10 Sugjerime nga Genti Minga - Into Albania

10 Sugjerime nga Genti Minga

Kujt ia beson minutat e çmuara të argëtimit, sportit, shijimit të një çaji, apo eksperiencat e reja në zbulim të vendeve të panjohura rreth e përqark Tiranës gazetari dhe përkthyesi Genti Minga?! Një guidë e përsosur për të gjithë ata që kanë një kujdes të veçantë për jetën e shëndetshme dhe që një gotë raki, apo një birrë, e kanë përjashtim të rrallë.

Kafe: Do ta kisha quajtur çajtore dhe jo bar kafe vendin tim të preferuar. Ёshtë “Kafe-Muzeum Komiteti” dhe aty bëhen çajra bio, të cilat i kam pikë të dobët. Ndonjëherë e kthej edhe ndonjë teke raki me spec djegës.

Pikë referimi: Restoranti “Luga e Argjendtë“. Atje mblidhen të gjithë miqtë e mi më të dashur, por edhe ata që nuk i kam miq, por janë mendje vetëm dhe nga të cilët ke gjithmonë diçka për të mësuar. Prandaj është një pikë e fortë referimi për mua.

Vend i rastësishëm: Fati i madh i shoqërisë sonë është se kemi një agjente speciale për perlat e panjohura të Shqipërisë, siç është Dhurata Thanasi. Ajo ka punuar me programe për zhvillimin rural dhe di të gjitha skutat më mbresëlënëse, nëpër zona ku nuk do na shkonte kurrë mendja të shkonim. Një ditë na ktheu rastësisht në Liqenin e Sharkës, në afërsi të kryeqytetit dhe ai vend i rastësishem, që nga ajo ditë, u bë një vend i kërkuar për mua dhe miqtë e mi.

Genti Minga dhe Dhurata Thanasi. Foto nga Genti Minga.

Vend për një drekë të shpejtë: “Të Du Ktu” nuk është keq. Unë do ta quaja madje atë vend “Çizkejkun e du ktu”, sepse këtu e bëjnë më mirë se askund tjetër.

Pjata e preferuar: Falafel me humus. Jam i marrosur pas ketij kombinimi. Restoranti ku shkoja rregulisht për humusin ia rriti aq shumë çmimin, sa filova ta gatuaj vetë.

Aperitiv: Unë nuk pi asgjë tjetër përveç ujit, lëngjeve të saposhtrydhura të fruta-perimeve dhe çajrave. Dikur pija edhe dhallën, mirëpo prej disa kohësh e kam lënë edhe atë.

Kënaqësi e veçantë: Vendi ku pavarësisht nese futem pa qejf, i lodhur, i mërzitur, i stresuar apo me nerva, dal në humor, energjik, i lumtur, i qetë dhe cakerrqejf është palestra “Fitness Practica”.

Genti në palestër.

 

Vendi i kulturës: Vitin e fundit kam zhvilluar një zakon të ri. Gati çdo fundjavë shkoj në teatër apo kinema vetëm, sepse më shijon pa fund. Tani dua t’i futem pak dhe Teatrit të Operës dhe Baletit, se edhe pjesët klasike më pëlqejnë.

 

Restorant për darkë: Jo vetëm për darkë, por edhe për drekë e mëngjes, kam restorant “Afërditën”. Ёshte tezja ime, që meriton yjet Michelin, por jo gjithmonë marrim në jetë atë që meritojmë.

Genti me teze Afërditën.

Bar/Klub: Keq e kemi punën me sugjerimet e mia. Kafenë nuk e pi, as alkolin. Po ju them se e urrej edhe jetën e natës. Edhe në rini nuk më ka pëlqyer. Edhe të rri kot nëpër bare nuk ma ka ënda, vetëm kur dal me dikë për takime pune. Në atë rast do të zgjidhja ndonjë “Mon Cheri”, se bëjnë disa biskota të papara me arrë kokosi dhe çaj jeshil.