Pazaret e Vjetra të Shqipërisë - Into Albania

Pazaret e Vjetra të Shqipërisë

Pazari i Korçës

Një shesh rrethor shtruar me kalldrëm gëlon çdo ditë të vitit nga njerëzia. Pazari i vjetër i qytetit bashkon banorët lokalë dhe turistët e shumtë që enden për të shpenzuar orët e kënaqësisë. Është një objekt me vlera historike dhe monumentale sepse është i pari i ndërtuar në Korçë, në formën e një tregu të mirëfilltë rreth viteve të fundit të shekullit të 19-të. I gjithë kompleksi ruan njëtrajtshmërisht ndërtesa dhe urbanistikë në gur, duke i dhënë mundësi të jetojë në kohë dhe estetikisht të jetë i këndshëm për tu vizituar. Pazari i vjetër bashkon tregun e hapur, dyqanet si punishte ose njësi të vogla tregtare dhe hane të këndshme që ruajnë traditën e shërbimeve të hershme korçare. Pazari është vendi më i mirë për të gjetur gjithëfarëlloj suveniresh, nga ato të traditës deri tek prodhimet agrobujqësore të zonës. Dyqanet janë dykatëshe dhe rikonstruksioni i tyre u bë në harmoni me gjithë arkitekturën e sheshit. Hanet e dikurshme sot janë kthyer në lokale interesante të pasuruara me modelime të kohës, që u japin turistëve mundësinë të shijojnë jo vetëm kuzhinat me gatime ndërkombëtare, por edhe muzikën live netëve të vitit.

Pazari i Korçës, foto nga IntoAlbania

Pazari i Krujës

Është një nga zonat më të vjetra të historisë shqiptare. Ndërtimi i pazarit më të bukur dhe tërheqëse të Krujës daton rreth 400 vjet më parë. Aty nisi tregtia e lirë e tregtarëve më nam të Krujës që ofronin nga punishtet e tyre lloj mallrash. Pazari shtrihet në rrugën kryesore që të udhëheq drejt Kalasë së Krujës. E gjithë hapësira është atraksion i veçantë që përmbush më së miri statusin e një zonë jo vetëm tregtare por edhe muzeale. Të duhet një qilim i punuar sipas metodave tradicionale? E gjen në Krujë. Të duhen prodhime bakri të punuara me mjeshtëri nga zejtarët e Krujës? I gjen këtu, në këtë pazar. Pazari është rritur si perimetër me kalimin e shekujve, duke diktuar për shkak të rëndësisë përhapjen e shtëpive dhe strukturave qytetëse rreth tij. Për ju që do të shkoni për herë të parë në Krujë, pasi të lexoni këto rrjeshta, jeni në vendin e duhur për të blerë një suvenir antik, një bizhuteri argjendi, ose punime dore që mbeten për të gjithë jetën.

Kruja's Bazaar

Pazari i Krujës, foto nga IntoAlbania

Pazari i Gjirokastrës

Është një 8 lagjet më të vjetra të Gjirokastrës, që shtrihet si një rreze poshtë mureve të Kalasë. Pazari i vjetër është në rikonstruksion të vazhdueshëm për shkak të vjetërsisë dhe statusit monumental që ka në trashëgiminë kombëtare e botërore të Unesco-s. Pazari në formën që ka sot është ndërtuar reth 500 vjet më parë. Fillesat i ka brenda mureve të kalasë që identifikonin qytetin e Gjirokastrës. Me rritjen e popullsisë familjet u detyruan të dalin jashtë mureve rrethuese të kështjellës së Gjirokastrës duke hedhur themelet e para të konstruksioneve tregtare. Vjetërsia e pazarit të Gjirokastrës përmendet në dokumentat e udhëtarëve të njohur të pas mesjetës. Vendi i quajtur si Qafa e Pazarit është një nga pikat më identifikuese të qytetit të gurtë, që vizitohet çdo vit e më shumë nga mijëra turistë të huaj. Fasadat e shtëpive përreth ofrojnë estetikisht një pamje interesante të ndërtimeve mesjetare, ndërsa dyqanet e shperndara në rrugën e Pazarit ofrojnë shumëllojshmëri objektesh e shërbimesh. Kalldrëmi karakteristik është një nga elementet më të bukur të pazarit që është pasuruar kohët e fundit nga zbulime të ndërtimeve të vjetra nën rrënojat e shtëpive që po restaurohen.

Pazari i Gjirokastrës, foto nga IntoAlbania

New & Trending

Choose a