5 Destinacione Ideale për Muajin e Shtatorit - Into Albania

5 Destinacione Ideale për Muajin e Shtatorit

Mbahet si muaji më i ngarkuar i vitit por nuk duhet harruar se shtatori është edhe një nga më të bukurit! Ajrin e freskët, ngjyrat e ngrohta dhe fillimin e vjeshtës që sjell ky muaj mund ti shijoni në maksimum në vendet më poshtë.

Tirana

Me ajrin e freskët dhe kthimin e njerëzve nga pushimet e tyre, Tirana shndërrohet në një qytet të ri e plot aktivitete në shtator. Ky është momenti i duhur për të shijuar plotësisht kryeqytetin! Bulevardi gjallërohet ndërsa rrezet e diellit të florinjta të shtatorit ndezin ngjyrat e ministrive, xhamisë e të gjithë strukturave të bukura përgjatë bulevardit kryesor e Sheshit Skënderbej. Një shëtitje në rrugët e qytetit dhe një ndalesë për një kafe apo pije në lokalet e shumta do të mjaftonte për të shijuar atmosferën. Megjithatë, kjo periudhë premton bukuri natyrore të cilat nuk duhen lënë pas dore! Mund të bëni një rrugë të shkurtër drejt Petrelës apo Prezës ose një udhëtim me teleferik për tu kënaqur me ajrin e freskët të Dajtit. Për më shumë, klikoni këtu.

Sheshi Skënderbej në Tiranë, foto nga IntoAlbania

Himara

Fshati i madh i rivierës zbraset nga turmat e turistëve gjatë shtatorit ndërsa rrezet e ngrohta të diellit dhe deti Jon vazhdojnë të jenë ende në majat e tyre. Ja pse, në shtator, Himara ofron një eksperiencë ndryshe e, për shumë njerëz, shumë më të bukur nga ajo e verës. Atëherë kur plazhet e tjerë të jugut nisin të mbyllin ambientet e tyre, Himara vazhdon ritmin e saj të qetë, pasi fshati u kthehet vendasve dhe atyre pak turistëve që tashmë kanë zbuluar Himarën e bukur të shtatorit. Nesë nuk patët rastin të kaloni nga jugu gjatë verës, ky ështe momenti i duhur për një ndarje të butë nga vera dhe një qendrim vërtet çlodhës pranë detit më të bukur në vend.

Shëtitorja e Himarës, foto nga IntoAlbania

Fshatrat e Korçës

Dardha, Voskopoja, Boboshtica, Vithkuqi – këta fshatra rreth Korçës janë nga më të njohurit e më të bukurit të Shqipërisë. Disa prej tyre kanë qënë historikisht qendra të zhvilluara ekonomike e kulturore e kjo është arsyeja pse ata ende ruajnë cilësinë e lartë në gjithçka që ofrojnë. Kuzhina speciale dhe e pakrahasueshme e zonës bashkë me natyrën e klimën ideale në fund-verë e fillim-vjeshtë janë tre arsye për të shpenzuar të paktën një fundjavë të këndshme të shtatorit aty. Por ka edhe shumë arsye të tjera me në krye ambientin gjithmonë mikpritës e të ngrohtë të zonës e ajrin e pastër!

Fshati Dardhë në Korçë, burimi: ata.gov.al

Rreth Lezhës

Lezha dhe rrethinat e saj janë për tu zbuluar e shijuar pikërisht në këto ditë ende të ngrohta të shtatorit. Përveç bukurive natyrore të Lezhës, duke përfshirë këtu edhe bregun Adriatik i cili e shoqëron të gjithë zonën, këtu do të gjeni kuzhinën më të mirë në vend. Nëse pamjet e detit apo të luginave ju qetësojnë, keni plot zgjedhje me plazhin e Ranës së Hedhun dhe Shëngjinin apo luginat e Patokut, Kunë-Vain-Talës, dhe Karavastasë, ku mund të vrojtoni edhe shpendët e rrallë të zonës. Në këto zona mund të gjeni edhe ushqim të freskët e te shijshëm. Pranë Shëngjinit, ndodhet restoranti i famshëm për elegancën e shijen e tij, Rapsodia. Mos harroni edhe Mrizin e Zanave, i cili është përherë i përkryer në gatimet dhe atmosferën e tij.

Laguna e Patokut në Lezhë, foto nga IntoAlbania

Gjirokastra

Qyteti i shpallur si Trashëgimi Botërore e UNESCO-s ka shumë për të ofruar gjatë gjithë vitit por, me fillimin e stinës së vjeshtës, qyteti i gurtë bëhet vërtet i magjishëm. Mund të qëndroni brenda qytetit e të shijoni peizazhin e maleve që e rrethojnë, shëtitjet nëpër rrugët me kalldrëm, apo kuzhinën tradicionale. Mund të bëni një vizitë në një nga kalatë më të vjetra të Ballkanit apo në shtëpitë e njohura të qytetit. Por, shtatori ështe muaji ideal për të parë edhe rrënojat e bukura të qyteteve antike të Antigonesë dhe Adrianopolit dhe natyrën përreth. Për më shumë, klikoni këtu.

Pamje e Kalasë së Gjirokastrës, foto dhuruar nga Matthew J Zumwalt.
instagram.com/matthewjzumwalt/