Pak Muzikë Maestro! - Mahmood, Giusy Ferreri dhe Eleni Foureira po vijnë në Festival - Into Albania

Pak Muzikë Maestro! – Mahmood, Giusy Ferreri dhe Eleni Foureira po vijnë në Festival

Festivali i fundvitit në RTSH, historikisht e ka ndarë publikun shqiptar në dy pole. Duket sikur nuk është e thënë që ai t’i lërë ndjekësit indiferentë. Atë o e do, ose jo. Një gjë është e sigurt, i kritikuar shumë ose i lavdëruar pa masë, ai mbetet unik. Për artistët pjesëmarrës, të kënduarit “live”, me një orkestër profesionistësh, element që e dallon këtë festival, mbetet dëshira më e madhe, e pakarahasueshme me të tjera dalje në skenë.

Shumë vende të Europës organizojnë sot festivale dhe konkurse muzikore nga më të larmishmit, por kur bëhet fjalë për jetëgjatësi e traditë, ai në RTSH është i treti në botë për nga vjetërsia.

Ҫdo vit, në këtë periudhë të vitit, në qarqet e artistëve nisin hamendësimet e para rreth emrit fitues. Tashmë, kushdo mund t’i dëgjojë këngët e edicionit të 58-të në Youtube, ndërkohë që një hapësirë e dedikuar versionit “unplugged” të tyre dhe surprizave të tjera që lidhen me Festivalin, vjen çdo ditë në RTSH, në “Aperitifest”, një format që zbulon detaje duke shtuar kureshtjen rreth këtij edicioni.

Alketa Vejsiu dhe Eni Shehu në “Aperifest”. Burimi Web Library.

Pikërisht këtu, Alketa Vejsiu, prezantuese njëherësh organizatore, deklaroi se në koncept, ky festival do të jetë një vazhdim i traditës, por me një frymë moderne. Ajo gjithashtu zbuloi ardhjen e një jurie të huaj në Tiranë, posaçërisht për të ndjekur Festivalin nga afër. Gjithçka na bën të mendojmë që kjo do të jetë edhe “kthesa” moderne që mund të marrë fetsivali dhe këtë vit, për herë të parë, të kemi dy këngë fituese: një për Festivalin Europian të Këngës dhe një për Festivalin tonë kombëtar. Lajmi mbetet për t’u konfirmuar përfundimisht nga organizatorët e festivalit., në netët 19, 20 dhe 22 Dhjetor.

Mahmood, fituesi i edicionit të 69-të të Sanremo-s. Burimi, Web Library.

Një vëmendje të veçantë kanë marrë artistët me famë ndërkombëtare që vijnë për të përshëndetur dhe këtë vit, ka jo një, por tri emra për t’u entuziazmuar: Mahmood, fituesi i fundit i Sanremo-s, Giusy Ferre, fituesja e zemrave të shumicës së shqiptarëve dhe Eleni Foureira, gjaku shqiptar në Qipro që i bëri më shumë jehonë Shqipërisë, se vendit që e përzgjodhi si përfaqësuese në Eurovision një vit më parë.

Giusy Ferreri, burimi Web Library.
Eleni Foureira, burimi, Web Library.

Në pritje për të zbuluar “look-un” që do të ketë skena ku këta emra të mëdhenj ndërkombëtarë, si dhe ata të 20 artistëve në garë do të ngjiten, gjithë sa thamë, mund t’ju ketë bërë që të kërkoni ta shihni nga afër Festivalin e 58-të të Këngës në RTSH dhe ajo që duhet të bëni në këtë rast, është të siguroni një biletë pranë sporteleve të shitjes dhe ne, urojmë të jetë muzikë për veshët tuaj.

New & Trending

Choose a