10 top aktivitetet falas në Tiranë   - Into Albania

10 top aktivitetet falas në Tiranë  

Ndërthurrja e stileve të ndryshme arkitektonike dhe bashkëjetesa disi kaotike e të resë me të vjetrën e bën Tiranën një qytet plot thesare lehtësisht të dukshme por edhe të padukshme, zbulimi e fotografimi i të cilëve mund të kërkojë ditë të tëra, pa nevojën e shpenzimit të asnjë qindarke. 

Nëse mund t’iu rezistosh restoranteve të parezistueshme e të panumërta të qytetit, Tirana është një qytet i cili mund të shijohet edhe pa shpenzuar para. Nëse keni buxhet të kufizuar apo thjesht dëshironi të kurseni, më poshtë ju prezantojmë me një listë aktivitetesh që nuk kërkojnë shpenzimin e parave tuaja. Nëpërmjet këtyre, mund të njiheni me qytetin, historinë, kulturën e atmosferën e tij, falas! 

1. Shëtitje në Parkun e Liqenit Artificial

Në metropolin e Tiranës, plot ndërtesa, trafik, zhurmë e lëvizje, Parku i Liqenit Artificial, si hapësira më e madhe e gjelbër e kryeqytetit, përfaqëson vendin më shplodhës e të qetë për të kaluar pasditen. Të gjithë ndoshta e dinë por jo të gjithë përfitojnë nga kjo hapësirë ashtu si duhet! Parku gjithashtu përfshin disa fusha për sporte të ndryshme si edhe rrugë për ecje të qeta apo sportive. Në pika të ndryshme, gjenden statuja apo monumente përkujtimore, të cilave mund ti kushtoni pak vemendje, si edhe teatri i hapur!

The Grand Park of Tirana

Parku i Liqenit Artificial, foto nga IntoAlbania

2. Vizitë në shtëpinë-muze të Sali Shijakut

Për gjithë artdashësit vendas apo nderkombëtarë, kjo vizitë është e domosdoshme! Tek rrugica Vildan Luarasi, një degëzim i rrugës Siri Kodra, ndodhet vila 300-vjeçare tiranase ku jeton e punon Sali Shijaku. Artisti, i cili ka banuar gjithnjë në këtë vilë, e ka kthyer shtëpinë e tij në një galeri arti të paçmueshme për qytetin, ku nuk mungon bari dhe restoranti. Ēshtë pa dyshim një nga “thesaret” e Tiranës dhe një vend i cili do t’ju frymëzojë!

Galeria ne brendësi të Vilës së piktorit Sali Shijaku, foto nga IntoAlbania

3. Shëtitje në pedonalen kryesore dhe pasazhin brenda Kalasë së Tiranës

Fillimisht, mund të shijoni një shëtitje në pedonalen e bulevardit kryesor. Pasi keni përshkuar rrugën e shtruar me kalldrëm, eksploroni shtesën më të re të kryeqytetit: pasazhin brenda kalasë së Tiranës. Thjesht hyni brenda portës madhështore ku do të gjendeni të rrethuar nga një galeri e këndshme, anët e së cilës janë plot dyqane me produkte artizanale. Hyrja është falas kështu që mos hezitoni ta vizitoni këtë vend e të sodisni si parizienët e dikurshēm në pasazhet e famshme të Parisit.

Hyrja e Kalasë së Tiranës, foto nga IntoAlbania

4. Njihuni me kostumet popullore të Shqipërisë 

Në dyqanin-muze Tradita Popullore, drejtuar nga Edlira Sulaj, ekspozohen kostume dhe veshje tradicionale të Shqipërisë ndër shekuj. Ato riprodhohen në detaj nga artizanë të talentuar në atelienë e dyqanit-muze. Një takim autentik me kulturën shqiptare!  Drejtuar nga Linda Spahiu, Trojet Foundation është një sipërmarrje e ngjashme e cila i përkushtohet ruajtjes të kostumeve tradicionale shqiptare. Arkiva përfshin mbi 2,000 artifakte e kostume tradicionale, disa prej të cilave datojnë që në shekullin XVIII-të! Hyrja është falas në të dy vendet.

Detaj nga kostum tradicional shqiptar, foto nga IntoAlbania

5. Shijoni kopshtet e bukura të Pallatit të Brigadave

Pallati i Brigadave, tashmë i hapur edhe për publikun, nuk duket nga rruga kryesore. Ai është konceptuar të qëndrojë i fshehur pas qiparisave të lartë e jetëgjatë. Ndonëse arkitektura e tij është vërtet tërheqëse, kopshtet e tij janë ndoshta pjesa me e bukur! Një kishëz, shatërvane, statuja bronxi, sera të vogla, bimësi dekoruese, rrugicëza të asfaltuara që ju zbulojnë pamje mbresëlënëse. Në total janë rreth 70 lloje pemësh, me një moshë që arrin deri 70 vjeç. Parku është i hapur për publikun çdo fundjavë, nga ora 09:00-16:00 në muajt tetor-prill dhe nga ora 09:00-20:00 në muajt maj-shtator.

Ne hyrje të oborreve të Pallatit të Brigadave, foto nga IntoAlbania

6. Eksploro bulevardin kryesor të kryeqytetit nga fillimi deri në fund   

Mund të duhet një paradite apo pasdite e plotë për të ecur nga një anë e bulevardit në tjetrën! Duke u nisur nga fundi, pra me Bulevardin e Ri, do të vini re fasada me motive interesante moderniste të cilat shenjojnë themelimin e “qytetit të ri.” Vazhdoni drejt sheshit Skënderbej, ku do të gjeni disa nga monumentet e institucionet më të rëndësishme të vendit. Më tej, vëzhgoni me kujdes arkitekturën e godinave të arta të ministrive, Galerinë Kombëtare të Arteve, Memorialin Postblloku, Kryeministrinë, Piramidën, Pallatin e Kongreseve dhe Universitetin e Tiranës i cili shënon fillimin e bulevardit. Shiheni bulevardin me syrin e turistit!

Piramida e Tiranës, foto nga IntoAlbania

7. Mos humbisni ekspozitat apo eventet kulturore falas përgjatë bulevardit 

Në disa nga vendet e lartpërmendura, mund të shijoni hyrjen e lirë në ekspozitat e tyre të përkohshme, zakonisht të vendosura në katin e parë të ndërtesave përkatëse. Nëse jeni të interesuar për evente artistiko-kulturore, njihuni me ekspozitat e rradhës në Muzeun Historik Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Arteve, si edhe COD-në, qendrën kulturore që gjendet në katin e parë të kryeministrisë. Në këto qendra, ka gjithnjë ndonjë ekspozitë pikture apo fotografie interesante. Mbrëmjeve, Reja, instalacioni i vendosur në oborrin e Galerisë së Arteve, mund të ofrojë filma apo koncerte pa biletë. Mos neglizhoni të kontrolloni kalendarin e aktiviteteve!

Instalacioni “Reja” nga Sou Fujimoto

Instalacioni “Reja” nga Sou Fujimoto, Tiranë, foto nga IntoAlbania

8. Shijoni gjithçka që ofron Sheshi Skënderbej

Tashmë dihet se Sheshi Skënderbej organizon disa nga koncertet më të mëdhenj në vend. Sheshi u bë edhe qendra e tifozëve të futbollit gjatë kampionateve të ndryshme apo këndi i lojrave dhe sporteve për fëmijët dhe sportdashësit e qytetit. Ndonjëherë duket çudi që vërtet mund të kënaqemi falas por, në këtë shesh, argëtimi i thjeshtë është vërtet i mundur. Edhe nëse nuk ka aktivitete apo evente, mund thjesht të uleni në shkallët e Muzeut Kombëtar e të shijosh një birrë me shoqërinë. Mjafton të jeni pak kreativ!

Pamje e Sheshit Skënderbej nga Sahati i Tiranës, foto nga IntoAlbania

9. Shëtitje në kërkim të grafitit dhe fasadave shumëngjyrëshe të Tiranës

Që nga sheshet kryesore e godinat qeveritare të qytetit e deri në qoshet e tij më të padukshme (apo në dukje të parëndësishme!), Tirana është një kryeqytet që kërkon vemendjen tonë në çdo kthesë. Shumë mund të mendojnë se kjo gjë krijon mbingarkesë. Por, mjafton ta përfytyrojmë Tiranën si një muze të hapur që të kuptojmë se si ai na argëton pa masë përditë. Disa nga motivet e pikturuara në fasadën e pallateve janë thjesht dekorative. Të tjera përcjellin mesazhe të cilat duhen kuptuar. Disa nga grafitit janë të artistëve të pavarur e disa të tjerë jo. Prandaj, kur të shëtisni nëpër qytet, mund ta konsideroni si aktivitet e ta shijoni vërtet!

Graffiti në qytetin e Tiranës, foto nga IntoAlbania

10. Shijoni natyrën në rrethinat e Tiranës

Nëse keni vërtet dëshirë të largoheni nga qyteti por nuk doni të shpenzoni shumë për tu larguar nga rutina, ka plot vende rreth Tiranës të cilat do ju transportojnë më larg se ç’mendoni. Sipas dëshirës dhe preferencave që mund të keni, ju sugjerojmë këto destinacione ditore të cilat do tju qetësojnë e frymëzojnë. Mund të shkoni në Malin e Dajtit, Ujëvarën e Shëngjergjit, Syrin e Qiklopit, apo Lumin e Erzenit,  ku guximtarët mund të notojnë edhe ne vjeshtë dhe të tjerët të shijojnë një piknik. Për një listë të plotë të natyrës së bukur rreth kryeqytetit, klikoni këtu.

Kalaja e Petrelës, Tiranë, foto nga IntoAlbania