Si të Përgatisni Bukë të Shijshme Fshati Vetë në Shtëpi - Into Albania

Si të Përgatisni Bukë të Shijshme Fshati Vetë në Shtëpi

Prej disa ditësh në izolim çdo kush nga ne mundohet të shrytëzojë kohën duke lexuar ndonjë libër, apo duke parë ndonjë film, por për amvisat kjo kohë kalon më së miri në kuzhinën e tyre. Mes recetave të veçanta apo ato autentike kjo është një mënyrë e mirë për të përmirësuar dorën në gatim. Një recetë e thjeshtë, por shumë e konsumueshme në këto ditë është edhe buka e shtëpisë. Ajo të tundon që në momentet kur nis të piqet në furrë kur mbush gjithë shtëpinë me aromën fantastike të saj.

E më pas, e sapo dalë nga furra, e ngrohtë, me pak gjalpë e djathë apo vaj ulliri, kripë e rigon, shija e saj të përfshin tërësisht. Është diçka krejt e natyrshme dhe dashje pa dashje i dorëzohesh pa kushte që në kafshatën e parë.

Të bësh bukë vetë në shtëpi, jo vetëm që është më e shëndetshme për stomakun, por edhe për portofolin. Kostoja e pjekjes së bukës është më e ulët se një bukë e blerë në furrën e lagjes.

Në këtë recetë të AgroWeb.org do të mësoni se si të përgatisni bukën e fshatit në shtëpi në mënyrë të shëndetshme.

Përbërësit 

1 pako maja e thatë

1 lugë çaji me sheqer

3 filxhanë (çaji) me miell të bardhë

1 gotë me ujë

1 lugë e gjysmë çaji me kripë

2-3 lugë gjelle me vaj ulliri

Miell të bardhë shtesë për punimin e brumit.

Përgatitja

Merrni një tas të një madhësie mesatare dhe hidhni në të majanë, sheqerin, treçerek filxhan çaji me miell dhe ujin.

Përziejini mirë së bashku duke përdorur një lugë druri.

Në këtë pikë, brumi do të bëhet i hollë.

Lejeni brumin në tas në një vend të ngrohtë dhe mos e mbuloni.

Prisni deri sa brumi të jetë disi i shkumëzuar.

Nëse dëshironi që buka të ketë shijen e brumit të ardhur, atëherë lëreni atë mënjanë për deri në 2 orë.

Më pas përzieni pjesën e mbetur të miellit me kripën me një lugë druri dhe shtoni pjesën e brumit me maja.

Kur brumi të lidhet fort, atëherë në banakun e pastër hidhni miell dhe punojeni brumin me dorë për rreth pesë minuta.

Herë pas here shtoni sasi të vogla mielli deri sa brumi të jetë i butë por jo i ngjitshëm.

Merrni një tepsi dhe lyejeni lehtë me vaj.

Vendoseni brumin e bukës në qendër të tepsisë dhe sipërfaqen e sipërme të saj lyejeni me vaj.

Tepsinë mbulojeni me një qese plastike dhe sipër saj vendosni një peshqir të pastër.

Lëreni brumin të vijë për të paktën dy orë , në varësi të temperaturës së ambientit.

Kthejeni brumin sërish në banakun e lyer me miell dhe punojeni me duar për 2 minuta.

Në këtë pikë, brumi duhet të jetë shumë elastik.

Jepini brumin formën rrethore ose atë që preferoni, lyejeni sipërfaqen me vaj ulliri dhe vendoseni mbi një letër pjekjeje.

Lëreni mënjanë përreth 1 orë deri sa masa e brumit të dyfishohet.

Kur buka të jetë gati për pjekje, ndizeni furrën në 200 °C.

Lyejeni sipërfaqen e saj me pak ujë dhe futeni në furrë për ta pjekur për rreth 30 minuta.

Hiqeni nga furra dhe spërkateni me pak ujë dhe më pas futeni sërish në furrë për t’u pjekur për 15 minuta të tjera.

Hiqeni përfundimisht nga furra dhe lëreni të ftohet për 5 minuta përpara se ta prisni në feta. Burimi: AgroWeb.org

New & Trending

Choose a