6 vendet për mëngjes dhe për brunch në Tiranë - Into Albania

6 vendet për mëngjes dhe për brunch në Tiranë

Termi brunch ka hyrë në zhargonin e përditshëm, si një fjalë e huaj që nënkupton vaktin mes mëngjesit dhe drekës. Por ndërkohë në shqip ekziston dhe fjala sillë, që në fjalor do të thotë “ushqim i mëngjesit që i shpihej bujkut në arë para dreke”. Nëse jeni duke kërkuar për një vend interesant ku përgatitet mëngjes apo sillë, jeni me fat, pasi në kryeqytet ndodhen me dhjetëra kafe dhe bare ku menuja është mjaft e shijshme. Lexoni listën tonë të gjashtë vendeve më të mira në qytet.

1. Bar Bufe 

E fshehur në një rrugicë të qetë  pranë qendrës së Tiranës dhe lumit Lana, Bufe është një bar – vinotekë që shërben dhe brunch gjithashtu. Stafi përgatit vakte të shkëlqyera, si petullat tradicionale me mjaltë, reçel, apo djath të freskët vendi. Ky vend i vogël është i duhuri për të nisur ditën në një zonë të qetë, larg zhurmës e turmave, duke ngrënë ushqim cilësor.

Për adresën kliko këtu. Tel. 04 224 7353

Bufe Wine Bar, foto nga Francesca Masotti.

2. Çoko Bistro & Bar

Pozicionuar në zemër të zonës së Bllokut, lagjes më të gjallë të Tiranës, Çoko Bistro & Bar është një kafe e bukur plot me zgjedhje për mëngjes. Gjithçka ofrohet në nivelin më të lartë këtu, që nga pancakes moderne tek petullat tradicionale, por asgjë nuk krahasohet me vezën benedict. Porositeni me një lëng të freskët portokalli, e do ta nisni ditën në mënyrën më të mirë të mundshme.

Për adresën kliko këtu. Tel. 0692070111

Çoko Bistro & Bar, foto nga: Çoko.

3. New York Tirana Bagels

Nëse preferoni një brunch tipik njujorkez, drejtohuni për tek New York-Tirana Bagels, të vetmin vend në Shqipëri që ofron një katalog të plot të gjevrekëve rrumbullakë, të njohur si bagels, të cilat përgatiten me produktet më të freskëta. Fsheshur mbrapa Piramidës, ky vend komod është nga më interesantët në qytet.

Për hartën kliko këtu. Tel. 069 540 7583

New York – Tirana Bagels. Foto nga: NY – Tirana Bagels.

4. The Last Supper

Një tjetër vend mjaft popullor në qytet është The Last Supper. Ky bar-restorant i rehatshëm ka një dizajn fantastik me arredim modern, dhe shërben vakte dhe ëmbëlsira të shkëlqyera, që nga vezët tek pancakes, duke ofruar dhe një seleksion frapesh perfekte që do t’ju freskojnë veçanërisht gjatë muajve të verës. The Last Supper njihet dhe për burgerat apo pastat, ndaj konsideroheni dhe si vendin e duhur për drekën nëse dëshironi.

Për hartën kliko këtu. Tel. 069 400 4044

Last Supper. Foto nga: facebook.com/lastsuppertr.

5. NOOR 

Vetëm disa hapa nga Plaza Tirana dhe Kalaja e Tiranës që është hapur së fundmi, mu në zemër të kryeqytetit, ndodhet NOOR. Ky është një vend i vogël, komod e goxha i lezetshëm me një dizajn të zgjedhur. Që nga kopështi i vogël në hyrje me verandën intime apo dhe ambjentet e brendshme të këndshme, Noor duket se i ka të gjithë cilësitë që do të donit për vendin ku të nisnit mëngjeesin. Shijoni vaktin tuaj dhe bëhuni gati për të zbuluar Tiranën.

Për hartën kliko këtu. Tel. 067 600 0688

Noor Coffee & Fine Food. Foto nga: Noor.

6. TëDuKtu

Një tjetër vend që mund të shtoni në axhendën tuaj është TëDuKtu, një vend i rafinuar dhe me stil që ofron një menu të shijshme dhe disa mundësi mëngjesi, dreke apo brunch-i, një pjesë të cilat serviren përmes disa tasave modernë, e të cilat përgatiten me produktet më të freskëta të sezonit. Ky vend në modë është i dekoruar me stil të adhurueshëm urban, dhe është i ndarë me zonën e brendshme dhe kopështin e bukur. Gjithashtu, TëDuKtu shet vepra arti apo objekte të tjera interesante, të cilat mund t’ju joshin dhe ju për t’i patur në shtëpinë tuaj.

Për hartën kliko këtu. Tel. 067 227 0707