10 eventet më interesante të nëntorit - Into Albania

10 eventet më interesante të nëntorit

Muaji nëntor ështe një ftesë e hapur për të gjithë për të qënë prezent në aktivitete të ndryshme që do të organizohen. Që nga panairi i librit, e duke vijuar me aktivitete e festa të ndryshme që përfshijnë gjithë Shqipërinë.

1. Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, Shkodër (1 nëntor- 7 janar 2020)

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi çel në datën 1 nëntor ekspozitën “Shtatë fotografë shqiptarë. Një rezidencë”. Bëhet fjalë për shtatë artistë të rinj të cilët ekspozojnë punët e tyrë sa të thjeshta dhe të bukura, aq dhe frymëzuese e inspiruese. Artistët që marrin pjesë janë – Abi Shehu, Bib Frrokaj, Elton Gllava, Erdiola Mustafaj, Erjola Zhuka, Marlin Dedaj, Orestia Kapidani.

2. Festa e Ullirit, Piqeras (1 nëntor)

Për të dytin vit rradhazi çel siparin në jug të Shqipërisë, Festa e Ullirit. E organizuar nga Bashkia Himarë dhe në mbështetje të GIZ, kjo fest një ditore do të nisi më 1 nëntor në Piqeras dhe synon promovimin dhe njohjen e plantacioneve të ullinjve, si dhe mbështetjen e prodhuesve. Kjo nisëm kërkon ta kthej këtë festival, në një aktivitet të përvitshëm me qëllim ofrimin e një produkti turistik gjithëvjetor.

3. Festa e verërave dhe e gështenjave, Pogradec (2-3 nëntor)

Në datat 2-3 nëntor Bashkia Pogradec organizon festën e verërave dhe të gështenjave, e kthyer tashmë në traditë, kjo fest po tërheq gjithnjë e më shumë vizitor. Prej 25 vitesh ajo synon të promovojë prodhimin vendas dhe në këtë përvjetor do të organizohen aktivitete të shumta, ku do ketë surpriza, çmime dhe për të gjithë të apasionuarit e muzikës rrok ju ftojmë të shijoni një natë magjike nën tingujt e treshes Elton Deda, Redon Makashi dhe Aleksandër Gjoka.

4. Ekspozita e pikturës “Towers”, tek Muzeu Hitorik Kombëtar, (5-10 nëntor)

Ekspozita  ‘Towers”, sjell punën e tre artistëve Erand Nebo, Anteo Gremi dhe Gjergji Meta. Kjo ekspozitë do të çelet në datën 5 nëntor dhe do të qëndrojë deri më 10 nëntor, në Muzeun Historik Kombëtar.

5. Ekspozitë fotografike “Trans Balkan”, Tiranë (6- 11 nëntor)

Austriaku Aleksandar Crnogorac sjell në Europa House në data 6-11 nëntor ekspozitën “TransBalkan”, një dokumentar fotografik,  ku kryefjala është çështja e personave trasngjinor në Ballkan. Autori ka fotografuar mbi 60 persona nga vende të ndryshme të rajonit, me synimin e ndërgjegjësimit mbi komunitetin transgjinor. Pasi ka bërë një tur në disa qytete të rëndësishme Europiane, kjo ekspozitë vjen në Tiranë në kuadër të Konferencës rajonale të ERA’s  “Të drejtat tona, e ardhmja juaj”.

6. Panairi i 22-të i librit, Tiranë (13-17 nëntor)

Eventi ku mbledh bashkë shtëpi botuese, autor, përkthyes dhe lexues prej vitesh është kthyer në festën më të madhe të librit. Si çdo vit edhe këtë edicion do të prezantohen tituj të rinj, shqiptar dhe të huaj, e prezent do të jenë shumë shtepi botuese, jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Ky panair kërkon të lidh më shumë publikun, kryesisht atë të riun me librin dhe të bashkojë të gjithë njerëzit e penës. Panairi do të zhvillohet datat 13-17 nëntor në Tiranë.

7. Baleti Zhizel nga Teatri i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullorë (14-15 nëntor)

Kryevepra e baletit klasik Zhizel, sjell legjendën e lashtë gjermane, të të fejuarave që ndahen nga jeta ende pa u martuar.  Zhizel tregon dashurinë e një vajze 15 vjeçare e cila zhgjënjehet pasi mendon se është dashuruar me një djalë të thjeshtë, por në të vërtetë ai është një princ. Tërë ngjarja rrjedh në luftën e vilisave të cilat duan të shkatërrojnë këtë dashuri edhe pas vdekjes. Ky balet do të shfaqet për dy net rradhazi në arTurbina, në datat 14-15 nëntor.

8. Tirana Street Food Festival, (14-17 nëntor)

Është festivali i parë me përmasa ndërkombëtare të kësaj gjinie dhe ka si synim t’i jap një këndvështrim tjetër ushqimit. Nuk do të jenë vetëm gatimet e shpejta, por do të ketë dhe lloje të ndryshme të kuzhinës, në mënyrë të tillë që të familjarizoheni me gatimet e munguara. Një ndër objektivat e këtij festivali është dhe edukimi i shijes së konsumatorëve me shije të reja. Do të jenë tre ditë plot me aktivitete kulinarie, ku shefat e kuzhinës do të ndajnë receta për ju, aktivitete për fëmijë dhe të rritur e shumë e shumë të tjera. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të takohemi tek Sheshi Skënderbej në data 14-17 nëntor.

9. Festa e Pavarsisë, Vlorë (28 nëntor)

Fundi i nëntorit lidhet dhe me festën më të rëndësishme që ka Shqipëria, Pavarsinë. Aktivitete të shumta bëhen në kuadër të kësaj dite në të gjitha qytetet e vendit, në Vlorë festa ka një shije tjetër, përmes celebrimeve në Sheshin Flamur. Për çdo detaj në ju këshillojmë të qëndroni të përditësuar me adresën tonë!

Monumenti i Pavarësisë, Vlorë, foto nga IntoAlbania

10. Nata e Bardhë, Tiranë (29 nëntor)

Është kthyer në traditë tanimë festimet e Natës së Bardhë në Tiranë. Ashtu si çdo vit tjetër, nuk do të mungojë organizimet që lidhen me Ditën e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashist, më 29 Nëntor 1944. Ndërkohë duhet theksur se më 17 nëntor Tirana feston dhe 75 vjetorin e çlirimit dhe bashkia do të organizojë evente të ndryshme në lidhje me këtë datë historike. Në këtë natë të shumtë kanë qënë personazhet e njohur kombëtar e ndërkombëtar të muzikës që kanë performuar në sheshet e Tiranës dhe këtë vit sigurisht, që nuk do të mungojë.