Një Tur në Tiranën e Vjetër - Into Albania

Një Tur në Tiranën e Vjetër

Kryeqyteti mbush së shpëjti shekullin e parë të shpalljes si qendër administrative dhe shtetërore, ndërsa historinë e themelimit si qytet e ka të hershme me gjurmë të provuara në dokumente dhe kërkime shkencore. E tek sa toponimi Tirana përmendet për herë të parë në 1418 , si qytet themelohet në vitin 1614, falë disa ndërtimeve të Sulejman Pashë Bargjinit, si furra, xhamia apo hamami. E shkuara e Tiranës sot rrëfëhet përmes disa monumenteve që janë kthyer në simbol të kryeqytetit shqiptar, të cilat po ja u paraqesim si të ishin pjesë e një turi të vetëm.

Kulla e Sahatit

Sheshi kryesor i qytetit dominohet nga një prej objekteve më identifikues, Kulla e Sahatit. Ndërtesa emblematike u ndërtua në vitin 1822. Brenda saj mund të lëvizësh nëpërmjet shkallëve spirale të cilat të çojnë deri në 35 metra lartësi. Objekti është i vizitueshëm në pjesën më të madhe të javës dhe prej ballkonit të saj shijohet një pamje interesante e ansamblit të sheshit qëndror.

The Clock Tower

Kulla e Sahatit dhe Sheshi Skënderbej, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Xhamia e Et’hem Beut

Në një distancë pak metrash ngrihet Xhamia e Et’hem Beut, një ndër të paktat objekte të vjetra të kultit në Tiranë që i rezistoi kohërave. Ndërtimi i themeleve nisi në vitin 1794, e u plotësua tërësisht në vitin 1821 nga Et’hem Beu. Ajo çfarë e bën të vizitueshme është kompleksiteti i arkitekturës së mrekullueshme të saj, muralet e zbukuruara që tregojnë vijimësinë e traditës së kultit. Aktualisht kjo xhami mund të admirohet vetëm nga jashtë për arsye se prej pak kohësh i është nënshtruar restaurimit.

Sheshi Skënderbej, Xhamia e Et’hem Beut dhe Kulla e Sahatit. Foto nga IntoAlbania.

Ura e Tabakëve

Ura e Tabakëve është një gur i çmuar në trashëgiminë kulturore të qytetit. Daton prej shekullit të 17-të. Struktura e saj formohet nga gurët e lidhur bukur me njëri-tjetrin ku dominojnë dy harqe asimetrikë. Pjesa e sipërme e urës është e shtruar me kalldrëm dhe është e kalueshme. Ura ka një lartësi disa metra që ngrihet butë mbi nivelin e rrugës automobilistike. Harqet e urës dhe kalldrëmi I saj e bëjnë zonën ku ajo ndodhet, tepër atraktive. Këtë objekt e gjeni buzë unazës së vogël të Tiranës, në segmentin e “Rrugës së Elbasanit” që kryqëzohet me rrugën pranë sallës së Parlamentit të Shqipërisë.

Ura e Tabakëve, Tirana, foto nga Intoalbania.

Varri i Kapllan Pashës

Duke ndjekur rrethinat e afërta të Pedonales zbuloni disa objekte të tjera që jehojnë trashëgiminë. Varri i Kapllan Pashës, një monument që sot gjendet nën strehën masive të një ndërtimi të kohëve moderne. Ndërtimi përfaqëson klasën e feudalëve të Tiranës dhe ka formë tetëkëndëshe, rrethuar me kolona dhe me shumë gdhendje në trupin e gurtë të monumentit. Mbishkrimet e vjetra thuhet se tregonin për Kapllan Pashën. Monumenti është i hapur dhe pa kupolë mbuluese.

Varri i Kapllan Pashës, foto nga IntoAlbania.

Kalaja e Tiranës

Në krahun jugor të varrit monumental pas hijes së godinave shumëkatëshe gjenden rrënojat e Kalasë së Tiranës. Ndërtuar nga pinjollë të familjes Bargjini, Kalaja daton në fillimin e shekullit të 18-të. Rrënojat që kujtojnë kalanë e qytetit kanë kaluar në duart e familjeve të ndryshme të pasura të Tiranës, çka tregon për klasën e konsoliduar të feudalëve shqiptarë.  Sot mund të vizitoni gjurmët masive të restauruara me kujdes që shtrihen në harmoni të plotë me gjithë arkitekturën moderne të pedonales.

Rrënojat e Kalasë së Tiranës, foto nga IntoAlbania.

Mozaiku i Tiranës

Për të vizituar një gjurmë të shekullit të 3-të të erës sonë duhet të largoheni nga qendra. Në rrugën “Naim Frashëri” ndodhet Mozaiku i Tiranës, zbulimi me moshën më të vjetër për kryeqytetin. Mozaiku mendohet se i përket dyshemesë së një shtëpie tipike të kohërave të hershme. Ngjyrat dhe figurinat në mozaik reflektojnë gjithë fizionomi në e banesave të pellgut të Tiranës që pasuroheshin me shumë dekorime.

Mozaiku i Tiranës, foto nga IntoAlbania.

New & Trending

Choose a