Qazim Kërtusha - Në studion e ëndrrave të skulptorit të njohur durrsak - Into Albania

Qazim Kërtusha – Në studion e ëndrrave të skulptorit të njohur durrsak

Dera hapet, dhe e gjejmë veten përpara një ëndrre, të populluar nga skulptura shumëformëshe e shumëngjyrëshe, të realizuara nga artisti i mirënjohur durrsak Qazim Kërtusha. Pozicionuar në zemër të Durrësit, mbrapa stacionit të autobusave, kjo studio i ka të gjitha: nudot e së djeshmes, qiellgërvishtësit e së ardhmes, ndjesitë e së sotmes. Aq e mbipopulluar është ajo nga krijimet e Kërtushës përgjatë viteve, e aq eksperimentues ka qënë ai me to, sa studioja kthehet menjëherë në një muze unik ku për fat artisti është aty me ne për të na udhëhequr në njohjen me artin e tij, e për të na inspiruar me krijimet e reja.

Kërtusha në studion e tij, foto nga IntoAlbania.

Influencat

Pasi ndoqi fillimisht kursin e skulpturës në studion e Sabri Tuçit, Kërtusha vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura për skulpturë monumentale, ku pati mundësinë të udhëhiqej nga disa prej emrat më në zë të skulpturës shqiptare, si Kristaq Rama, Muntaz Dhrami, Hektor Dule etj. Për këtë arsye, kur flet për akademitë e jetës së tij, Kërtusha thotë se bashkë me Akademinë e Tiranës, ka bërë njëherazi atë ruse, italiane, çeke etj, siç ishin dhe shkollat prej nga vinin profesorët e akademisë.

Në studion e Kërtushës, foto nga IntoAlbania.

Menjëherë pas mbarimit të studimeve në vitin 1975, nis punën si restaurator në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, që do të rezultojë për të një bekim, pasi i jep mundësinë të kuptojë më në brendësi si krijohen shtresëzimet kulturore. Për plot 37 vite punoi si restaurator pranë muzeut, ku pati shansin të ishte pjesë e zbulimeve arkeologjike si “Gea” e famshme, që sot gjendet në hollin kryesor të Muzeut Arkeologjik.

Punimet

Edhe pse kemi një copë herë që diskutojmë me Qazimin, biem në kurthin e tij për të folur për njerëzit që ai admiron, e jo për të folur për atë vetë. E habitshme se si një artist që ka dhënë aq shumë për qytetin e tij, dhe për të gjithë jetën artistike shqiptare, kërkon në këmbim aq pak vëmendje. Që nga skulpturat e parkut, e deri tek kompozimet e portreteve, skulpturat e Kërtushës që realizohen me një larmi materialesh, i hasni sa në qytetet e Shqipërisë, aq edhe në ato të botës.

Ndër realizimet e para të Kërtushës, foto nga IntoAlbania.

Ndër veprat e tij më të njohura janë padyshim monumenti gati 3 metra në bronx i Aleksandër Moisiut, që u vendos në vitin 2005 në Vienë, apo dhe statujat e famshme në Shqipëri të Presidentit Amerikan Xhorxh Bush në Fushë Krujë, apo statuja e këngëtarit të Bitëllsave, Xhon Lenon, që u bë dhe një nga vendet e preferuara për foto nga turistët në qytetin bregdetar.

Por nëse do të keni rastin të vizitoni studion e Kërtushës, do të njiheni dhe me një sërë veprash të cilat duket sikur ende presin të lartohen për publikun. Një prej tyre është punimi mbi projektin e “Eksodit”, që i ngjan një vale të dalë nga deti e të gdhendur në skulpturë, për të kujtuar të gjithë ata shqiptarë që panë tek deti simbolin e lirisë e shpëtimit drejt një jete më të mirë.

Projekti i “Eksodit”, foto nga IntoAlbania.

Punimi aq serioz të bën të mendosh se vepra do të nisë së shpejti të ndërtohet, por Kërtusha qesh, e na thotë se është thjesht fantazia e tij që nuk ndalet asnjëherë. Që nga skulpturat intime, e deri tek ato me motive kombëtare, të shumta janë projektet që do ju bëjnë të humbisni konceptet e kohës dhe hapësirës ku ndodheni.

Artisti dhe qyteti

Marrëdhënia e Kërtushës me Durrësin është ajo e një dashurie të parikëmbyer. Ndër veprat e para që la shenjë në qytetin e Durrësit, ishte Mozaiku i vendosur në qendër të qytetit, në vitin 1985. I shembur përpara disa vitesh për t’i lënë hapësirë rikonceptimit të sheshit të ri, Kërtusha na flet për betejën e tij të vetmuar për të mbrojtur nga rrënimi atë mozaik, që me 22 metrat katror dhe peshqit e kuq karakteristik, duhej të ruhej mbi të gjitha si pjesë e pandashme e memorjes së qytetit. Në studion e tij gjendet ende sot një fragment nga ai mozaik, të cilin Kërtusha e kish shkëputur me të shpejtë si kujtim, tek sa buldozerët nuk pushonin së shkatërruari të shkuarën.

Në studion e Kërtushës, foto nga IntoAlbania.

Në bisedë e sipër na tregon dhe për krijime të tjera që gjenden në qytet, të cilat një pjesë jo vetëm i ka dhuruar pa marrë asnjë gjë në këmbim, por është po ai që i restauron nëse shkatërrohen nga koha apo për arsye të ndryshme.

Ndërkohë ndalemi në plot realizime të tjera të cilat mbajnë emrin e tij.

Ringritja

Në vitin 1997, kur dukej se gjithçka ishte rrënuar në Shqipërinë e asaj kohe, Kërtusha hapte në Torrën Veneciane ekspozitën me krijimet e tij, si për t’i thënë qytetit se jeta nuk mund të ndalet kurrësesi, e aq më pak arti, që i shërben shoqërisë për të parë të pasqyruar vlerat dhe antivlerat, si busull orientimi për të gjetur veten.

Ishte pikërisht në ato vite, kur Kërtusha gdhendte një nga krijimet e tij më emblematike  të titulluar “Çmenduria e popullit tim”.

“Çmenduria e popullit tim”, foto nga IntoAlbania.

Kjo kokë njeriu të punuar me gëzhojat origjinale të plumbave të asaj periudhe, që binin në formë shiu dhe gati e shpërçudnonin krejt individin, pat entuziasmuar dhe skulptorin e famshëm bashkëkohor italian Arnaldo Pomodoro, i cili i sugjeroi që ta derdhte skulpturën në disa metra, për t’i dhënë akoma më shumë forcë.

E tek sa viti ’97 për fat ngjan shumë i largët, Durrësi vetëm përpara pak javësh përjetoi një nga momentet më të errëta të historisë mijëravjeçare, ku tërmeti që shkundi tokën ka lënë pas një plagë të hapur, që do të dojë shumë kohë të shërohet. Është në ditë të tilla, kur artistët na rikujtojnë se janë një nga themelet shpirtërorë të qytetit, prej nga rindërtimi duket më i mundshëm. E tillë ështe dhe studioja e mbi të gjitha arti i Kërtushës, një nga ato vendet ku shpirti duket se rigjen shpresën.

Kërtusha në studion e tij, foto nga IntoAlbania.

New & Trending

Choose a