Laguna e Nartës - Shtëpia e Flamingove Lozonjare dhe jo Vetëm - Into Albania

Laguna e Nartës – Shtëpia e Flamingove Lozonjare dhe jo Vetëm

Laguna “Vjosë – Nartë” është padyshim një prej zonave më të bukura përgjatë bregdetit Shqiptar të Adriatikut. Në të ndërthuret një larmishmëri e gjerë habitatesh me një diversitet të lartë biologjik.

Vjosë-Nartë është një zonë e mirënjohur për florën e veçantë dhe larminë e habitateve. Të gjitha këto lloje përbëjnë një tipar të rëndësishëm kombëtar me vlera të veçanta ekonomike dhe shkencore.

Flamingot në Lagunën e Vjosë-Nartë. Foto nga PPNEA

Shoqata e Rujatjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), konfirmon edhe njëherë rëndësinë jashtëzakonshme të Vjosë-Nartës si zonë kyçe e biodiversitetit për shpendët folezues dhe riprodhues.

”Rezultatet tregojnë se Vjosë-Narta është vendi me popullatën më të madhe folezuese të sqepbizës (Recurvirostra avosetta) dhe dallëndyshes së detit ballëbardhë (Sternula albifrons) në Shqipëri. Lidhur me popullatën folezuese të sqepbizës,  ajo përfaqëson deri në gati 1% të popullatës evropiane folezuese të këtij lloji.

Përveç kësaj, kjo zonë përfaqëson vendin e parë ku flamingo (Phoenicopterus roseus) ka tentuar që prej disa vitesh të krijojë një koloni dhe ku rreth 2000 individë të këtij lloji hasen rregullisht përgjatë gjithë vitit. Për më tepër, askund në Shqipëri, deri më tani, nuk është raportuar një popullatë kaq e madhe e folezimit të drenjës së madhe qafëzezë (Melanocorypha calandra). Edhe pse zona është shumë e rëndësishme për shpendët folezues, rëndësia e saj kryesore shfaqet përgjatë shtegtimit, ku një numër prej 10647 shpendësh ujorë janë numëruar në një ditë të vetme në javën e parë të majit dhe vetëm në kripore. Për më tepër, Vjosë-Narta përfaqëson gjithashtu një habitat të rëndësishëm apo zonë ndalimi për shpendët shtegtues kalimtarë,’’ shprehen specialistët nga PPNEA.

Vjosë-Narta është gjithashtu një zonë me rëndësi ndërkombëtare, si “Ligatinë me Rëndësi Ndërkombëtare” sipas Konventës “Ramsar” që Shqipëria ka ratifikuar.

Pavarësisht nga rëndësia e saj dhe njohja kombëtare dhe ndërkombëtare si një zonë e mbrojtur, mbetet një nga më të kërcënuarat në Shqipëri. Sipas ekspertëve të PPNEA-s, planet për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, përbën një nga kërcënimet kryesore për këtë zonë.

New & Trending

Choose a