Një Amerikan në Shqipëri - E Solli Dashuria dhe e Mbajti Ushqimi i Mirë dhe Natyra e Bukur Shqiptare - Into Albania

Një Amerikan në Shqipëri – E Solli Dashuria dhe e Mbajti Ushqimi i Mirë dhe Natyra e Bukur Shqiptare

Së fundmi, në IntoAlbania kemi shpërndarë videot simpatike të Ben Washburn, i riu me origjinë amerikane që periudhën e pandemisë po e kalon në Shqipëri dhe me sa duket, edhe po argëtohet shumë. Nëse nuk e keni njohur ende, ky është momenti të prezantoheni me Ben, i cili Shqipërisë i ka pëlqyer aq shumë gjëra, sa e ka zgjedhur si shtëpinë e tij të momentit. Nga ushqimi, tek kultura, zbuloni çfarë e ka sjellë dhe e mban në Tiranë amerikanin më të famshëm të momentit.

Sa kohë ke që jeton në Shqipëri?

U bënë tashmë 7 muaj që jam në Tiranë. Ndërokohë jam duke punuar për një organizatë jo fitimprurëse, që synon të përmirësojë aksesin në sferën e edukimit për të rinjtë në Tanzani dhe Afrikë. Për fat të mirë, pjesën më të madhe të punës sime mund ta zhvilloj edhe në distanë, prandaj jam i lumtur që do të mund të vazhdoj të jetoj në Shqipëri ende për ca kohë.

Si zgjodhe ta vizitosh Shqipërinë?

Në vitin 2016, gjatë studimeve në Universitetin e Oxford-it, u njoha me vajzën që aktualisht është e dashura ime. Ajo është shiptare. Për herë të parë e vizitova Shqipërinë me të, në mars të 2017-ës. Gjatë kësaj vizite të shkurtër, kaluam më shumë kohë në qytetin e saj, Tiranë, por mundëm të vizitonim edhe Beratin, Gjirokastrërn, Thethin dhe Durrësin. E shijova shumë këtë udhëtim të parë dhe jam shumë i lumtur që tashmë pas tre vitesh, jam kthyer për të qëndruar.

Cilin vend të Shqipërisë preferon më shumë?

Edhe pse jetoj në Tiranë, e kam shijuar shumë vizitën në Theth dhe Korçë. Në Theth ndenja vetëm dy ditë por ende e mbaj mend pamjen dhe panoramën e mrekullueshme. U ngjitëm edhe në zonën e Syrit të Kaltër që ishte një eksperiencë e pa harrueshme. Shpresoj të kthehem shpejt atje.

Ndërsa Korçën e kam vizituar 4 herë deri tani. Më pëlqen jeta e natës atje, ashtu sikurse ushqimi, sidomos lakrori. Ndjej sikur ka diçka të veçantë kur del për darkë në një restorant dhe pa e kuptuar përfshihesh duke kënduar serenata korçare. E adhuroj këtë energji atje.

Ushqimi shqiptar i preferuar? 

Të preferuarit e mi janë byreku dhe trileçja. Byreku është një ushqim vërtet unik këtu. E gjej veten duke ngrënë byrek kudo gjatë ditës. Kam provuar thuajse të gjitha shijet e tij dhe mund të them se preferoj atë me qepë dhe domate. Sidoqoftë, varet ku e ble. Më ka ndodhur të ble byrek në vende krejt të rastësishme në Tiranë dhe të jenë të shkëlqyer. Kam provuar edhe t’i gatuaj vetë byrekun dhe trileçen, por nuk u bënë aq të mirë sa ato që ble në Tiranë.

Si shkon me shqipen?

Akoma nuk kam mësuar shumë fjalë. E dashura ime më ka mësuar disa përshëndetje dhe disa i kam mvsuar duke dëgjuar shokvt e mi kur flasin shqip. Më pëlqen muzikaliteti i gjuhës dhe uroj që të përmirësohem si në të kuptuar edhe në të folur. Ndërsa njerëzit këtu janë shumë të duruar dhe miqvsor kur unë mundohem të flas shqip.

Çfarë preferon më shumë nga Shqipëria?

Arsyet përse më pëlqen të jetoj në Shqipëri janë të shumta. Sigurisht, njeriu kërkon gjëra të ndryshme në vendin që zgjedh të jetojë: interesa, oportunitete, transport, etj. Për mua, Tirana ka gjithçka që dua nga një qytet. Kam takuar shumë njerëz të dashur këtu dhe me pëlqen ushqimi dhe kultura. Pastaj, gjithnjë kam dashur të jetoj në një qytet ku çdo vend mbërrihet duke ecur në këmbë.

E imagjinoje që mund të bëheshe kaq i famshëm në Shqipëri?

Videot e mia kanë marrë vëmendje më shumë nga ç’mund të imagjinoja dhe e vlerësoj gjithë mbështetjen që kam marrë. Gjatë izolimit, hapa një profil TikTok dhe nisa të bëja video të shkurtra për vendet dhe gjërat që më pëlqen të bëj në Shqipëri. Pas asaj, vazhdova me të tjera video, në TikTok dhe YouTube, ku mundohesha të mësoja të gatuaja receta tradicionale, të kërceja valle, dhe të mësoja shqip. Gjithashtu m’u duk e lezetshme të tregoja disa nga dallimet kryesore midis kulturës amerikane dhe asaj shqiptare. I kam shijuar hsumë këto video dhe reagimi që kam marrë ka qënë i jashtëzakonshëm. Shumë kërkojnë të më ndihmojnë të mësoj shqip, të më tregojnë vendet e Shqipërisë, etj.

Gjyshërit shqiptarë zakonisht pyesin nipërit e tyre që jetojnë jashtê Shqipërisë, më mirë “këtu”, apo “atje”. Si është për ty Ben, më mirë “këtu” apo “atje”.

Edhe pse jam nga Shtetet e Bashkuara, gjashtë vitet e fundit i kam kaluar më shumë rreth e qark botës se sa në Amerikë. Në këtë moment të jetës sime, mund të them se më ka pëlqyer më shumë të jetoj në vendet e tjera se në SHBA. Deri tani Shqipëria është vendi im i preferuar për të jetuar dhe do të vazhdoj të qëndroj këtu edhe për ca kohë. Megjithatë, mundohem të kthehem në Amerikë një apo dy herë në vit, për të takuar familjen time.

New & Trending

Choose a