëse shkon në Korçë për këtë panair që zakonisht zhvillohet në fillim të Prillit, mund t’i dhurosh vetes si kujtim një punim interesant poçerie, karakteristikë e artizanëve të zonës.

Panairi i Pranverës në Korçë, Burimi: korca.al

Karnavalet

Karnavalet e Korçës janë me nam. Çdo fund qershori fantazitë e njerëzve të qytetit derdhen mbi kostumet shumëngjyrëshe që satirizojnë të përditshmen e qytetërimit. Trupa interpretuese lokale apo edhe të ardhur nga zonat kufitare parakalojnë në bulevardin kryesor para vizitorëve që bëhen pjesë integrale e kësaj feste të paharrueshme. Karnavalet festohen në Korçë që prej fillim shekullit të kaluar. Megjithëse një festë pagane ato u bënë simbol i manifestimit të maskave butaforike, kitarave të ëmbla dhe veshjeve të larmishme. Organizohen në muajt e verës, dhe këtë vit u mbajtën në qershor.

Karnavalet e Korçës, Burimi: 27.al

Festa e Birrës

Prej 12 vitesh në qytet mblidhen mijëra turistë që të etur shuajnë diellin me birrën e mire të Korçës. Netë të bukura dhe plot ushqime tradicionale në tryezat e drurit shoqerojnë gllënkat e birrës së ftohtë dhe të joshin të vazhdosh deri në mëngjes. Festa bashkon këngëtarë të njohur të muzikës së lehtë shqiptare dhe kuron me kujdes jetën tursitike të vizitorëve.

Festa e Birrës në Korçë, Burimi: korca.al, @ Katt Photography

Festa e Lakrorit

Qyteti është i famshëm për gatimet tradicionale të tij ndër vite. Një prej simboleve të tryezes së korçarëve është lakrori, të cilit i dedikohet festa me të njëjtin emër që mbahet çdo fund korriku. Festa e Lakrorit organizohet çdo vit nga Bashkia Korçë me qëllim gjallërimin e jetës turistike si edhe ruajtjen e traditës së gatimit tradicional. Gjatë ditës së festës amvisat tregojnë për kureshtarët përgatitjen e lakrorit që sigurisht përtypen dhjetëra herë derisa ai të jetë gati për t’u shijuar. E veçanta e lakrorit është se gatuhet mbi zjarr të përgatitur enkas për të, që vendasit e quajnë pjekje në saç.

Festa e Lakrorit në Korçë, Burimi: bashkiakorce.gov.al

Festa e Mollës

Javën e parë të Tetorit mund të bëheni pjesë e Festës së Mollës. Kulturat bujqësore të zonës po kthehen në atraksion turistik gjithashtu, sepse Korça i ka me bollëk prodhimet e mollës shumëngjyrëshe e aromatike. Mollët e mbledhura në ferma të shumta të zonës që dallohen për këtë agrokulturë, krijon një mundësi argëtimi për turistët vendas dhe të huaj. Më shumë i ngjan një panairi ku çdo fermer synon të tërheqë në tezgën e tij modeste sa më shumë blerës që “hanë” me sy mollët e ëmbla ose majhoshe. Nuk mbaron këtu, sepse nga panairi mund të largohesh pasi të kesh blerë si dhuratë për të dashurit e tu një verë molle, reçel, liko apo prevede.

Festa e Mollës në Korçë, Burimi: bashkiakorce.gov.al

 “Ditët e Mios”

Por turistët ushqejnë edhe shpirtin me eventet kulturore të qytetit, i cili shquhet për finesë dhe emra të mëdhenj në historinë e artit shqiptar. I tillë është eventi kolonia ndërkombëtare e piktorëve “Ditët e Mios”. Në fund të muajit tetor piktorë nga e gjithë Shqipëria afrohen në qytet për të ndjekur ose marrë pjesë në këtë event që mban emrin e priktorit të madh shqiptar Vangjush Mio. Korça është një hapësirë e kultivuar për artet pamore, që frymëzon të rinjtë që e gëzojnë talentin për të lodruar në kavalet. Në koloni gjatë viteve janë mikpritur edhe piktorë nga vende të ndryshme të botës.

Ditët e Mios, Korçë, Burimi: korca.al

Koko Fest

Dhe në fund, por jo më pak i rëndësishëm është Koko Fest.  Çdo shtator në qytet zhvillohet Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë ”KoKo Fest”. Protagonistë janë artistët trupave teatrore nga mbarë trevat shqipfolëse të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Festivali i Komedisë mbahet në teatrin “Andon Zako Çajupi” dhe është rasti ideal për t’ja kushtuar ditët e pushimit në Korçë skenës së teatrit.

Koko Fest në Korçë, Burimi: korca.al

New & Trending

Choose a