10 eventet më interesante të qershorit - Into Albania

10 eventet më interesante të qershorit

Muaji qershor konsiderohet nga të shumtë muaji që fillon praktikisht vera, falë kohës së përshtatshme për plazh, si dhe festave që nisin anës detit. Pikërisht pse atmosfera e relaksit është ngado, nuk mungojnë dhe eventet e shumta për të gjitha grupmoshat. Më poshtë po ju paraqesim ato që konsiderojmë dhjetë eventet më të mira:

1. UNUM Festival 1-3 qershor, Shëngjin

Muaji nis bukur me UNUM Festival, një festë muzike që do të përfshijë plazhet e Shëngjinit! Tek sa festivali elektronik nis më datë 31 maj, ai vazhdon gjithashtu në tre ditët e para të qershorit. Mbi 60 dj nga e gjithë bota pritet të ndezin pjesëmarrësit nën ritmet e muzikës elektronike, tekno apo house, ku ndër emrat më të njohur që do të performojnë vlen të përmenden ato të Joseph Capriati, Luciano-s apo Ricardo Villalobos. Janë tre skena që do të ndezin atmosferën e UNUM, të vendosura rrëzë pishave, detit apo malit, tek sa një boat party do të shoqërojë UNUM-in përgjatë gjithë ditëve. Lexo këtu për më tepër.

Lista e dj-ve tek UNUM Festival.

2. La Sylphide, 1-2 qershor, arTurbina, Tiranë

Një nga baletet romantike më të njohura në botë, “La Sylphide”, ngjitet në skenën e arTurbinës nga trupa e baletit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, me pjesëmarrjën gjithashtu të Shkollës së Baletit në Tiranë. Ajo që premtohet është një zhytje në atmosferën romantike të shekujve të shkuar, që do të vijë plot emocione në kryeqytet. Biletat mund t’i gjeni nga 10:00 deri në orën 20:00 në sportelin e arTurbinës, ose mund t’i rezervoni me mesazh në numrin e telefonit 0676327313. Çmimi: 1000 lekë.

Posteri zyrtar i eventit.

 3. Quartetto di Cremona – 250 vjet nga lindja e Beethoven, Universiteti i Arteve, 4 qershor, Tiranë

Me rastin e 250 vjetorit të lindjes së Ludwig van Beethoven, Kuarteti i Kremonës do të luajë disa nga pjesët më të njohura të kompozitorit gjenial gjerman. Kjo do të jetë shfaqja e katërt dhe e fundit e parashikuar në Tiranë për të celebruar këtë emër të madh të muzikës. Eventi fillon në orën 19:00, dhe mbaron në orën 22:00, me mbështetjen nga Instituti Italian i Kulturës. Për më tepër kliko këtu

Quartetto di Cremona, burimi i fotos: facebook.com.

4. Albania Guitar Festival, 3-8 qershor, Tiranë, Durrës, Korçë,

Edicioni i dytë i Albania Guitar Festival vjen me më shumë ditë se i pari, dhe me një listë emrash të admirueshëm që do të performojnë në disa qytetet të Shqipërisë! Tek sa festivali çelet më datë 3 në Sallën e Koncerteve “Tonin Harapi” në Tiranë, me kitaristin Fabio Barbagallo, ditët e tjera do të jetë Lugi Attademo që do të performojë për publikun e Korçës (4 qershor), atë të Durrësit (5 qershor së bashku me Simone Gramaglian), si dhe publikun kryeqytetas (6 qershor). Më datë 7 qershor tek Tulla Nouvelle Terrace do të transmetohet filmi  “Mangoré”, dedikuar kitaristit nga Paraguai me famë botërore Augustin Barrios Mangoré. Përveç koncertit të Çeku, të gjitha eventet e tjera janë pa pagesë.

Posteri zyrtar i eventit.

5. Koncert recital i Petrit Çekut, 8 qershor, Tiranë         

Albania Guitar Festival mbyllet në mënyrë spektakolare me Petrit Çekun, kitaristin nga Prizreni që tashmë është një emër i njouhur për të gjithë adhuruesit e kitarës kudo në botë. Për rezervime vizitoni Tulla Culture Center, Amfiteatrin e Tiranës ose telefononi në numrin: 0693926896.

Posteri zyrtar i eventit.

6. Ritfolk Reunion, 8 qershor, Tiranë

Të paktë janë ata që nuk kanë kënduar këngët e Ritfolk në vitet ’90, e nuk kanë memorizuar vargjet e ndjera dhe emocionuese të këngëve të njohura si “Drejt fatit tim”, “Ëndërroj”, apo “Dëshirë dhe heshtje”. Pas dy dekadash, e një insistimi të fansave për një ribashkim, Ritfolk kthehen për publikun me një koncert që pritet të përcjellë plot nostalgji e ritëm në “Qendrën Kulturore Katedralja Orthodokse” në Tiranë. Koncerti mbahet më datë 8 qershor dhe biletat mund të blihen përmes Easy Pay.

Posteri zyrtar i eventit.

7. Festa e Lumit të Shalës, 8-9 qershor, Koman

Natyrë, piknik, kamping, lundrim, fests e shoqëri të reja! Edhe këtë vit sezoni turistik në Koman nis me një event që tërheq vëmendjen e kujtdo që do të përfshihet në një festë që zgjat për plot dy ditë! Do të ketë muzikë live me dj e këngëtarë, ushqime tradicionale të zonës, eksplorim shtigjesh sipas dëshirës gjatë ditës, e lojëra pranë zjarrit bubulak në mbrëmje. Nisja bëhet në orën 10 të mëngjesit nga Shkodra (pranë hotel “Turizmit”), dhe çmimi per person është  5500 lekë të reja. Për rezervime kontaktoni në numrin 0692545500 ose për detaje të tjera klikoni këtu.

Lumi i Shalës, foto nga IntoAlbania.

8. Kala Festival, 12-19 qershor, Dhërmi

Jeni gati për rikthimin e Kala Festival? Vjet ishte eventi më i rëndësishëm i sezonit veror shqiptar, me mbi 2000 të pranishëm të ardhur nga plot vende të botës, e me një organizim perfekt! E nëse edicioni i parë pati atë sukses, kësaj here nuk ka diskutime se interesi do të jetë akoma më i madh. Ndër emrat e njohur të ftuar për këtë edicion janë ata të Hunee, Derrick May, Theo Parrish, apo edhe Inner City, Jordan Rakei, Hercules & Love Affair, e shumë të tjerë të muzikës elektronike, tekno, house etj. Për më tepër vizitoni kala.al apo lexoni artikullin tonë të dedikuar të edicionit të parë.

Kala Fest 1, foto nga IntoAlbania.

9. Anjunadeep prezanton Explorations, 20-25 qershor, Dhërmi

Menjëherë pas Kala Festival, një tjetër festival pritet të shënojë vitin turistik në Dhërmi. Bëhet fjalë për Explorations, nga Anjunadeep, që për pesë netë e gjashtë ditë do të sjellë me dhjetëra artistë e dj të afirmuar në skënën muzikore botërore, ku vlen të përmenden Lane 8, Yotto, 16BL, Martin Roth, etj. Përveç muzikës, do të ketë plot aktivitete të tjera interesante që nga ato të jogës, tek sencat e masazhit apo meditimit. Për rezervime apo info të tjera klikoni këtu.

Posteri zyrtar i eventit.

10. Rafting në Vjosë, Përmet, përgjatë gjithë muajit

Përgjatë gjithë muajit do të ketë grupe që bëjnë rafting në Vjosë, ndaj mos e humbisni shansin të eksploroni atë që është quajtur “zemra blu e Evropës”. Kompania që organizon eventet është Albania Rafting Group, që është një garanci më shumë për cilësinë e organizimit. Për më tepër kliko këtu.

Lumi Vjosa, foto nga Alvaro Galvez.