Petrela me "Fustanellë" - Agroturizmi më i Ri në "Oborrin" e Tiranës - Into Albania

Petrela me “Fustanellë” – Agroturizmi më i Ri në “Oborrin” e Tiranës

Petrelës i është shtuar një gur i çmuar ne zinxhirin e shërbimeve dhe restoracionit. Një “veshje” e re që ia zbukuron edhe më shumë pamjen dhe ia shton shijen një të shtune të kaluar përgjysmë në qytezën e vogël, e pjesërisht në agroturizmin më të ri, vetëm pak kilometra larg qendrës së Petrelës.

Bëhet fjalë për Agriturizmin “Fustanella”. Se sa i mbështesin dhe i shijojnë shqiptarët këto ambiente, duket nga numri i lartë i frekuentuesëve të restorantit të “Fustanellës”, që edhe pse ka vetëm pak muaj që është krijuar, ka arritur të zgjasë ekon e tij përtej fushave dhe kodrinave që e rrethojnë e të mbërrijë në Tiranë e mëtej. Në të dy sallat në dispozicion, familjarë por edhe grupe të rinjsh, i lënë e i zënë vendin njëri-tjetrit sipas rezervimeve të bëra paraprakisht, sepse nëse nuk rezervon, mund të jetë e vështirë të gjesh një vend të lirë.

Burimi: www.facebook.com/fustanella/

Restoranti është i hapur vetëm per vaktin e drekës.  Veç dy a tre mezeve që janë të pandryshueshme (si djathi i njomë apo fasulet pllaqi), e gjithë pjesa tjetër e menusë shndërrohet sipas stinës, muajit e shpesh herë edhe nga dita në ditë.

Për këtë arsye, do të gjeni këtu mënyrën më të veçante dhe origjinale në paraqitjen e menusë. Sapo të uleni, kamarierët do t’ju zgjasin një fletë formati në ngjyrë gruri, ku me shkrim dore, renditen të gjitha pjatat e menusë së momentit, që siç parapëlqejnë ta theksojnë edhe ata të “Fustanellës”, frymëzohet nga “gatime tradicionale të krahinave ku është veshur e vishet fustanella”.

Provuam disa prej tyre dhe pa frikë mund të themi se do të ishte kohë e humbur të mendohesh gjatë për të zgjedhur. Do të mjaftonte të mbyllje sytë dhe të vendosje gishtin diku në letër. Ҫfarëdo të kesh zgjedhur është zgjedhja e duhur. Ҫdo gjë që do të konsumosh është gatim i traditës me ndonjë kthesë moderne, si për shembull makaronat me kërpudha të Pukës, apo kungulli i mbushur me dromca. 

Shërbimi është një tjetër vlerë e këtij vendi. Djem dhe vajza të rinj, të buzëqeshur dhe shumë të sjellshëm, gjithmonë në kohë për të marrë dhe sjellë porisitë. 

Nëse keni arritur të zini një vend në sallën e madhe, e para në hyrjen kryesore të restorantit, oreksi do t’ju shtohet thjesht nga pamja që ju hapet përpara syve. Një fushë shumëngjyreshe nga të mbjellat me zarzavate e pemë të ndryshme që kornizohen nga kodrinat.

Nga dritaret e restorantit. Photo nga IntoAlbania.

Në çdo moment që do të vendosni të provoni “Fustanellën” do të mjaftonte të hynit në profilin Facebook, gjithmonë i përditësuar me oraret, menunë dhe adresën e saktë të vendodhjes, por mund ehde të kontaktoni në numrin: 069 448 4000, apo të ndiqni udhëzimet në hartë sipas adresës: Zaranik, Petrela (283,05 km), përgjatë rrugës së vjetër për në Baldushk, 1034 Tiranë.

New & Trending

Choose a