100 Vjet Kryeqytet - Ja Eventet që do të Mbushin Sheshet e Tiranës - Into Albania

100 Vjet Kryeqytet – Ja Eventet që do të Mbushin Sheshet e Tiranës

Sot zyrtarisht Tirana fryn qirinjtë e tortës së ditëlindjes së saj të 100-të. Me një identitet të fortë, me shumë histori dhe kulturë kjo është një ngjarje e rëndësishme për kryeqytetin. Ata që kanë lindur e jetojnë në Tiranën e sotme kanë edhe një ndienjë më të fortë krenarie për të.

E pikërisht në ditëlindjen e saj të 100-të, Tirana vishet me ngjyrat e festës dhe iu ofron qytetarëve të saj, por edhe turistave të shumtë aktivitete në sheshe të ndryshme. Aktiviteti i parë nis në orën 10.00 tek Pazari i Ri me Street Food, i cili do të mbushë këtë shesh me shumëllojshmëri gatimesh gjatë gjithë ditës. Në të do të gjeni tetë restorantet më të mira të zonës, që nga gatimet tradicionale deri tek ëmbëlsirat plot shije.

Posteri i eventit. Foto: Bashkia Tiranë

Gjatë mesditës Kalaja e Tiranës ju pret me një ekspozitë interesante me foto dhe objekte nga Arkivi i Shtetit dhe në orën 16.30 atmosfera do të nxehet me kërcimet e Shqipërisë së Mesme.

Posteri i eventit. Foto: Kalaja e Tiranës

Por emocionet nuk mbarojnë këtu, kinemaja Drive-in Cinema, e cila është hapur pak kohë më parë, ju mundëson të ndiqni falas filmat Room 1408, si edhe Shutter Island.

Foto nga Drive-In Cinema

Posteri i eventit. Foto: Bashkia Tiranë

Atmosfera sa vjen dhe nxehet dhe në orën 19.00 ju pret koncerti në sheshin Nënë Tereza, ku do të përformojnë zërat më të njohur të muzikës popullore shqiptare dhe tiranase, nuk do të mungojë as Banda e qytetit dhe Ansambli “Tirana.” Mes emrave të njohur të muzikës që do të këndojnë për publikun e kryeqytetit mbrëmjen e sotme janë Artjola Toska, Bujar Çiçi, Irma Libohova, Merita Halili, Pajtim Struga, Sinan Hoxha dhe Valbona Mema.

Kjo atmosferë e ngrohtë festive do ta kthejë këtë ditë në një event të madh, jo vetëm për banorët e Tiranës, por për të gjithë, për t’i uruar kryeqytetit tonë Gëzuar Ditëlindjen.