Nga Maqedonia në Shqipëri - Rreth 2 Liqeneve për 2 Ditë me Dyrrotake e 2 Shokë - Into Albania

Nga Maqedonia në Shqipëri – Rreth 2 Liqeneve për 2 Ditë me Dyrrotake e 2 Shokë

Përjetimi i një udhëtimi të organizuar plot bukuri, kulturë e aventurë nga Struga e Maqedonisë në disa qyete, fshate, liqene e male të Shqipërisë.

ShBE Shkupi dhe KAB Struga nxisin dashurinë ndaj natyrës dhe bukurive të saja nëpërmjet ecjeve në bjeshkë e male apo edhe udhëtime me biçikleta. Në një udhëtim të tillë sfidues u nisa bashkë me miqtë, fillimisht nga Struga drejt Pogradecit për një nga udhetimet më të bukura të këtj gushti.

Nga udhëtimi rreth dy liqeneve me biçikletë, foto nga Fitim Hoxha

Pjesa I – Nga Pogradeci në Parkun Kombëtar të Prespës

Mendimet për atë që do të shohim dhe freskia e udhëtimit përskaj liqenit të Ohrit na i bënë këto 40 km shumë të lehta. Pasi kaluam plazhin e populluar të Pogradecit, lame pas qytetin dhe fshatin Gështenjas duke hypur në kodrën e rradhës. Vazhduam nëpërmjet Leshnicës dhe Çërravës për të kaluar në një fushë pjellore e cila ujitej nga rezervuari i Pretushës e që dukej si një liqen artificial. Aty pamë një tufë dhensh duke e shuajtur etjen e gushtit në atë rezervuar uji.

Ishulli i Maligraditi, foto nga Fitim Hoxha

Në f.Gurbardhë, u ndalëm në një shitore për të shuar etjen e oreksin e më pas vazhdua drejt fshatit Zvezdë, i cili na drejtoi në një rrugë gjarpërore e të pjerrët për nga ana e Prespës. Ishte mundimi i fundit drejt maleve të Parkut Kombëtar të Prespës, me një lartësi mbidetare prej 1076 m. Kur para nesh u shfaq kaltërsia e liqenit të Prespës dhe ishulli i Maligradit, krejt lodhja e vozitjes 6 orëshe sikur u zhduk. Duke na qeshur fytyrat, gjetëm vend për t’u ndalur dhe dokumentuar këtë pamje mbresëlënëse.

Kisha pranë Ishullit të Maligradit, foto nga Fitim Hoxha

Pjesa II – Liqenas, Zaroshkë dhe ishulli Maligrad

Pas pak arritëm në Lajthizë, e më tej, duke kaluar përreth shumë gomerëve, arritëm në Liqenas (ose Pustec siç i thonë vendasit në gjuhën e tyre maqedonase), saktësisht pas 90 km. Disa mbishkrime dygjuhësore të Komunës, spitalit dhe emërtimit të rrugëve na kujtuan se këtu jetojnë minoritarët. U drejtuam drejt Zaroshkës e plaxhit të saj, ku një tabelë na thoshte se aty ka hotel. Fillimisht, zonja e “hotelit” nuk deshi të na pranojë sepse, sipas saj, hoteli nuk i kishte kushtet për ne, pasi nuk kishte kondicioner apo televizor. Pas një buzëqeshje nga ne dhe shpjegim se ne jemi bjeshkatarë e na nevojitet vetëm pastërti, u kuptuam.

Pak më vonë, Ljubeja, një djalosh që punonte në Komunë, e në kohën tjetër për të fituar më tepër, shëtiste turistët e rrallë me varka, na dërgoi deri në ishullin Maligrad. Horizonti i bukur i liqenit dhe maleve përreth thjesht na magjepsën. Një javë më herët, aty në ishull te Kisha e Shën Mërisë nga viti 1369, kishte mbajtur një koncert të shkurtër Inva Mula.

Pjesa III – Glloboçen, vendlindja e shkrimtarit të madh Sterjo Spasse

Pasi kaluam natën në Zaroshkë, të nesërmen, u nisëm për në Glloboçen, një nga 9 fshatarat me minoritarë. Pse? Kishim dëshirë të vizitonim shtëpinë e lindjes dhe fëmijërisë së shkrimtarit të madh Sterjo Spasse. Glloboçenasit nuk fshehnin kënaqësinë për vizitën tonë në fshatin e tyre, dhe me kënaqësi na drejtuan tek shtëpia e kërkuar. Atje takuam nipin e shkrimtarit dhe pamë shtëpinë e vjetër e të pabanuar që rrinte vetëm si një monument për një kohë tjetër.

Nga udhëtimi rreth dy liqeneve me biçikletë, foto nga Fitim Hoxha

Pjesa IV – Kthim në Maqedoni

Rrugëtimin e këndshëm e vazhduam duke lënë Shqipërinë pas, të ngarkuar me shumë kujtime. Në Maqedoninë veriore, hymë në f.Stenje për pushim dhe freskim të shkurtër rreth plazhit simpatik. Këtu na priste ngjitja më e madhe në këtë rrugëtim, mali Galiçica, me lartësi në rrugë 1593 m. Aty shijuam pamjet e bukura të liqenit të Prespës. Pishat e larta e të gjelbërta na bënin hije për pushimet tona të shkurta e të shpeshta. Ah, më në fund na doli përpara liqeni i Ohrit, Trpejca dhe Pogradeci nga një perspektivë tjetër, e lartë. Lëvizja e njerëzve edhe parashutistët me ngjyrat e larmishme e kompletonin këtë mozaik ngjyrash mbi liqenin e kaltërt. Vijonte ajo që kurrë nuk e kisha menduar: zbritja me shpejtësi teposhtë me biçikletë, që në disa sekuenca arrinte 50 km/h. E për këtë ja vlente mundi, për këto 30 minuta adrenalinë. Rruga e mbetur deri në Strugë ishte rutinë nëpër plazhet e bukura të Ohrit. Kthimi i bukur i një udhëtimi të paharrueshëm.

Itinerari i udhëtimit:

Strugë (qytet në Maqedonin e Veriut) – Pogradec – f.Çërravë – f.Gurbardhë – f.Zvezdë – Parku Kombëtar Prespë – f.Liqenas – f.Zaroshkë ku edhe kalohet nata, pastaj vazhdohet për f. Glloboçen – f.Stenje (në Maqedoni) – mali Galiçica – f.Trpejca – Ohër – Strugë.

Artikull nga Fitim Hoxha

New & Trending

Choose a