Mes Majave dhe Liqeneve - 6 Sugjerime nga Aventurieri i Udhëtimeve Afrim Tahiraj - Into Albania

Mes Majave dhe Liqeneve – 6 Sugjerime nga Aventurieri i Udhëtimeve Afrim Tahiraj

Për ata që kanë shpirtin e aventurës dhe për ata që pushimet ideale i kanë në mal, blogeri i udhëtimeve, Afrim Tahiraj ka një listë të veçantë që do ju bëjë të eksploroni Shqipërinë.

Afrimi prej mëse dy vitesh i është përkushtuar pasionit të tij për të sjell më afër destinacione të njohura apo jo të Shqipërisë. Me aparatin e tij janë fiksuar shumë perla të Shqipërisë. Pavarësisht se inxhinier ndërtimi me profesion, fundjavën ai ja dedikon pasionit të tij për të eksploruar Shqipërinë. Dhe pikërisht tek natyra ai gjen mënyrën për të rimarrë veten pas një jave pune dhe për të nisur javën pasardhëse me më shumë energji. Për të, natyra është shtëpia e përbashkët, të cilën duhet ta duam dhe ta eksplorojmë.

Si një bloger i turizmit për lexuesit e IntoAlbania, Afrimi ka zgjedhur 6 destinacionet që këtë vit ja vlen të vizitohen.

Shtegu i ngjyrave, Kukës, Foto Afrim Tahiraj

1.Liqeni i Dushkut

I pozicionuar në afërsi të fshatit Lenie, 25 km nga qyteti i Gramshit është një ndër perlat natyrore që ia vlen të vizitohet. Zambakët e ujit janë xhevahiri i këtij liqeni, sipas Afrimit stina më e mirë për ta vizituar është pranvera. Ky destinacion është i aksesueshme si me ecje ashtu dhe me fuoristrada.

2. Vaskat Selcë, Shkodër

Shtrihen përgjatë kanionit të Greçës , buzë shtegut që të ngjit te një destinacion po aq i mrekullueshëm, ujëvara e Selcës. Selca është fshati i bukurive të fshehur dhe fsheh bukuri të shumta jo vetëm natyrore. kjo zonë fsheh shumë shpella për t’u eksploruar, shtigje malore interesante, peizazhe shumë të bukura për t’u fotografuar. Një vizitë tek ujëvara e Selcës është një mënyrë e mirë për t’u freskuar në këto ditë që po na dhurojnë temperatura të larta.

Vaskat e Selcës, Shkodër. Foto Afrim Tahiraj

3. Maja e Murgës, Pukë

Në një lartësi prej 600 m, ju duhet vetëm 1orë  e gjysëm ngjitje nga fshati Buzhalë dhe ky destinacion të ofron një nga panoramat më spektakolare të liqenit të Komanit.

4. Ujëvara e Bogovës, Skrapar

E ndodhur në parkun kombëtar të Tomorit, në fshatin e Bogovës është një xhevahir që nuk duhet humbur. Guximtarët mund të lahen dhe pse temperaturat janë shumë të ulëta. Për shkak se furnizohet me ujë burimi ajo mund të vizitohet në çdo muaj, pasi ka prurje konstante. E arritshme për 1 orë në këmbë me nisje nga Bogova, ose 15 minuta ecje me fuoristradë.

Ujëvara e Bogovës, Skrapar. Foto Afrim Tahiraj

5. Maja e Boçanit, Bogë

E pozicionuar midis Bogës dhe Razmës të ofron një ndër panoramat më spektakolare të këtyre dy fshatrave. E arritshme për 3 orë e gjysëm ecje në këmbë nga fshati Razëm.

Maja e Boçanit, Bogë. Foto Afrim Tahiraj

6. Shtegu i Ngjyrave ( Kalimi Shishtavec-Çajë, Kukës)

Një nga destinacionet më të vizituara të kësaj vere dhe një ndër shtigjet më të preferuara të Afrimit. I vizitueshëm dhe gjatë stinës më të nxehtë për shkak të klimës alpine dhe temperaturave të përshtatshme, ofron një nga eksperiencat me unike në bjeshkët e Shqipërisë. Aty mendohet se shtrihen kullotat më të mëdha alpine në Evropë dhe pamja e lëndinave të pafundme, luleve shumëngjyrëshe dhe Korabi në sfond janë një eksperience që nuk duhet humbur.

New & Trending

Choose a