Belsh: Një fundjavë plot ritëm dhe aktivitete - Into Albania

Belsh: Një fundjavë plot ritëm dhe aktivitete

Një destinacion ende i pazbuluar sa duhet, Belshi dhe liqenet e shumtë përreth tij tashmë ofrojnë kushtet për plot aktivitete që mund të ndiqen me miqtë e familjen. 

Nëse në një fundjavë të bukur me diell nuk keni asnjë plan, bëni mirë të mbani shënime! Belshi dhe liqenet e shumta të zonës së Dumresë (mbi 80 të tilla), janë një alternativë fantastike për të gjithë ata që duan të jenë pranë natyrës, në një destinacion që ende nuk është futur sa duhet në radarin e turistëve.

Rruga nga Tirana për në Belsh kalon përmes unazës së Elbasanit e pastaj vazhdon në kryqëzimin e Cërrikut. Prej andej nuk do ju duhet më shumë se gjysëm ore për të mbërritur në pllajën e Dumresë. Duke qenë se jemi pjesë e një turi të organizuar nga Tourism and Investment Finance Fund, ndalesa e parë është ajo në qytetin e Belshit, ku përfitojmë nga rasti për të vizituar dhe qendrën e qytetit të rikonstruktuar së fundmi.

Qendra e Belshit, foto nga IntoAlbania.

Po të kishim ndjekur këshillën e mendimtarit dhe patriotit Sami Frashëri, në Belsh do duhej të ishte shpallur kryeqyteti i shtetit shqiptar. Sipas tij natyra përreth dhe karakteristikat e tjera të zonës do e bënin vendin ideal për kryeqendrën shqiptare. Me pak imagjinatë, nis e përfyryton si do të ngjanin godinat e ministrive të Tiranës anash liqenit të Belshit apo liqeneve të tjera përreth. Sipas gjasave do kishim një nga kryeqytetet më poetike të Evropës.

Liqeni i Belshit, foto nga IntoAlbania.

Me të lënë Belshin, nisemi për në Seferan, ku bëjmë një ndalesë në “Bujtinën e Trëndafilave”. Provojmë çajin e shafranit dhe kuleçët me vaj ulliri, në verandën e bujtinës. Puhiza e këndshme, peizazhet e liqenit dhe qetësia totale e natyrës, të krijojnë ndjesinë e relaksit që e kupton sa shumë të nëvojitej vetëm pasi gjendesh këtu.

“Bujtina e Trëndafilave”, foto nga IntoAlbania.

Pjesë e kuadrit që shfaqet nga bujtina është dhe Shkëmbi i Gradishtës, që njihet ndryshe dhe si Kalaja e Belshit për shkak të rrënojave të gjetura aty. Tek sa mendohet se ka qenë qendër e zhvilluar që prej shekullit të gjashtë para Krishtit, qyteza e fortifikuar dy shekuj më vonë i përkiste krahinës së fisit ilir të parthinëve. Vlen të thuhet se prej asaj periudhe është gjetur dhe varri i një princi ilir, që njihet me emrin e Princit të Belshit, ku spikasnin rreth 70 objekte arkeologjike të cilat sot ekspozohen në një nga muzetë e antikitetit në Asparn të Austrisë.

Shkëmbi i Gradishtës si duket nga “Bujtina e Trëndafilave”, foto nga IntoAlbania.

Pasi bëjmë pushimin në bujtinë, vjen momenti që të fillojnë lojrat argëtuese të përfshira në tur. Hypim në mikrobuz, e mbërrijmë në liqenin e Merhojes që ndodhet jo shumë larg atij të Seferanit. Me sa duket aty atmosfera qenka ndezur që më hëret, dhe që nga kanoa e kajaku, e deri tek paddleboarding dhe mini golfi, të pranishmit kanë një larmi zgjedhjesh për të kaluar një mesditë të këndshme. Edhe pse jemi në tetor, dielli i ngrohtë e pastërtia e liqenit bën që disa prej të rinjve të nisin notin e zhytjen në ujërat e Merhojes.

Praktikues të kajakut në liqenin e Merhojes, foto nga IntoAlbania.

Liqeni Merhoje, foto nga IntoAlbania.

Aktivitete minigolfi, foto nga IntoAlbania.

Pas një periudhe shijimi të sporteve të shumta, rikthehemi në Seferan, ku pranë qendrës “Dumrea Pedal” të interesuarit mund të bëjnë xhiro me biçikletat e reja të pajisura me të gjitha kushtet e sigurisë. Mundësitë janë të shumta dhe për drekën, ku mund të zgjedhësh mes barbekjusë apo një rezervimi të menusë së restorantit “Zejtaria”.

Qendra “Dumrea Pedal”, foto nga IntoAlbania.

Pas drekës vazhdojmë eksplorimin e zonës. Pranë restorantit ndodhet statuja e Afërditës, ku është vendosur dhe një rrjetë badmingtoni e disa karrige relaksi. Sipas dëshmive arkeologjike Afërdita përbënte një nga perëndeshat më të rëndësishme antike në zonë, ku ajo nderohej përmes enëve prej terrakote të cilat hidheshin në faltoren e saj. Punime qeramike me kokën e Afërditës janë gjetur përgjatë gërmimeve të shumta, dhe sot statuja e saj qendron si një kujtesë për të shkuarën e largët të Dumresë.

Statuja e Afërditës në liqenin e Seferanit, foto nga IntoAlbania.

Statuja e Afërditës, foto nga IntoAlbania.

Fundi i udhëtimit bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme. Pranë restorant “Zejtarisë” mund të nisësh një shëtitje me varkë në liqenin e Seferanit.

Shëtitje me varkë, liqeni Seferan. Foto nga IntoAlbania.

Dora përshkon ujin e freskët tek sa zambakët e verdhë dekorojnë të gjithë peizazhin. Atmosfera është vërtet e paqtë, dhe nuk duhet shumë që të nisësh të dyshosh nëse do rikthehesh në Tiranë, apo do qëndrosh në Belsh, kryeqytetin poetik të munguar.

Zambakë uji në Seferan. Foto nga IntoAlbania.