Mbrojtja e Bregdetit nga Plastika, më shumë Dashuri për Jetën Nënujore, Zogjtë dhe Natyrën - Into Albania

Mbrojtja e Bregdetit nga Plastika, më shumë Dashuri për Jetën Nënujore, Zogjtë dhe Natyrën

Nëse të gjithë ne, turistë, qytetarë, banorë të zonave përreth, përfshirë edhe biznese do të tregojmë ndjeshmëri ndaj botës nënujore plani i parë nis me sensibilizimin për mos keqpërdorimin e plastikës apo shmangien e saj çdo ditë në rutinën tonë.

Ana Brahaj

Bukuria e brigjeve të Adriatikut dhe Jonit është padyshim ndër perlat më tërheqëse turistike. Plazhet shkëmbore e ranore përfshihen nga ujërat më fantastike blu që deti mund të ofrojë.

Mijëra turistë lokalë, nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës presin çdo sezon  veror për të shijuar pushimet ideale aty. Por nga pakujdesia, mungesa e politikave mrojtëse dhe ndoshta egoizimi njerëzor, ujërat e Adriatikut dhe Jonit, si pjesa më e veçantë e Mesdheut vuajnë pasojat e ndotjes plastike. 

Bregdeti me biodiversitetin e tij, gjallesat nënujore dhe shpendët e kafshët që ushqehen në të, janë pjesë e jetës në tokë ashtu siç jemi edhe ne. Aspekti i ndotjes nga plastika është i gjerë në dëmet që shkakton – me një efekt negativ gjithpërfshirës që nis me jetën nënujore, natyrën e që përfundon pa asnjë kursim në shëndetin e njeriut.

Dhe për të shijuar vlerat e vërteta të këtij bregdeti duhet që të gjithë të bëjmë më shumë. Ndoshta shumë më shumë, duke u kujdesur për pastërtinë e tij ashtu si dhe jetën e gjallëruar që rritet në të duke mos ndotur më.

Me shumë dashuri për jetën

nënujore, zogjtë dhe natyrën

Bota nënujore është po aq e gjallë dhe me jetë ashtu si në sipërfaqen e tokës ku ne jetojmë. Mbetjet plastike po dëmtojnë biodiversitetin mesdhetar përfshirë Adriatikun dhe Jonin e Shqipërisë. Efekti është afatgjatë për ne dhe gjeneratat e ardhshme. Nga bregdeti ndotja shkarkohet në oqeane dhe dëmet masivizohen duke prekur një gamë të gjerë të habitatit ujor dhe natyror. Ndotja plastike vret kafshët e egra ujore, dëmton sistemet natyrore dhe kontaminon zinxhirët ushqimorë detarë.

Çdo vit, njerëzit që jetojnë në rajonin e Mesdheut po gëlltisin gjithnjë e më shumë plastikë nga ushqimi dhe pijet, e megjithatë efektet e plota mbeten ende të panjohura. Sot globalisht, mbi 700 specie detare, duke përfshirë gjitarët e detit dhe zogjtë, ndikohen nga plastika nëpërmjet gëlltitjes ose degradimit të habitatit.  

Rastet e skeletëve të shpendëve të gjetura pranë brigjeve të mbushura me mbetje plastike janë tragjike po aq edhe tronditëse për të kujtuar arsyet e “vrasjes” së tyre. Në Mesdhe, përfshirë Adriatikun dhe Jonin ndotja plastike dhe peshkimi fantazmë shkaktojnë lëndimin ose vrasjen e zogjve të detit (35 për qind), peshqve (27 për qind), jovertebrorëve (20 për qind), gjitarëve detarë (13 për qind) dhe zvarranikëve (5 për qind).

Koha për mbrojtjen nga mbetjet plastike

Fushata të ndryshme sensibilizmi ndërmerren herë pas here për pastrimin e brigjeve të brendetit nga plastika. Nxënës shkollash, studentë, aktivistë civilë apo grupe të ndryshme të shoqërisë kanë përqafuar nisma për të mbrojtur bregdetin nga mbetjet plastike por megjithatë efekti shqetësues mbetet ende.  

Nëse të gjithë ne, turistë, qytetarë, banorë të zonave përreth, përfshirë edhe biznese do të tregojmë ndjeshmëri ndaj botës nënujore dhe pafundësisë që ajo ofron plani i parë nis me sensibilizimin për mos keqpërdorimin e plastikës apo shmangien e saj çdo ditë në rutinën tonë – për të kontribuar në më shumë jetëgjatësi. Në fund të fundit përfituesit më të mëdhenj nga ky kujdes sërisht jemi vet ne njerëzit.   

  “Ky artikull është shkruar në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit mbi shmangien e përdorimit të qeseve plastike, mbeshtetur nga UNICEF dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Pikëpamjet e shprehura në artikull nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të UNICEF apo Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit”.

New & Trending

Choose a