2019 Viti I Kalave Dhe Parqeve Arkeologjike - Zbuloni Më Të Vizituarat - Into Albania

2019 Viti I Kalave Dhe Parqeve Arkeologjike – Zbuloni Më Të Vizituarat

Shqipëria është e pasur më parqe të shumta kombëtare dhe arkeologjike që gjithmonë ka tërhequr syrin e turistëve për t’i vizituar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës viti 2019 ka qenë pozitiv përsa i përket vizitorëve. Ata që kryesojnë listën janë kryesisht vizitorët e huaj, që tërhiqen më shumë për të parë nga afër atraksionet tona turistike.

Po cilët janë këto vende? Më poshtë keni listën e parqeve kombëtare e arkeologjike, si edhe kalave më të vizituara.

1. Parku Kombëtar i Butrintit

Në krye të listës qëndron, Parku Kombëtar i Butrintit, me monumentet e shumta që reflektojnë historinë e pasur. Rrënojat 2500 vjeçare do ju bëjnë të udhëtoni në mesjetë, e në të njëjtën kohë mund të sodisni edhe natyrën e mrekullueshme përqark. Vetëm në vitin që lamë pas ajo ka pritur rreth 236723 turistë, nga të cilët 152492 kanë qenë të huaj.

Pamje e Butrintit nga lart. Foto nga Arian Mavriqi

2. Kalaja e Beratit

Si një aureolë mbi majën e një kodre, kalaja e Beratit është destinacioni i rradhës më i vizituar. E ndërtuar që në shekullin e IV para Krishtit, me mure guri dhe me 24-ër kullat e vrojtimit, është një ndër ato fortifikime, që jeta brenda mureve antike vazhdon edhe sot. Me shtëpi karakteristike, kisha, pazare, muze e monumente të cilat rrethohen nga një natyrë e gjelbërt e bëjnë këtë vend ideal për t’u vizituar.

Berat Castle

Kalaja e Beratit. Foto nga IntoAlbania

3. Kalaja e Gjirokastrës

Kalaja e Gjirokastrës është një nga ato shëtitjet mes historisë dhe legjendës. Kjo kala e ndërtuar në shek V para lindjes së Krishtit, ka qenë simbol i shumë luftrave që populli shqiptar ka bërë për pavarësi. E jo më kot, mbetet një nga atraksionet turistike më të vizitura, kryesisht nga të huajt. Kujtojmë që, Butrinti, Gjirokastra dhe Berati bëjnë pjesë në listën e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Pamje nga kalaja e Gjitkostrës. Foto nga Matthew J Zumwalt. instagram.com/matthewjzumwalt

4. Parku Arkeologjik Shkodër

Parku Arkeologjik Shkodër, mbetet në listën e vendeve më të vizituara të 2019-ës me rreth 111075 turistë. E pozicionuar mbi një kodër shkëmbore mes lumit Drin dhe Bunë, Kalaja e Shkodrës zë dhe perimetrin më të madh të këtij parku. E njohur ndryshe si kalaja e Rozafës, përveç legjendave, ju do të udhëtoni në kohë duke prekur etapa të ndryshme historike. Kësaj shëtitje nuk mund t’i mungojë dhe vizita në muzeun e kalasë si edhe në xhaminë që ndodhet brenda këtyre mureve.

Rozafa

Kalaja e Rozafës, Shkodër. Foto nga IntoAlbania

5. Parku Arkeologjik i Apollonisë

I themeluar që në shek VI para Krishtit, Parku antik i Apollonisë mbetet vendi ideal për t’u vizituar. I lashtë për nga rëndësia historike, si edhe nga pasuria e monumenteve dhe rrënojve të shpërndara në kodrat e Parkut, kanë bërë që parku të jetë në listën e më të vizituarve për 2019.

Parku Arkeologjik i Apollonisë, Fier. Foto nga IntoAlbania

6. Kalaja e Porto Palermos

Pozicioni gjeografik si edhe rëndësia historike, e bëjnë kalanë e Porto Palermos një ndër atraksionet turistike të 2019-tës. E ndërtuar me kërkesë të Ali Pashë Tepelenës, në 1814, ajo ndodhet mbi një ishull në afërsi të Himarës. Mes të detit e legjendës dhe rëndësisë historike, vazhdimisht tërheq vëmendjen e vizitorëve.

Kalaja e Porto Palermos, Vlorë. Foto nga Fation Plaku

7. Amfiteatri i Durrësit

Pavarësisht situatës tragjike që kaloi Durrësi, si pasojë e tërmetit, turistët kanë shfaqur interes për të vizituar sitet turistike të këtij qyteti. Për vitin 2019 amfiteatri i Durrësit është vizituar nga rreth 21817 turistë, kuriozë për të mësuar rreth arkitekturës, artit dhe historisë sonë. Kjo arenë e ndërtuar gjatë shek II të erës sonë, mbetet një nga ndërtesat më të mëdha romake në rajon.

Amfiteatri i Durrësit. Foto nga IntoAlbania.