Shija e Traditës në Gatimet Korçare - Into Albania

Shija e Traditës në Gatimet Korçare

Korça e traditës, kulturës, por edhe e gastronomisë është qyteti që di të ruajë me fanatizëm recetat sa autentike aq dhe origjinale. Gatime që vetëm korçarët mund t’jua servirin më aq shumë shije. Ata ua dinë lezetin pjatave të tyre dhe në çdo cep të qytetit ju do të gjeni shijen e vërtetë Korçare.

Lakror me dy petë i pjekur në saç

Nëse shkon në Korçë dhe nuk provon lakrorin me dy petë atëherë nuk e keni marrë aromën e vërtetë korçare. Lakrori me dy peta të holla mund të përgatitet me qepë e domate, me hithra, spinaq si edhe me lakër turshi të bardhë që në Korçë e quajnë arme. Ai piqet në saç, sipas një tradite të moçme shqiptare, për t’i dhënë një shije edhe më të mirë.

Padyshim që origjina e këtij lakrori vjen nga fshati, por që ka gjetur shumë përkrahje edhe në bujtinat e shumta. E nëse vizitonin fshatrat turistikë si Voskopojën, Dardhën apo edhe Boboshticën, ky është një ndër gatimet karakteristike të tyre. Shija e lakrorit jo vetëm ka tërhequr vëmendjen e shqiptarëve, por edhe të huajve, të cilët lënë mendjen pas tij.

Lakror me dy petë i pjekur në saç. Foto: AgroWeb

Kërnackat

Kërnackat e Korçës, jo vetëm që janë po aq të vjetra sa dhe vetë qyteti, por janë dhe po aq të njohura sa ai. Të gatuara në zgarë me aromën e tyre, e pamundur t’i rezistosh tundimit që t’i provosh. Të trashëguara brez pasbrezi ato mbeten më të preferuarat nga të gjithë. Me shijen fantastike ato janë qoftet tradicionale korçare, të cilat mund të shoqërohen me sallatra të ndryshme, pse jo edhe me birrën e Korçës.

Kërnackat e Korçës. Foto: AgroWeb

Petanik me fasule

Ndër gatimet karakteristike të periudhës së dimrit është petaniku me fasule. Amvisat nikoqire korçare e përgatisinin me peta të bëra vetë që kanë pak mundim pasi duhet të lihen të thahen, por një metodë më e shpejt po aq e shijshme është edhe më peta të gatshme. Kjo është një recetë e cila nuk ka shumë përbërës, por që të ofron një shijë marramendëse.

Petanik me fasule. Foto nga: AgroWeb

Petulla të fshira

Si një gatim tradicional i zonës së juglindjes, petullat e fshira janë një recetë tipike e zonave rurale. Quhen të fshira se ndryshe nga petullat e zakonshme, këto përgatiten në tigan duke i “fshirë” me shumë pak gjalpë. Ato zakonisht konsumohen me hudhër dhe me disa lloje djathërash që i japin një shije të veçantë. Fantastike për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës dhe aq të shijshme sa për të lëpirë gishtat, sot Petullat e Fshira janë shndërruar në një nga gatimet më të kërkuara në restorantet tradicionale shqiptare.

Kuzhinë Tradicionale
Petulla të fshira. Foto nga IntoAlbania

Tavë me fasule pllaqi

Fasulet pllaqi janë lloji i fasules kokërrmadhe dhe zona e Korçës njihet për prodhimin e tyre. Tava me fasule pllaqi është një pjatë dimërore plot shije dhe është një ndër recetat që nuk ka shoqe.

Tavë me fasule pllaqi. Foto nga: delicious.al

Trishke

Trishka është një nga recetat e hershme të ëmblësirave korçare. Për shumë vite ka qenë një ndër recetat që përdorej më shpesh në gëzimet familjare. Trishka e ka marrë emrin nga tre përbërësit e saj, miellin gjalpin dhe sheqerin. Dhe për përgatitjen e saj këto tre përbërës duhet të kenë të njëjtën masë.

Trishka me shërbet. Foto: AgroWeb

Pengjir

Pengjiri është një ëmbëlsirë tipike kolonjare, e cila përgatitej për festa familjare si fejesa apo dasma. Si një recetë autentike shqiptare ajo është trashëguar brez pas brezi në të gjitha zonat e Korçës. Pengjir në zonën e Korçës, i thonë sfungjerit, e jo më kot kjo recetë ka marrë këtë emërtim kaq origjinal pasi e thith menjëherë shërbetin.  

Pengjir. Foto: tipik.al

New & Trending

Choose a