10 eventet e nëntorit që nuk duhet të humbisni në Shqipëri - Into Albania

10 eventet e nëntorit që nuk duhet të humbisni në Shqipëri

Nëntori sapo ka ardhur, dhe bëni mirë të programoni që tani axhendën tuaj, pasi eventet për të mos u humbur në Shqipëri këtë muaj janë të shumta. Që nga panairi më i madh i librit në vend, tek festimet për Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, ky muaj vjen plot me ngjarje për t’u shënuar!

1. Trio gjermane-shqiptare me klarinetistin Fabian Dirr, Tiranë (1 nëntor)

Në Sallën e Madhe të Universitetit të Arteve, nëntori fillon bukur përmes pjesëve të Bethoven, Berg, Bruk e plot emrave të tjerë, të cilat do të luhen nga tre muzikantë të mirënjohur. Violonçelisti Vlorent Xhafaj, pianisti Zamir Kabo si dhe klarinetisti gjerman Fabian Dirr, do të performojnë prej orës 19:00 për të gjithë të apasionuarit e muzikës klasike pjesë të njohura nga kompozitorët e famshëm. Eventi realizohet në kuadër të Tetorit Gjerman dhe hyrja është e lirë.

Akademia e Arteve, Tiranë, foto nga IntoAlbania.

2. Tirana Photo Festival, tek Muzeu Historik Kombëtar  (1 – 7 nëntor)

Kryeqyteti vjen përmes lenteve të ndryshme në një festival fotografie dedikuar vetëm Tiranës! Përreth një javë në Muzeun Historik Kombëtar do të mund të ndiqni ekspozita fotografie, forume, workshope e plot aktivitete të tjera që kanë në qendër pasionin për fotografinë dhe Tiranën. Në fund, do të ndahen dhe tre çmime për fotot më të pëlqyera të kryeqytetit. Hapja bëhet në orën 18:00.

Posteri zyrtar i eventit.

3. Tirana International Film Festival, Edicioni i 16-të  (2 nëntor – 9 nëntor)

Eventi më i rëndësishëm i kinematografisë në Shqipëri do e bëjë fillimin e këtij muaji plot me histori vizuale për të mos u humbur! Plot 128 filma do të konkurrojnë në zhanre të ndryshëm, tek sa dhjetëra filma të tjerë do të shfaqen në sallat e kryeqytetit për të celebruar artin e shtatë. Për oraret dhe shfaqjet ndiqni faqen e filmit në FacebookInstagram apo klikoni këtu për listën e filmave në kandidim.

Posteri zyrtar i TIFF.

4. Ngjitje dhe barbekju në Qafshtamë, Krujë (4 nëntor) 

Jeni gati për një marshim në Parkun Kombëtar të Qafshtamës në Krujë? Të gjithë ata që duan të kalojnë një fundjavë në natyrë e në shoqëri, bëjnë mirë të vendosin këtë event në kalendar. Distanca që do të përshkohet do të jetë 7.2 kilometra, me një pjesëmarrje prej rreth 40 personash. Pasi të bëhet nisja në orën 8 të mëngjesit nga Kafe Flora në rrugën e Durrësit, do të udhëtohet me furgon drejt parkut, ku do të nisë dhe marshimi. Parku është i mbushur me peizazhe fantastike, ku barbekjuja do t’ju shijojë akoma më shumë. Kliko këtu për më tepër.

Posteri zyrtar i eventit.

5. Dance Meeting Festival, Edicioni i 13-të, Tiranë (5 – 6 nëntor)

Festivali i përvitshëm i dancit modern e inovativ në Shqipëri vjen me dy shfaqje të tjera në Tiranë këtë muaj. Shfaqja e parë e titulluar Tale/Mese, me koreografi nga Noemi Kulcsardo të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në orën 19:00 më datën 5 nëntor. Takimi i dytë në kuadër të festivalit do të jetë më datë 6 nëntor në arTurbina. Shfaqja e titulluar Dis-crimine vjen me koreografi të Simone Kierit. Për më tepër vizitoni faqen zyrtare të eventit.

Posteri zyrtar i Albania Dance Meeting Festival.

6. Panairi i 21 i Librit, Tiranë (14 nëntor – 18 nëntor)

Për shkrimtarët, botuesit, përkthyesit, e mbi të gjitha ata, lexuesit, ky është eventi më i rëndësishëm i librit në Shqipëri. Të shumta janë librat që publikohen për herë të parë pikërisht në këtë panair, i cili ashtu si dhe në vitet e tjera organizohet në Pallatin e Kongreseve. Shtëpitë më të mëdha botuese nga Shqipëria, Kosova, Mal i Zi e diaspora, vijnë me botimet më të mira, duke i kthyer këto ditë në një festë të vërtetë të librit shqip!

Burimi: Facebook/Shoqata e Botuesve Shqiptarë ‎Panairi i 21 i Librit “Tirana 2018”

7. Ekspozita “Chagall: Graviteti Magjik” te Qendra për Hapje dhe Dialog (COD)

Një nga emrat më të mëdhenj të artit të shekullit të XX, Mark Shagall, që prej fund tetorit ka ardhur me një ekspozitë në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) te Kryeministria, që konsiderohet më e rëndësishmja për vitin 2018. Përzgjedhjet grafike nga tre ciklet ilustrative të bëra nga Shagall për librat e famshëm “Stuhia” e Shekspirit, “Fabulat” e La Fontenit dhe “Shpritra të Vdekur” të Gogol, ju presin nga e hëna deri në të shtunë, deri më 12 janar.

Fragment nga videoja zyrtare e eventit.

8. Panairi Ndërkombëtar i Tiranës – Klik Ekspo Group, Edicioni i 25 (21 – 24 nëntor)

Vitin e shkuar ishin plot 40 mijë vizitorë që ndoqën Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, ku dhjetëra vende ekspozuan bizneset e tyre, e krijuan ura të reja bashkëpunimi për investime e shkëmbime tregtare me Shqipërinë. Si për bizneset, ashtu edhe për vizitorët e thjeshtë kurioz, ky panair merr përherë vëmendje në kryeqytet.

Posteri zyrtar i Tirana International Fair 2018.

9. 28 Nëntori në Vlorë – Sheshi i Flamurit

Më 28 nëntor të 1912 Shqipëria u shpall e pavarur në Vlorë, dhe prej atij momenti kjo datë mbahet si ditëlindja e shtetit shqiptar. Tek sa festimet janë përfshirëse në të gjitha qytetet e vendit, në Vlorë festa ka një shije tjetër, përmes celebrimeve në Sheshin e Flamurit apo veshjen e qytetit bregdetar kuqezi. Bëni mirë të vizitoni qytetin bregdetar në këtë datë, e mos harroni të merrni me vete një flamur për ta varur jashtë dhomës së hotelit apo kudo që të ndodheni.

Sheshi i Flamurit, Vlorë, foto nga IntoAlbania.

10. Nata e Bardhë, Tiranë (29 nëntor)

E nëse 28 e muajit duhet kaluar në Vlorë, 29a duhet kaluar në Tiranë. Baret, institucionet e ndryshme apo muzetë do të jenë të hapura deri vonë në mbrëmje tek sa kryeqyteti do të festojë Natën e Bardhë. Ashtu si çdo vit tjetër do të organizohet në ditën që i rezervohet përkujtimit të Ditës së Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashist, më 29 Nëntor 1944. Që nga Rita Ora e Xhon Njuman, tek Xhuzi Ferreri apo Emeli Sande, të shumtë kanë qenë këngëtarët e njohur botëror që kanë performuar në sheshet e Tiranës për këtë event, ndaj edhe këtë vit pritet një tjetër emër që do I shtohet listës. Qëndroni të përditësuar në adresën tonë për më tepër!

Dada club, Tiranë, foto nga IntoAlbania.