Mësoni Recetat Tradicionale Shkodrane - Into Albania

Mësoni Recetat Tradicionale Shkodrane

Siç thotë dhe kënga, “Shkodra ka plot dashuri!” Në të mund të shijosh, jo vetëm natyrën e bukur, por edhe historinë, kulturën, rrugicat karakteristike, si dhe artin e gatimit, që përcillet me aq finesë .

Më poshtë po ju tregojmë disa gatime tradicionale të trashëguara ndër vite të cilat mund t’i gjeni në restorantet ose pastiçeritë e qytetit.

Tavë Krapi

Të vish në Shkodër dhe të mos provosh Tavën e Krapit, atëherë nuk mund të quhet e plotë vizita juaj në këtë vend. Tava e krapit thuhet se zanafillën e ka që në krijimin e pazarit të madh, ku kuzhinierët e pazarit merreshin me përpunimin e peshkut të liqenit dhe e përgatisnin për tregtarët e asaj kohe.

Tavë Krapi. Burimi AgroWeb

Ja një mënyrë si përgatitet tava.

Krapi pasi qërohet nga luspat dhe lahet mirë ndahet në feta 2-3 cm trashësi. Vihet në tepsi, i hidhet uthull rrushi dhe futet në furrë të piqet pak, sa krapi të mblidhet. Në tigan përziejmë qepën dhe hudhrat derisa të marrin ngjyrë të kuqerremtë. Hedhim domatet, të cilave u kemi hequr lëkurën, pasi janë zbutur të gjitha i hedhim salcë shtëpie, kumbulla të thata, pistil, gjethe dafine, kripë piper dhe pak sheqer. Masën e përgatitur ja hedhim sipër krapit, i shtojmë pak ujë dhe uthull dhe e fusim të piqet në 150 gradë derisa tava të shteroj dhe peshku të jetë pjekur mirë nga të dyja anët.

Jahni Shkodre me Kumbulla të Thata

Jahnia me kumbulla të thata vazhdon të ngelet si një nga pjatat kryesore të tryezës shkodrane. Amvisat e këtij qyteti theksojnë se sot e kësaj dite ky gatim i nderon për çdo sebep që mund të kenë.

Jahni me kumbulla të thata. Burimi AgroWeb

Mishi i viçit, ose i lopës ndahet në thela dhe përzihet mirë e mirë bashkë me qepën, pasi janë zbutur hidhën hudhrat. Pastaj shtohen salca e shtëpisë dhe 12-15 kumbulla të thata. Masa përzihet derisa zbuten të gjitha sëbashku. I hidhet kripë, piper, gjethe dafine, majdanoz, pak sheqer dhe uthull të fortë rrushi. Që jahnia të dalë sa më e mirë duhet shtuar ujë nga pak dhe të zihet në zjarr të avashtë për disa orë.

Lakuriq me kunguj

Gatimi i tretë që ju sugjerojmë është “lakuriq me kunguj.” Quhet kështu pasi nuk ka peta poshtë as sipër dhe është një recetë shumë e pëlqyer nga të gjitha moshat pasi nuk është as e ëmbël , as e kripur dhe tepër i lehtë. Kungujt e qëruar grihen në rende, u hidhet vezë, gjalpë, pak kripë dhe sheqer dhe i shtohet miell derisa të dali një masë homogjene dhe një brum i hollë si i petullave. Futet në furrë në 200 grade celsius dhe është gati për konsumim.

Tespixhe

Ndër ëmbëlsirat ju rekomandojmë tespixhen. Pastiçeritë apo restorantet tradicionale e radhisin si një nga ëmbëlsirat më të pëlqyera edhe për të huajt. Në një tenxhere vlohet 1 litër ujë. Pasi të ketë vluar uji e heqim nga zjarri dhe hedhim gjalpin e shkrirë ose 2 gota vaj. Pastaj i hedhim miellin e grurit, të cilin e përziejmë me 1 grusht miell misri dhe sodë buke. Brumi punohet derisa të bëhet një masë homogjene dhe shtrohet në tepsi. Pritet në forma sipas dëshirës dhe futet në furrë në 200 grade. Pasi hiqet nga furra i hidhet shërbeti i ftohtë.

Tespixhe. Foto nga IntoAlbania

Haxhimakulle

Kjo ëmbëlsirë e parezistueshme, e shkrifët dhe e butë mahnit jo vetëm adhuruesit e ëmbëlsirave, por këdo që e provon. Të verdhat e vezëve rrihen me sheqerin dhe gjalpin derisa bëhet një masë e njëtrajtshme. Më pas shtohet mielli dhe sodë buke dhe rrifen fort. I gjithë sekreti është që brumi të punohet sa më fort për rreth një orë. Kur brumi të jetë gati ndahet në topa të vegjël dhe vihen në tepsi. Me bishtin e një luge u bëhet një vrimë në mes dhe vendosim bajame ose lajthi. E lëmë të piqet në furrë në 180 grade. Pasi janë pjekur dhe janë ftohur u hidhet shërbet i nxehtë.

Haxhimakulle. Burimi Agroweb

Nga: Albana Kraja

New & Trending

Choose a