Qëndistaria – Tradita e Vjetër Shqiptare që Ruhet me Pasion nga Vjollca Dallaku - Into Albania

Qëndistaria – Tradita e Vjetër Shqiptare që Ruhet me Pasion nga Vjollca Dallaku

Në Pazarin e Krujës ende sheh dhe prek traditën e vjetër mesjetare që ruhet në duart dhe mendjen e artizanëve. Dhe po të kalosh në këtë vend sheh zonja që brenda dyqaneve të tyre thurin dhe qëndisin në kohë reale, qilima, perde apo dhe kostume popullore.

Në kalldrëmin 500 vjeçar të Pazarit të Krujës gjen edhe qëndistaren Vjollca Dallaku, e cila jetën e saj e ka të lidhur më këtë zanat dhe e ruan atë me fanatizëm. Vjollca prej 40 vitesh qëndis çentro, mbulesa dhe perde sipas traditës së veçantë të kësaj zone.

Ajo e konsideron këtë zanat si një ndër më të bukurit, pavarësisht se tregu është mbushur me produkte të tjera importi të ngjashme me punën e dorës, por për Vjollcën punimet e artizanëve janë të pakrahasueshme. Për IntoAlbania-n ajo shprehet se punime të tilla artizanale dallohen nga shumë elementë përbërës, që nga materiali kur e prek e deri tek mënyra e punimit, e cila është e gjitha e realizuar me dorë.

Perde e realizuar nga Vjollca Dallaku. Foto nga IntoAlbania

E rritur me zanatin e qëndisjes, ajo na tregon se hapat e parë i ka mësuar që 15 vjeçe nga prindërit e saj të cilët ishin rrobaqepës. Pasioni dhe dëshira për ta mbajtur gjallë këtë traditë nuk është venitur asnjë ditë, pavarësisht vështirësive. Prej 17 vitesh në këtë pazar është munduar t’i përshtatet paksa tregut që të mbijetojë dhe në dyqanin e saj do gjesh edhe flamujt e qëndisur me shumë finesë dhe origjinalitet.

Flamur i qëndisur nga Vjollca Dallaku. Foto nga IntoAlbania

Gjithçka që lidhet me punët e dorës, qëndisjet apo dhe perdet të gjitha sipas traditës shqiptare, janë dashuria më e madhe e Vjollca Dallakut. Dhe realizimi i qëndisjeve të tilla është kthyer në një markë, që mban emrin dhe pasionin e zonjave shqiptare duararta.

New & Trending

Choose a