Natyra përreth Shkodrës - Into Albania

Natyra përreth Shkodrës

Nëse plani i vetëm i kësaj fundjave është të flesh gjumë, bëhu gati të shkundesh dhe të vihesh në lëvizje, se kemi disa sugjerime për ty. Me tre lumenj që ndërthuren njëri me tjetrin, liqenin më të madh në Ballkan, dhe disa nga zonat malore më të njohura të vendit, aktivitetet në natyrë në Shkodër janë vërtet të shumta e do të ishte mëkat të qëndroje indiferent ndaj tyre.

Ecje përgjatë Liqenit dhe lumenjve

Fillojmë me aktivitetin që mund të jetë më i lehti për t’u realizuar në praktikë, ecjen apo ngjitjen e thjeshtë. Vendi i takimit të lumenjve Buna, Kir dhe Drin rrëzë Kalasë së Shkodrës, mund të shërbejë fare mirë si pikënisje e udhëtimit tënd. Secili prej këtyre lumenjve shoqërohet nga peizazhe të mrekullueshme të natyrës. Duke ndjekur burimin e Bunës, do të gjendeni shumë shpejt përballë Liqenit të Shkodrës, që është sa madhështor aq edhe intim, i populluar nga shpendë të shumëllojshëm. Një shëtitje përgjatë Shirokës dhe Zogajt është një rigjenerim i vërtetë i shpirtit dhe mendjes.

Ndërkohë duke ndjekur burimin e Drinit apo lumit Kir, do të kesh shansin të vizitosh dhe disa nga monumentet më të njohura historike e kulturore, si Xhaminë e Plumbit (pranë pikëtakimit të dy lumenjve poshtë Kalasë) apo Urën e Mesit (duke ndjekur burimin e lumit Kir). Natyra përgjatë lumenjve shoqërohet shpesh nga një qetësi absolute, ndaj lëre veten të lirë në zbulim të gjithçkaje të bukur që të ofrohet.

Liqeni i Shkodrës

Liqeni i Shkodrës, foto nga IntoAlbania

Kalaja e Shkodrës

Askund më mirë se sa në majë të saj nuk do mund të shijosh më mirë panoramën e lumenjve, liqenit, maleve, e natyrës së pasur të qytetit verior. Një ngjitje në Kala është alternativa më e mirë për të mbajtur trupin në formë dhe për të shijuar paralelisht historinë dhe natyrën e mrekullueshme të Shkodrës. Është dhe një burim inspirimi për të vizituar më nga afër shumë nga bukuritë natyrore që mund të shihen prej andej. (Për më tepër lexo artikullin tonë duke klikuar këtu)

Kalaja e Shkodrës

Muret rrethuese në Kalanë e Shkodrës, foto nga IntoAlbania

Kalaja e Drishtit

Rrënojat e Kalasë që u ngrit në periudhën romake e u rindërtua përgjatë shekujve ndodhen 12 km larg qytetit. Përgjatë rrugës mund të bësh disa ndalesa e të shikosh disa nga monumentet e përmendura më herët si për shembull Urën e Mesit. Kalaja ka një pozicion strategjik, prej nga mund të kundrosh Luginën e mrekullueshme të Kirit, Malet e Shpalit, Taraboshin, Liqenin e Shkodrës apo Kalanë Rozafa. E këshillueshme për t’u vizituar me biçikletë. (Për një tur të mundshëm kliko kiriadventures.al)

Mur rrethues në Kalanë e Drishtit, Shkodër, foto nga IntoAlbania

Qyteti i biçikletave

Shkodra është qyteti shqiptar që më shumë se të tjerët njëhsohet dhe me biçikletat, ndaj mos hezito të marrësh një me qera e të vizitosh disa nga atraksionet e sipërpërmendura, apo edhe të eksplorosh shtigje të tjera. Për të parë disa nga itineraret me biçikleta që mund të ndjekësh kliko këtu. Mos harro dhe të vizitosh faqen e facebook të EKOMendje, e të bëhesh pjesë e tureve në natyrë me biçikleta, ku nuk mungon socializimi dhe argëtimi kreativ.

Adresa të tjera online ku mund të konsultosh biçikletat me qera: KiriAdventures, Biçikleta me qera.

Qyteti i biçikletave

Qyteti i biçikletave, Pedonalja e Shkodrës, foto nga IntoAlbania

Velipoja

Bregdeti i Velipojës nuk ka nevojë për shumë publicitet. I njohur për rërën e pastër me veti kuruese dhe ditët e ngrohta që zgjatin për muaj me radhë, plazhi i Velipojës është vendpushimi i duhur për ata që duan të shijojnë plotësisht diellin dhe detin. Vetëm dy kilometra më në lindje gjendet dhe Laguna e Vilunit me mbi 200 llojet e shpendëve që popullojnë gjithë zonën, që ofron kartolina natyrore vërtet mbresëlënëse.

Velipoja

Plazhi i Velipojës, Shkodër, Burimi: kultplus.com

Shëtitje me varkë në Liqenin e Komanit

Më pak se dy orë larg Shkodrës, në Liqenin e Komanit, mund të realizosh një udhëtim spektakolar me traget mespërmes maleve e luginave që vazhdojnë për një gjatësi prej rreth 35 kilometrash. Tragetet moderne ofrojnë të gjitha kushtet për ta shijuar maksimalisht udhëtimin, dhe përgjatë muajve të ngrohtë realizohen dhe festa mbi varkë, ku nën muzikën elektronike, tekno apo house, mund të jetosh maksimalisht të gjithë eksperiencën e atij vendi magjik. Për të konsultuar më mirë ofertat dhe mundësitë e shëtitjes kliko faqen zyrtare: KomaniLakeFerry.

Liqeni i Komanit, Shkodër, Burimi: lilistravelplans.com

Ngjitje në Theth

Për ata që kanë një përgatitje më të mirë fizike dhe janë të mësuar me ngjitje impenjative, hiking/trekking nga Shkodra në Theth është një nga përvojat më fantastike që mund të keni. Jo vetëm për t’u njohur me natyrën e egër dhe të virgjër shqiptare, por edhe me vendasit mikëpritës të zonës, që hapin dyert e bujtinave të tyre të ngrohta e tradicionale. Nëse do të dish më tepër mbi turet e specializuara që ofrohen për hiking apo trekking në Theth e Shkodër kliko: OutdoorsAlbaniakiriadventures.al.

Ngjitje në Theth

Theth, Shkodër, foto nga Intoalbania

Për t’u përmendur gjithashtu:

Liqeni i Vaut të Dejës

Grykat e ngushta të maleve ku kalon liqeni, apo pyjet e dendura që shoqërojnë udhëtimin me traget në liqen, e bëjnë lundrimin këtu një eksperiencë vërtet unike. Si qershi mbi tortë është ishulli Sarda, i pozicionuar në mes të liqenit e ku ndodhen disa rrënoja mesjetare. Distanca nga Shkodra: 23 km.

Liqeni i Vaut të Dejës

Liqeni i Vaut të Dejës, Shkodër,Burimi: discoveringalbania.com

Fshati Prekal

Duke ndjekur rrugën Shkodër – Prekal, do gjendesh në fshatin me të njëjtin emër, që të fton me natyrën spektakolare, me ngjyrën e kaltër të Kirit që kalon aty pranë, si dhe me Shpellën e Zhylës, 104 metra të gjatë. Kjo e fundit është e përbërë nga disa galeri që lidhen me njëra tjetrën dhe ndodhet në një gjendje mjaft të mirë për t’u vizituar nga turistët.

Fshati Prekal

Fshati Prekal, Shkodër, Burimi: trip-suggest.com Tomas K☼h☼

New & Trending

Choose a