18 Prilli Dita Ndërkombëtare e Monumenteve Kulturore dhe Parqeve Arkeologjike - Into Albania

18 Prilli Dita Ndërkombëtare e Monumenteve Kulturore dhe Parqeve Arkeologjike

Data 18 prill shënon Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Parqeve Arkeologjike. Ditë e cila thekson nevojën për të ruajtur vendet kulturore dhe për të festuar larminë e trashëgimisë kulturore në të gjithë botën. Për këtë vit motoja e kësaj dite është “E kaluara e ndërlikuar. E ardhmja e larmishme”.

Kjo konsiderohet si një ditë reflektimi për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe monumentet tona. Misioni i kësaj dite është edukimi i brezit të ri me problematikën e monumenteve, si dhe tërheqjen e vëmendjes për kujdesin që duhet treguar ndaj trashëgimisë kulturore. Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve është një mundësi për të vizituar, shijuar dhe për të reflektuar mbi sitet e trashëgiminë kulturore që kemi përzemër.

Në IntoAlbania ne, kemi promovuar dhe kemi sjell në vëmendje nevojën për të ruajtur vendet e kulturës, dhe për të vlerësuar larminë e trashëgimisë kulturore.

Apollonia, foto nga Gëzim Mavriq

Gjatë këtij viti shumë monumente janë restauruar dhe shumë të tjera janë në proces.  E fundit është edhe Kulla e Sahatit të Krujës e cila ishte në rrezik, si pasojë e dëmtimit të pësuar nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019. Ndërkohë duhet theksuar se si pasojë e termetit janë në proces restaurimi kalaja e Durrësit si edhe kulla e sahatit në Prezë. Por sigurisht nuk kanë munguar edhe restaurimet e kishave dhe xhamive të cilat kanë pësuar dëmtive gjatë viteve.

Kalaja e Prezës, foto IKTK

Po si u vendos kjo datë

Në vitin 1982, ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve) vendosi datën 18 Prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet, datë e cila u miratua si e tillë në Konferencën e 22-të të Përgjithshme të UNESCO-s të mbajtur në vitin 1983.

Që nga kjo periudhë, 18 Prill ka shënuar ditën e kremtimit dhe promovimit të trashëgiminë kulturore dhe është vlerësuar si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diversitetin, rëndësinë, nevojën dhe përfitimet e konservimit dhe mbrojtjes të saj.

Çdo vit, ICOMOS propozon një temë të caktuar për kremtimet dhe aktivitetet që do të organizohen në këtë datë nga komitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të ICOMOS dhe organizata të tjera që dëshirojnë të bëhen pjesë e kremtimeve.

Kthyer tashmë në një traditë, edhe Shqipëria çdo vit i bashkohet kremtimeve në kuadër të kësaj dite ndërkombëtare dhe të gjitha institucionet kombëtare që administrojnë vlera të trashëgimisë kulturore kryesisht monumente në administrim të DRKK-ve dhe parqeve arkeologjike përfshihen gjatë gjithë javës në një kalendar aktivitetesh.

Kullë e Sahatit në Kalanë e Krujës, foto nga IntoAlbania