10 Sugjerime nga Kamila Brzozowska: Një ditë në Sarandë - Into Albania

10 Sugjerime nga Kamila Brzozowska: Një ditë në Sarandë

Kamila është një vajzë e re polake që viziton shumë shpesh Shqipërinë, dhe publikon për publikun polak artikuj dhe fotografi mbi eksperiencat e saj në blogun personal. Duke qenë se është shumë e lidhur me Sarandën, ne i kërkuam asaj listën e 10 gjërave të preferuara në qytet:

1. Kafe

Në Shqipëri, kafja vjen gjithmonë e para! Saranda ka një avantazh shumë të madh pasi kafetë shohin nga deti. Mund të shijosh një filxhan të lirë kafeje tek sa sheh nuancat blu të detit Jon. Kam shumë të preferuara, por në veçanti do të thoja “New Space”. Zakonisht porosis një espresso të fortë, si e kanë qejf dhe vendasit, apo në një ditë të nxehtë, një freddo.

Saranda, foto nga IntoAlbania.

2. Pikë referimi

Shëtitorja e qytetit. Në mëngjes, shpesh shkoj tek limani dhe shoh peshkatarët tek sa zejnë peshk të freskët. Aty do të gjeni peshk të freskët, por edhe gaforre, ndonjëra  prej të cilave përpiqet të shpëtojë.

3. Vend i rastësishëm

Tregu i fruta-perimeve. Është vendi perfekt për të blerë suvenire vendase apo për të bërë pazare për shtëpinë. E dua mjaltin e mandarinës që kam marrë aty dhe më pëlqen përzgjedhja e madhe e reçelërave të freskët. Por ka edhe më shumë se kaq: vaj ulliri, verë apo raki, si dhe një shumësi erëzash, çajra mali apo kamomili. Kur të jeni aty zgjidhni patjetër frutat e sezonit, si shegët, fiqtë apo pjeprin.

4. Vendi i kulturës

Më pëlqen zona ku ndërthuren 3 fe të ndryshme në qendrën e qytetit. Është mjaft tërheqëse! Fillimisht, rrënojat e sinagogës të ndërtuar në shekullin e 5, të pozicionuar pranë parkut, aty ku ndodhet dhe zona e taksive. Shumë pranë saj, mund të dallosh minarenë e një xhamie, prej nga dëgjohet dhe hoxha në orarin e lutjes. Së fundmi, ndodhet dhe kisha ortodokse me arkitekturën e këndshme dhe ikonat e bukura brenda.

Rrënojat e sinagogës, foto nga IntoAlbania.

5. Vendi për një drekë të shpejtë

Këtu në Sarandë, ka një furnizim ditor me ushqim të freskët deti që e bën këtë ushqim mjaft të përshtatshëm për drekë. Rekomandoj restorantin “Summer” pozicionuar në shëtitoren e qytetit, apo “Mare Nostrum”, që ndodhet gjithashtu afër me shëtitoren dhe ka pamje nga deti. Të dyja janë të shkëlqyera!

6. Pjata e preferuar

“Plazhi i ri Caci” pasi të gjitha pjatat aty janë ndër të preferuarat e mia! Supa e peshkut, sallatat apo tava e kosit, pilafi apo barbunjat. Më pëlqen të kombinoj kuzhinën tradicionale shqiptare me pjatat e freskëta të detit. Këtu ka një menu shumë të gjetur, me çmime shumë të mira, shërbim miqësor si dhe verë të mirë!

7. Aperitiv

Përgjatë pasdites, zgjedh të provoj diçka të ëmbël. Tek restorant “Limani”, mu pranë detit, zakonisht porosis trileçe, krem karamel apo zupë.

8. Kënaqësi e veçantë

Koha e plazhit! Ndonjëherë zgjedh plazhet publike, në raste të tjera, mund të frekuentoj dhe plazhet private, ku gjen gjithçka, që nga çadra tek baret moderne. Më pëlqen të kaloj kohë pranë detit, të pij diçka interesante, të relaksohem në diell apo të notoj.

9. Restorant për darkë

Perëndimi te restorant “Lëkurësi” apo bar-verari “Kristiano” në majë të kodrës. Zakonisht marr taksi për të shkuar tek destinacioni i parë, tek sa preferoj të eci në këmbë për tek destinacioni i dytë, që më shkon rreth 30 minuta nga qendra. Pamja mbi qytet është e pabesueshme nga të dyja vendet. Perëndimi ngjan përherë i ndryshëm, por njëlloj i bukur. Të dyja vendet kanë gjithashtu ushqim dhe verë të mirë, e nëse je me fat, tek Lëkurësi mund të të ndodhë të bëhesh pjesë e ndonjë mbrëmje me muzike dhe valle tradicionale shqiptare.

Photo Credits: Egzon Bytyqi
instagram.com/egzonbytyqiphoto.

10. Bar/Klub

Për sa i përket vendeve me muzikë apo pije të mira, do të sugjeroja “Orange” “City Lounge”. Janë mu anës detit, në fund të shëtitores. Për një mbrëmje më të qetë, “Paradiso” është një zgjedhje e mirë, gjithashtu pranë detit dhe me një pamje fantastike të qytetit.

Nëse doni të dini më shumë mbi aktivitetet e Kamilës në Shqipëri, mund ta ndiqni atë në faqen e saj të instagramit, ku publikon fotot e vendeve më të bukura që viziton.