6 Destinacionet Perfekte të Ngjitjeve në Shkëmbinj - Into Albania

6 Destinacionet Perfekte të Ngjitjeve në Shkëmbinj

Shqipëria me pasuritë kulturore, me natyrën e egër, me plazhet përrallore prej kohësh është kthyer në destinacionet ideale për të kaluar disa ditë ndryshe.

Me një kombinim që kap perfeksionin mes terrenit të thyer me male, e plazheve mahnitëse, Shqipëria vitet e fundit po shfrytëzohet shumë edhe për adrenalinën që të dhurojnë sportet ekstreme. Një ndër to është edhe climbing (ngjitja në faqe shkëmbore) i cili prej 10 vitesh po gjen terren zhvillimi dhe interesimi, jo vetëm nga të huaj, por edhe nga shqiptarët. Ashtu siç shprehet për IntoAlbania Elion Çikopano, një ndër promotorët kryesorë të Climbing Albania “Shqipëria është një potencial i madh për zhvillimi e këtij sporti. Me rreth 100 rrugë të ndryshme të ngjitjeve në faqet shkëmbore nga gjashtë vende të Shqipërisë, mund të themi që jemi kthyer në një nga destinacionet ideale të climbing, njësoj si Italia dhe Greqia,” thekson ai.

Ai nuk heziton të na shpjegojë, se çengelat e parë, për të realizuar të tilla ngjitje janë bërë nga të huajt, të cilët të mahnitur nga Shqipëria kanë dashur të zhvillojnë këtë sport. Por, me kalimin e viteve itineraret e tjera janë shtuar dhe janë pajisur edhe me elementet e duhur për të pasur një ngjitje sa më të sigurt. Gjatë këtyre viteve alpinistët më të mirë evropian kanë ardhur në Shqipëri duke i cilësuar zonat shqiptare si ndër më të mira në Ballkan për këtë lloj sporti.

Por cilat janë destinacionet ideale që kanë tërhequr turistë jo vetëm për alpinizëm, por edhe për të parë një Shqipëri tjetër.

Bovilla

Bovilla është ndër destinacionet e cila kohët e fundit ka filluar të frekuentohet shumë për pamjen mbrësëlënëse që të ofron. Prej 10 vitesh në zonën e Bovillës janë realizuar ngjitjet e para në faqet shkëmbore. Vetëm 26 km në veri të Tiranës, ngrihet mbi kanionin dhe rezervuarin e Bovillës dhe të ofron një pamje që iu lë pafjalë. Bovilla është një mundësi e mirë ngjitjeje për të gjithë alpinistët e të gjithë moshave, që nga fillestarët tek më profesionistët.

Brari

Për të gjithë alpinistët, Brari konsiderohet si thembra e Akilit, ndër më të bukurat, por më të vështirat për t’u realizuar. Ky kanion konsiderohet që ka vijën më të vështirë në Ballkan. Alpinistët që merren prej vitesh me këtë sport, e konsiderojnë këtë majë si më të mirën në vend. Dhe është e dukshme pasi vetëm alpinistët profesionistë, mund ta ngjisin.

Petrela

E pozicionuar 15 km larg kryeqytetit, Petrela është destinacioni i tretë i rëndësishëm për alpinizëm në Tiranë. I aksesueshëm për të gjitha grupmoshat, Petrela mund të themi është idealja për të mësuar fazat e parë të climbing.

Gjipe

Një tjetër destinacionet interesant, i cili frekuentohet shumë jo vetëm për alpinizëm, por edhe për plazhin e tij, është Gjipeja. I pozicionuar mes bukurive magjepsëse të natyrës, është ndër plazhet më atraktivë të Rivierës Shqiptare. Gjipeja në verën që lamë pas priti edhe edicionin e pestë të Albanian Climbing Festival, ku morën pjesë shumë alpinistë jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, duke i shtuar hovin kësaj zone edhe në aspektin turistik.

Gjipe, Vlorë. Burimi nga Elion Çikopano

Përmet

Përmeti dallohet për disa pika kryesore ku mund të bëhet alpinizëm. Që nga Guri i Qytetit, tek kanionet e Langaricës e duke kaluar tek malet në afërsi të fshatit Petran. Kanioni i Lengaricës i cili njihet edhe për banjat termale, ka një potencial turistik që nuk anashkalon edhe climbing. Ky kanion me gjatësinë prej 4-5 km dhe lartësinë deri në 150 metra, të mundëson një rrugëtim spektakolar mes shkëmbinjve të krijuar prej miliona vitesh, e lumit kurativ të Lengaricës që rrjedh i paqtë përmes tyre.

Theth

Thethi i pasur me maja shkëmbore të thepisura është një destinacion ideal për ngjitje, por jo i gjithi është i pajisur me çengelat e sigurisë që të ndihmojnë për të tillë alpinizëm. Thethi ka disa itinerare të aksesueshme, por këshillohet të ngjitet vetëm nga profesionistët.

Pamje nga Thethi. Foto nga Matthew Storer

Nëse jeni në kërkim të eksperiencave të tilla unike për alpinizëm, këto destinacione duhet të jenë pjesë e listës tuaj për t’i prekur nga afër.

New & Trending

Choose a