Arbër - Shqipëria Shkruan Emrin e Saj në Yje - Into Albania

Arbër – Shqipëria Shkruan Emrin e Saj në Yje

Quhet Illyrian, Arbër Illyrian, ylli më i ri dhe planeti që i vjen rrotull në orbitë, të çertifikuar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Astrofizikanëve.

Lajmin më të bukur, ditën e sotme, gjatë ritualit të përditshëm të lundrimit mes postimeve në rrjetet sociale për të parë “çfarë ka të re”, na e dha astrofizikania shqiptare, zonja Mimoza Hafizi, e cila në një postim të sajin shkruan se: “Sot Bashkimi Ndërkombëtar i Astrofizikanëve çertifikoi zgjedhjen që mijra shqiptarë i bënë emrit Arbër për planetin HD 82886b dhe emrit Illyrian për yllin rrotull të cilit ai sillet”.

Distanca e largësisë mes Shqipërisë dhe planetit Arbër është relativisht e madhe, rreth 400 vite dritë, por krahasuar me distancat që kanë trupat qiellorë midis tyre, nuk konsiderohet e tillë.

Qiell me yje. Burimi Web Library

Praktika që i jep yjeve emra njerëzish ekziston prej shumë vitesh dhe me sa zbuluam, shpesh është bërë edhe motiv abuzimesh nga ana e disa organizatave të vetëshpallura “shitëse” të hapësirës qiellore në Web. Ҫmimet e shitjes së një ylli nga këto kompani, variojnë nga 19.99$ deri në 159.95$, në varësi edhe të “konfeksionit” që dëshirohet t’i bëhet yllit që në atë rast do të dhurohet.

Fragment i shkëputur nga një faqe Web që “shet” yje

Duke qënë se këta përfitues janë shtuar në masë vitet e fundit, instituteve të ndryshme te astrofizikës nëpër botë, u është dashur të sqarojnë se, deri më sot, i vetmi institucion që çertifikon zyrtarisht emrat e trupave qiellorë është Instituti Ndërkombëtar i Astrofizikës, pikërisht siç ka ndodhur me rastin e planetit Arbër dhe yllit Illyrian.

Të gjithë të tjerët që duan të bëhen romantikë, mjafton të ngrenë kokën nga qielli, të zbulojnë një yll, dhe ti vënë një emër, në mendjen e tyre.