6 Arsye pse Shqipëria është e bukur edhe në vjeshtë - Into Albania

6 Arsye pse Shqipëria është e bukur edhe në vjeshtë

E njohur për destinacionet e saj të pakrahasueshme verore, Shqipëria ofron disa arsye të forta pse ajo është po aq e këndshme në vjeshtë, në mos më shumë!

1. Moti ideal për ecje, shëtitje në biçikletë dhe piknik

Ditët me diell vazhdojnë të paktën deri në nëntor në Shqipëri, duke ju dhënë të gjithëve mundësinë të shijojnë udhëtimin po aq sa edhe destinacionin! Me klimën e saj të butë, kushtet për ecje në natyrë apo shëtitje nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë janë ideale. Pak rëndësi ka nëse preferoni qytetin apo natyrën e egër. Kudo që të vendosni të shkoni, rrugëtimi do tju shijojë në maksimum gjatë kësaj stine. Nëse gjendeni në Tiranë, mund të niseni me biçikletë drejt Parkut të Liqenit dhe të shijoni një piknik pranë liqenit. Nëse keni plane serioze çiklizmi, klikoni këtu për më shumë destinacione dhe këtu për turet më të mira çiklistike. Për më shumë aventura në natyrë, lexoni sugjerimet tona këtu.

Hiking, Mountains

Ecje në natyrë, foto nga Fation Plaku

2. Frutat sezonale dhe agroturizmi

Bukuria e vjeshtës nxjerr në pah anën dioniziane të çdokujt! E ku mund ta shijosh jetën më mirë sesa në një nga restorantet agroturistike të vendit? Rreth Tiranës ka plot! Disa nga vendet më piktoreske, më të shijshme dhe me ushqimin më të freskët janë UKA Farm, Nano Resort dhe Ceren Ismet Shehu, mes shumë të tjerëve. Pranë Lezhës, keni agroturizmin legjendar Mrizi i Zanave. Për më shumë vende të shijshme dhe mikpritëse në Shqipëri, klikoni këtu. Mos harroni se frutat e vjeshtës në Shqipëri janë në kulmin e tyre gjatë këtij sezoni! Ky ështe momenti për të shijuar boronicat, gështenjat, arrat, shegët, mollët e plot të tjera si këto të fundit. Kërkoni për to në tregjet apo restorantet e çdo qyteti që vizitoni!

Shegë të freskëta tek Mrizi i Zanave në Lezhë, foto nga IntoAlbania

3. Koha për eksplorimin e fshatrave të bukur të Shqipërisë

Fshatrat e Shqipërisë janë nga destinacionet më te bukura dhe çlodhëse në vend! Për të mos përmendur ushqimet e tyre gjithmonë të shijshme e të freskëta si edhe bujtinat mikpritëse. Mund të zgjidhni fshatrat e mrekullueshëm pranë Korçës, të shijoni ajrin e pastër si edhe afërsinë me qytetin e këndshëm. Ato të Pogradecit për t’u çlodhur me pamjet e Liqenit të Ohrit dhe peshkun e freskët e të pakrahasueshëm të koranit. Pa dyshim se edhe fshatrat e dimrit në këtë listë janë edhe më spektakolare gjatë vjeshtës!

Pogradec

Parku Kombëtar i Drilonit pranë Pogradecit, foto nga IntoAlbania

4. Vizitat në destinacionet e paarritshme gjatë dimrit

Në veriun e bukur të vendit gjenden fshatrat e Thethit dhe të Valbonës, dy nga vendet më të njohura për peizazhet e tyre mahnitëse dhe ajrin e freskët. Bukuria e egër dhe disi e largët e Thethit, pranë Shkodrës, dhe ajo e Valbonës, pranë Kukësit, janë të krahasueshme me Alpet Zvicerane! Vjeshta ofron mundësinë e duhur për të kryer ecjen e njohur, të gjatë dhe piktoreske, mes dy fshatrave e cila duhet të bëhet para fundit të tetorit. Për më tepër, përshkimi i Liqenit Koman me varkë, i cili të çon drejt Valbonës, mund të bëhet vetëm deri në fillim të nëntorit. Këto vende, më mahnitëse në vjeshtë se në çdo stinë tjetër, duhet të vizitohen para se të jetë vonë!

Theth National Park

Parku Kombëtar i Thethit pranë Shkodrës, foto nga IntoAlbania.

5. Sitet arkeologjike dhe qytetet e lashtë nën diellin e butë të vjeshtës

Vjeshta është stina për të vizituar vendet e panumërta arkeologjike të Shqipërisë! Rrënojat e qyteteve të lashta duken edhe më të bukura nën rrezet e vjeshtës. Nëse e gjeni veten në pjesën jugore të vendit, duhet të shihni rrënojat mbi 2500-vjeçare Butrinitin me ngjyrat e arta të stinës. Përreth Gjirokastrës, mund të eksploroni qytete të tjerë antikë si Antigonea dhe Adrianopolis. Nëse jeni më afër kryeqytetit, ju sugjerojmë një shëtitje rreth qytetit antik të Durrësit apo Parkut Arkeologjik të Apolonisë. Për listën e plotë të qyteteve të lashtë në Shqipëri, klikoni këtu.

Butrint

Parku Arkeologjik i Butrintit në Sarandë, foto nga IntoAlbania.

6. Stina e duhur për të bërë një vizitë në muze

Vjeshta është stina e kulturës! Një vizitë në muze është ndoshta mënyra më e mirë për tu angazhuar në një aktivitet njëkohësisht fizik, kulturor dhe social! Ndër muzetë më interesantë në vend, ne ju sugjerojmë: Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, i cili ju pëcjell nga Epoka e Bronzit deri në periudhën e komunizmit, Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, e cila mban disa nga veprat më të shquara të artistëve shqiptarë, Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi në Shkodër, me koleksionin e tij prej 400,000 fotografive nga jeta shqiptare nga viti 1850 e deri më sot, Muzeun Kombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut në Krujë, dedikuar heroit kombëtar, Muzeun Kombëtar Ikonografik të Onufrit në Berat, kushtuar Onufrit, mjeshtrit të madh të ikonave, dhe Muzeun Arkeologjik në Durrës, i cili strehon disa nga zbulimet më të rralla arkeologjike në vend. Për listën e plotë të muzeve, klikoni këtu.

Onufri Museum

Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” në Berat, foto nga IntoAlbania.