Plazhet përreth Durrësit - Into Albania

Plazhet përreth Durrësit

Falë rërës së butë e detit të ngrohtë që zgjat nga muaji maj deri në shtator, si dhe aktiviteteve të shumta apo restoranteve që janë të hapura përgjatë gjithë vitit, plazhet e Durrësit janë disa nga më të frekuentuarat në Shqipëri. Afërsia me Tiranën ka ndihmuar gjithashtu që banorët e kryeqytetit të kenë shkëputjen perfekte gjatë fundjavës më pak se një orë larg. Më poshtë po ju paraqesim disa prej plazheve ku mund të pushoni me miqtë apo familjen.

Plazhi i Gjirit të Lalzit

30 km në veri të Durrësit, pas pemëve të larta dhe këngës së gjinkallave fshihet Plazhi i Gjirit të Lalzit, një nga plazhet me standardet më të larta të gjithë bregdetit Adriatik në Shqipëri. Plazhi që shtrihet nga Shën Pjetri deri në drejtim të Rrushkullit, ofron një det fantastik dhe rërë të pastër, me një peizazh ku brezi i pemëve fsheh bukur të gjitha ndërtimet e tjera. Baret dhe restorantet popullohen përgjatë gjithë muajve të ngrohtë, ndërkohë që të shumtë janë ata që anës detit zgjedhin të luajnë volejboll, beach volley, apo të praktikojnë sporte të tjera falë dhe faciliteteve të krijuara.  Për hartën kliko këtu.

Plazhi i Gjirit të Lalzit
Plazhi i Gjirit të Lalzit, Durrës, foto nga IntoAlbania

Kepi i Rodonit

Një nga destinacionet që vitet e fundit ka patur një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve është Kepi i Rodonit, që ndodhet vetëm pak kilometra larg Tiranës. Ky rrip i lartë toke në formë gadishulli shtrihet në detin Adriatik dhe ofron peizazhe tërheqëse si dhe disa monumente historike e kulturore të rëndësisë së veçantë. Nëse gjatë pranverës Kepi nis e vishet i gjithi nga një tapet përrallor lulesh (klikoni këtu për videon), gjatë verës jo të paktë janë ata që e zgjedhin këtë vend për shkak të plazhit të virgjër e rërës së pastër e të imët.

Kepi i Rodonit në Durrës. Foto dhuruar nga Enea Mustafaraj.

Kepi që rrethohet nga faleza të gjalla me lartësi rreth 25 metra, është i njohur dhe për Kalanë e Skënderbeut. Kalaja që gjendet mu në anë të detit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1450 – 1452, në mënyrë që të kishte një dalje më të shpejtë në Adriatik në rastin e një pushtimi Osman. Për artikullin tonë përkatës kliko këtu.

Plazhi i Currilave – Plazhi i Kallmit

Vijnë njëri pas tjetrit, dhe janë dy nga plazhet më të njohura të Durrësit falë dhe afërsisë me qytetin. Mes të dyjave Plazhi i Currilave është më i populluar, ndërsa ai i Kallmit preferohet nga familjet me fëmijë për shkak të cekësisë së ujit si dhe intimitetit.
Për hartën kliko këtu.

Plazhi i Currilave – Plazhi i Kallmit
Plazhi i Currilave – Plazhi i Kallmit, Durrës, Burimi: instagram.com/krisssich/

Shkëmbi i Kavajës – Golem

Këtu fillon vija bregdetare e plazheve të Kavajës, dhe përfshin disa prej plazheve më të frekuentuara për shkak të hapësirës së madhe ranore. Thellësia me gradë të vogël, si dhe prania e shumë hoteleve apo aktiviteteve të shumta argëtuese që ato ofrojnë, bëjnë që kjo zonë të jetë mjaft e preferuar për familjet. Për hartën kliko këtu.

Mali i Robit – Qerret

Është vazhdim i Plazhit të Golemit, dhe njihet për resortet moderne, apo shtëpite e shumta të pushimit që mund të plotësojnë kërkesat sipas portofolit të gjithësecilit. Pishat e shumta i japin një dekor mjaft intim zonës.

Karpen – Spille

Falë plot plazheve të virgjëra, kjo vijë bregdetare është për ata që duan të shijojnë detin dhe rërën në qetësi dhe të shkëputur nga zhurma apo popullimi i zonave të tjera. Nëse jeni në kërkim të një sekreti ende të pazbuluar për turizmin masiv, këtu do të gjeni dhe Gjirin e Carinës apo plazhet e Kepit të Lagjit, me breg ranor tërësisht të paprekur. Për hartën kliko këtu.

Karpen - Spille
Karpen – Spille, Kavajë, foto nga Intoalbania

Plazhi i Gjeneralit

Mes Karpënit dhe Spillesë ndodhet dhe Plazhi i Gjeneralit, që quhet kështu pasi një gjeneral italian i Luftës së Dytë Botërore mendohet se e zbuloi i pari bashkë me familjen e tij. Sot këtu gjenden disa kompekse turistike mjaft moderne, dhe hapësira kampingu. Për hartën kliko këtu.

Për t’u patur në konsideratë

Nëse gjendeni në Spille, mos harroni t’i bëni dhe një vizitë të shpejtë Kalasë së Bashtovës që ndodhet aty pranë, e ndërtuar gjatë shekullit të XV nga venecianët. Për hartën kliko këtu.

New & Trending

Choose a