10 eventet e dhjetorit që nuk duhet të humbisni në Shqipëri - Into Albania

10 eventet e dhjetorit që nuk duhet të humbisni në Shqipëri

Dhjetori është muaji më festiv i vitit, dhe eventet janë vërtet të shumta e nga më interesantet. Nëse jeni duke përgatitur kalendarin për këtë muaj, mos harroni t’i hidhni një sy dhe listës sonë të eksperiencave që nuk duhet të humbisni.

1. Bojken Lako koncert recital, Universiteti i Arteve, Tiranë, 6 dhe 7 dhjetor

Është një nga emrat më të veçantë të panoramës muzikore shqiptare, dhe vjen me dy koncerte recitale për të festuar 25 vite karriere muzikore. Duke lëvruar rryma nga më të ndryshmet, që nga ajo rock te ajo elektronike e alternative, Bojken Lako ka qenë gjithnjë përpara të tjerëve në eksperimentet që bënte me muzikën e tij, ndaj nuk mund të kornizohet lehtë. Në datat 6 dhe 7 dhjetor mos humbisni një rast unik për ta ndjekur në Universitetin e Arteve në Tiranë. Biletat mund t’i gjeni tek Universiteti i Arteve, Tulla Culture Center, Ironbrush, Disco Box, Kino, Nouvelle Vague, Destil Hostel etj, ose kontaktoni në: 0695543007. Shfaqja në të dyja datat bëhet në orën 8 PM.

Posteri zyrtar i koncertit.

2. Festivali i Zogjve, Expocity, Tiranë, 8 – 9 dhjetor

Me qindra lloje zogjsh do të jenë të ekspozuar për të gjithë ata që duan të njihen me larminë e shpendëve që mbarështohen në Shqipëri. Tek sa Festivali i Zogjve starton më datë 6 dhjetor, për publikun ky event hapet më datat 8 dhe 9 dhjetor. Edicioni i 3-të i Festivalit do të mbahet në Expocity, në Autostradën Tiranë-Durrës.

Posteri zyrtar i Festivalit të Zogjve.

3. Christmas Market, Tiranë, 8 dhjetor

Organizuar nga The Balkanista dhe Urban Roots, të shtunën më datë 8 dhjetor ng ora 3 e drekës deri në orën 7 pasdite, do të keni mundësi të vizitoni panairin e artizanëve vendas, artistëve dhe bizneseve të vogla, që do krijojnë ambjentin e duhur të festave. Nëse doni të blini dhurata origjinale për festa, apo dhe thjesht të përfshiheni nga atmosfera e Krishtlindjeve, nuk duhet ta humbisni këtë event. 25% e të ardhurave do të shkojnë për Food Bank Albania si dhe shoqatën për mbrojtjen e grave të dhunuara Useful to Albanian Women. Adresa: Urban Roots, Rruga Lidhja e Prizrenit, te Garda. 

Posteri zyrtar i Christmas Market.

4. Koncert vizatimor & Jazz, Art Turbina, 10-14 dhjetor, Tiranë – Durrës – Shkodër – Elbasan – Korçë

Një koncert ku muzika xhaz franceze ndërthuret me tregimet figurative (bande dessinée). Mos mungoni në eventet speciale ku këto zhanre artistike ndërthuren për të krijuar një eksperiencë të veçantë artistike. 

Datat: 10 dhjetor në Art Turbina në Tiranë, ora 19:00. 11 dhjetor në Durrës, në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ora 18:00. Më 12 dhjetor në Shkodër, në Liceun Artistik “Prenk Jakova”, ora 18:00. Në 13 dhjetor në Elbasan, teatri “Skampa”, ora 18:00. Data e fundit në 14 dhjetor në Korçë, në teatrin “Andon Zako Çajupi”, ora 19:00. Hyrja falas. 

Koncert vizatimor & jazz në Art Turbina. Posteri zyrtar.

5. Verë dhe pikturë në Seferan, 22 dhjetor, Belsh 

Nëse je një i dhënë pas pikturës, apo do të eksplorosh më tej talentin tënd, ku ka më mirë se sa të bësh këtë pranë një liqeni piktoresk si ai i Seferanit, duke pirë verë e duke diskutuar me mjeshtra të pikturës! Eventi organizohet nga Tourism Investment and Finance Fund më 22 dhjetor, dhe të gjithë do të pajisen me kavaletën, telajon, penelat dhe bojrat përsonale! Për biletën rezervo në nr. 0694030735.

Posteri zyrtar i eventit.

6. Unë e kam gjithmonë një shami në xhepin tim, Balet në Art Turbina, Tiranë, 12 dhjetor

Një pjesë nga Gjergj Prevazi, ku përmes shamisë përcillen sjellje të ndryshme shoqërore shqiptare, e ndërthuret muzika tradicionale me atë moderne, përmes një valleje e kërcimi modern. Shfaqja pritet të jetë mjaft surprizuese, ndaj mos humbisni eventin. Ora 7 PM deri në orën 9 PM.

Burimi i fotos: facebook.com/goethezentrum.tirana

7. Këpucët e Krishtlindjes, Tiranë, 1-2, 8-9, 15-16 dhjetor

Një event për të festuar Krishtlindjet në mënyrën më të mirë të mundshme, duke dhuruar për ata që nuk kanë. Mbi 500 këpucë do dhurohen për fëmijët në nevojë, dhe të gjithë ata që kanë mundësi mund të bëjnë një kontribut gjithashtu. Eventi organizohet në ditët e sipërpërmendura nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 6 pasdite tek Sheshi Skënderbej. Stenda quhet “Christmas Shoes”.

Christmas Shoes posteri zyrtar.

8. Netët dhe fundjavat tek “Fshati i Festave”, Tiranë

Qendra e Tiranës është plot e përplot me shtëpi të vogla ku mund të gjeni suvenire nga më të ndryshmet, apo dhe vende ku mund të pini verë të ngrohtë, birra apo dhe të bëheni pjesë e lodrave të vendosura përreth sheshit. Ndaj përgjatë gjithë dhjetorit është vendi i duhur për të qenë me miqtë e familjen.

Burimi i fotos: facebook.com/bashkia.tirane

9. Korça Open Air,  Korçë, 13 -15 dhjetor

Kalendari sportiv në Shqipëri mbyllet me këtë finale të paragliding, ku garues nga plot vende të botës do të prekin qiejt e Korçës. Ja vlen të shikoni nga afër eventin që si përherë ofron plot ritëm dhe entuziazëm edhe për pjesëmarrësit. Për më tepër vizito faqen zyrtare të Korça Open Air.

Korça Open Air posteri zyrtar.

10. Ndërrimi i viteve në Sheshin Skënderbej, 31 dhjetor

Çdo vit Sheshi Skënderbej pret Vitin e Ri me fishekzjarre e spektakël muzikor. Këtë vit, mund t’i bashkoheni dhe ju atmosferës festive të ndërrimit të viteve, duke bërë numërimin mbrapsht të sekondave me qindra të tjerë që janë gati të bëjnë “gëzuar”!  Përtej fishekzjarreve zyrtare të hedhura nga Bashkia e Tiranës, prej Sheshit Skënderbej do të shihni se si nga të gjitha anët e kryeqytetit do të lëshohen drita drejt qiellit. 

Burimi i fotos: facebook.com/bashkia.tirane