10 eventet më interesante të muajit maj - Into Albania

10 eventet më interesante të muajit maj

Muaji maj është përherë një nga më të pasurit në aktivitete! Si muaji paraprirës i startit të pushimeve të verës, kjo periudhë shoqërohet përherë nga plot ngjarje interesante që ndodhin në të gjithë vendin. Më poshtë lista e tyre:

1. Cellomania – Festa e violonçelit, 2 maj, arTurbina, Tiranë

Një festë e vërtetë muzike me violonçel, ku do të mund të ndiqni një repertor që nis me muzikën baroke e romantike, e përfundon me tango! Boismortier, Offenbach, Joplin, Lachner, Fitzenhagen e plot emra të tjerë të njohur do të luhen për publikun e kryeqytetit më datë 2 maj në orën 19:00 në skenën e arTurbina.

Posteri zyrtar i eventit.

2. Festivali Ndërkombëtar Kulturor “Fije Bari”, 3-6 maj, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë

Letërsia ka shërbyer përherë si një vektor ndryshimi, apo përpjekjeje për të sensibilizuar shoqërinë mbi sfidat e ndryshme që i duhet të përballet. Festivali “Fije Bari” synon pikërisht të krijojë forma të reja edukimi e sensibilizimi ndaj respektit për natyrën, tokën, të bukurën përreth nesh, që ka nevojë të ruhet e mirëmbahet përmes një qasjeje tjetër. Festivali do të ketë promovime librash, lexime dhe leksione të hapura, shfaqje gastronomike apo muzikore etj.

Posteri zyrtar i eventit.

3. Festivali i artistëve të rrugës, 5 maj, ish-Radio Tirana, Tiranë

Që nga ora 10 e mëngjesit e deri në 12 të mbrëmjes, në rrugën “Kont Urani” artistë të disiplinave të ndryshme do të performojnë në rrugë, duke dhuruar shfaqje surprizuese! Eventi realizohet në kuadër të mbrotjes së Monumentit të Kulturës ish-Radio Tirana.

Posteri zyrtar i eventit.

4. UNUM Pre-Party, Loco Dice, sheshi “Nënë Tereza”, 10 maj, Tiranë

Përpara se të nisë zyrtarisht më datë 31 maj, UNUM Festival do të ndezë Tiranën me një pre-party që do të organizohet në sheshin “Nënë Tereza”, me praninë e dixheit të njohur të muzikës elektronike Loco Dice. Festa do të nisë në orën 10 të mbrëmjes së të premtes, e pritet të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit. Bëhuni gati për të hyrë në atmosferën e UNUM-it.

Posteri zyrtar i eventit.

5. Food & Drink Festival, Edicioni i 4rt, 10-12 maj, Tiranë

Ky event pritet të grumbullojë me mijëra vizitorë të apasionuar pas ushqimit të mirë e cilësor, atij kreativ, por edhe të interesuarit që duan të njihen me produktet më të mira vendase, apo risitë e fundit nga gastronomia shqiptare e ajo e huaj. Që nga konkurset mes shefave të restoranteve, apo edhe degustimit të verërave nga sommelierët më të njohur vendas, të shumta do të jenë mini-eventet brenda festivalit që do të përfshijnë të pranishmit.

Posteri zyrtar i eventit.

6. Quartetto di Cremona – 250 vjet nga lindja e Beethoven, Universiteti i Arteve, 14 maj, Tiranë

Me rastin e 250 vjetorit të lindjes së Ludwig van Beethoven, Kuarteti i Kremonës do të luajë disa nga pjesët më të njohura të kompozitorit gjenial gjerman. Kjo do të jetë shfaqja e tretë nga katër të parashikuara në Tiranë. Eventi fillon në orën 19:00, dhe mbështetet nga Instituti Italian i Kulturës. Për më tepër kliko këtu.

Quartetto di Cremona, burimi i fotos: facebook.com.

7. Colour Day Festival, 18 maj, Tiranë

Pas realizimit me sukses të edicionit të parë të Festivalit të Ngjyrave vitin e shkuar, Colour Day Festival rikthehet në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë! Me mijëra të rinj që duan të festojnë me muzikë e ngjyra pritet të kthejnë sheshin në një telajo ku do të jenë pikërisht ata që do ta ngjyrosin duke luajtur, kërcyer e dëfryer! Shko në faqen online për më tepër.

Posteri zyrtar i eventit.

8. Ëngjëjt e Amerikës, arTurbina, Tiranë

Kur u shfaq për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të viteve ’90, “Ëngjëjt e Amerikës” shkundi publikun për shkak të trajtimit të disa temave ende tabu për kohën. Drama e Tony Kushner, fituese e “Tony Awards” apo “Pulitzer Prize”, konsiderohet tashmë nga kritika si një nga kryeveprat e dramaturgjisë së fundshekullit XX, dhe luhet në teatrot më të famshëm të të gjithë botës. Në arTurbina vjen me regji të Arben Kumbaros, si dhe nën interpretimin e Luiza Xhuvanit, Vasjan Lamit, Helidon Finos, Genti Deçkas, Donald Shehut, Laert Vasilit, Indrit Çobanit, Ina Gjonçit, dhe Luli Bitrit. Nën koreografinë e Kozeta Bakiut si dhe muzikën e Endri Sinës, shfaqja e pati premierën në fund të prillit, dhe tashmë do të vijë përgjatë gjithë majit. Për datat dhe rezervimet kontakto në numrin e telefonit: ️04 222 30 22, nga ora 9:00-13:00 dhe 16:00-19:00.

Posteri zyrtar i eventit.

9. Tedi Papavrami & FrançoisFrédéric Guy, Salla e Katedrales Ortodokse, Tiranë

Tedi Papavrami është një nga violinistët më të njohur jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj. I shoqëruar në piano nga FrançoisFrédéric GUY, ai do të eksplorojë më datë 13 maj veprën e Beethoven, më konkretisht sonatat 2,7 dhe 10. Eventi starton në orën 19:00 në sallën e  Katedrales Ortodokse. Për bileta telefononi në numrin: 0674055500.

Posteri zyrtar i eventit.

10. UNUM Festival, 31 maj-3 qershor, Rana e Hedhun, Shëngjin

Në plazhet tërheqëse të Shëngjinit, nga data 31 maj në datën 3 qershor, do të organizohet UNUM Festival, një festival muzike elektronike që do të sjellë mbi 60 dj nga e gjithë bota. Mbi 10 mijë pjesëmarrës pritet të festojnë nën ritmet e muzikës elektronike, tekno apo house, ku ndër emrat më të njohur që do të performojnë vlen të përmenden ato të Joseph Capriati, Luciano-s apo Ricardo Villalobos. Janë tre skena që do të ndezin atmosferën e UNUM, të vendosura rrëzë pishave, detit apo malit, tek sa një boat party do të shoqërojë UNUM-in përgjatë gjithë ditëve. Lexo këtu për më tepër.

UNUM FESTIVAL, të ftuarit.