10 Sugjerime nga Blerina Shehu - Into Albania

10 Sugjerime nga Blerina Shehu

Me një sy të vëmendshëm ndaj detajit e shije për jetën e bukur, prezantuesja popullore e Televizionit Shqiptar, përmes kësaj liste jep disa sugjerime që nuk duhen humbur për ata që duan të dinë vendet më interesante e të këndshme në kryeqytet.

Kafe: 

Gjatë javës, Komiteti – Kafe Muzeum (ose siç i themi mes miqsh „Te Arbri”), në fundjavë Art Kafe (ose siç i themi mes miqsh, „Te Lani”). I pari si vendi më i rehatshëm pranë punës, i dyti, si vendi më familjar pranë shtëpisë. Kafeja, ka fuqinë të ta rregullojë ose të ta prishë humorin, kështu që nuk para rrezikoj.

Komiteti Kafe-Muzeum. Foto nga IntoAlbania.

Pikë referimi: 

Një „pikë” referimi e rëndësishme për shumë shqiptarë, e vetmja për sa i takon komunikimit dhe informimit publik deri në vitet ’90, Radio Televizioni Shqiptar është tashmë prej 3 vitesh zona ku kaloj një pjesë të mirë të ditës, ku lë takimet e punës, por ku kaloj edhe pauzat. Një zonë që e kam zbuluar vonë, por që e shijoj përditë.

Vend i rastësishëm:

Rruga Myslym Shyri deri te Kalaja e Tiranës, e hapur për publikun prej pak kohësh, është segmenti i preferuar për të ecur, pa e vrarë mendjen ku jam duke shkuar. Eshtë nga zonat pa shumë ndërtime të larta në Tiranë, me hapësirë, dhe që shoqërohet e gjitha, në rë dy krahët nga pemet e blirit. Duke i ndjekur me sy për lartësinë që kanë, të shtyjnë të shohësh më shpesh qiellin☺.

Në foto: Blerina Shehu.

Vendi për një drekë të shpejtë:

Jo vetëm drekë. Për të provuar diçka tradicionale por edhe të rivizituar, „Luga e Argjendtë” është foleja që mbledh shqiptarë që i ka marrë malli për një pjatë të thjeshtë papareje, ose turistë që duan të provojnë trahananë me hudhra për mëngjes ☺. Po rastisi të takosh edhe Dhuratën, sipërmarrësen e këtij restoranti, mund të mësosh shumë mbi kulinarinë shqiptare, produktet, zonat e tyre të prejardhjes, etj.

Pjata e preferuar:

Jufkat me kërpudha porçini dhe djathin e Bjeshkëve, mishavinë, te „Mullixhiu”.

Aperitiv:

Një gotë verë të bardhë, ose të kuqe, në vinotekën Vena by Fation Tila. Rrugica gjithmonë e gjelbër nga pemët dhe gjithmonë e lulëzuar, të transferon mendërisht në një qytezë të vogël që s’ka lidhje me zhurmën dhe kaosin kryeqytetas.

Brenda Venës. Burimi i fotos: “Vena”.

Kënaqësi e veçantë:

Vendi ku ndjehem më shumë në faj menjëherë sapo jam larguar prej andej, por në të njëjtën kohë edhe vendi ku „falem” më shpesh quhet „Kohar”. Një dyqan i vogël veshjesh, por plot karakter dhe padyshim nga më origjinalët në Tiranë.

Vendi i kulturës:

„Galeria 70”, e pazakontë për vendodhjen dhe hapësirën, por ku janë ekspozuar artistët më të mirë bashkohorë të arteve pamore në vend. Si vende kulture preferoj ato të hapurat, sidomos në verë. Ka qënë shumë i veçantë në këtë stil, festivali „Reja” ku mund të takoje artistë e performues, shqiptarë e të huaj, e të kërceje apo këndoje bashkë me ta në „bahçen” e Resë. Tani festivali ka mbaruar, por Reja është një kinema verore, 1 herë në javë.

Sou Fujimoto’s “Cloud”

Reja e Sou Fujimoto’s, foto nga IntoAlbania.

Restorant për darkë:

Pasi mbaron aperitivin te „Vena”, rrokullisesh direkt te „Pa pirunj” për një darkë të shijshmë dhe kreative. Një rizoto i zi me stika pishe, ananas e karkaleca të jep mundësinë të përballosh me dinjitet verën, pa të të rënduar stomakun. Për më kurajozët, është pjata me mëlçi pkante. Menunë e gjen në një dërrasë të zezë, gjë që tregon se ajo ripërtërihet në varësi të produkteve.

Bar/Klub:

Nuk jam shume aktive në jetën e natës, e mbase për këtë arsye, jam shumë kërkuese ndaj nje Bari/Klubi ku harxhoj daljen time të muajit :p, dhe pretendoj që ky vend të jetë i bukur, të të krijojë rehati, të ketë muzikë të mirë, shumëllojshmëri pijesh, dhe atmosferë sociale të dashur. Ah, dress code-i: si ta doje zemra. Kjo këmbanë bië për të gjithë dhe është një ftesë për ta shijuar jetën thjeshtë fare, me një gotë rum, në Hemingway Bar Tirana.