Ndriçim Guni - Artizani që Trashëgon Traditën Brez pas Brezi - Into Albania

Ndriçim Guni – Artizani që Trashëgon Traditën Brez pas Brezi

Pazari i Krujës është vendi ku shpaloset arti, historia e kultura dhe ta vizitosh atë, do të thotë të takosh traditën artizanale shqiptare. Rrugica e gjatë e këtij pazari është e mbushur me prodhime zejtarie nga qeleshepunuesit, qilimbërësit, qëndistarë e shumë të tjerë, të cilët do t’ju njohin me traditat e vjetra shqiptare të trashëguara brez pas brezi. I tillë është dhe rasti i Ndriçim Gunit, i cili merret me përpunimin e shajakut.

Pazari i Krujës. Foto nga IntoAlbania

Qeleshepunuesit në Krujë ndoshta të paktë në numër, e ruajnë me fanatizëm traditën e të bërit qeleshe apo papuçe (ose ndryshe opinga). Ndriçimi nuk heziton të na thotë se në saj të pasionit dhe dëshirës për të përcjellë këtë traditë, ajo është trashëguar prej gati pesë brezash.

Qeleshepunues Hyseni është punishtja ku prej 23 vitesh ndodhet në këtë pazar dhe mban emrin e babait të Ndriçimit. Së bashku me Ndriçimin, i cili ka zgjedhur të ndjekë hapat e paraardhësve të tij është edhe Ardian Guni, djali i kësaj shtëpie.

Qeleshepunuese Hyseni, në Pazarin e Krujës. Foto nga IntoAlbania

Ndriçimi na shpjegon se procesi i realizimit të një qelesheje apo të një papuçeje kalon në disa faza. Mjetet e punës përveçse janë tradicionale janë dhe shumëvjeçare.

“Që nga pastrimi i leshit apo punimi i tij me mjetet mbi 150 vjeçare, të gjitha realizohen me dorë, pa asnjë lloj makinerie”, shpjegon Ndriçimi. Vizitorët e shumtë mrekullohen nga format e ndryshme të qelesheve, që ruajnë ende traditën e vendin si një pasuri jo vetëm materiale, por edhe kulturore.

Por vështirësitë për t’a mbajtur gjallë këtë traditë janë shumë të mëdha, dhe kanë bërë që këta artizanë të synojnë tregun jashtë. Rreth 80% e prodhimit të qelesheve të familjes Guni, shkojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Duhet theksuar se një problem që të gjithë artizanët e prekin në përditshmërinë e tyre është fakti që ata duhet t’i mbijetojnë tregut edhe nga produktet e importuara nga jashtë.

Pavarësisht vështirësive babë e bir, ditë për ditë i japin frymë kësaj tradite, të veçantë dhe unike.

Punimet artizanale nga familja Guni. Foto nga IntoAlbania
Punimet artizanale nga familja Guni. Foto nga IntoAlbania

New & Trending

Choose a